Edison Ypi: Teknik i Kuq

12 Shkurt, 11:25| Përditesimi: 12 Shkurt, 11:32

  • Share

Një ditë të ftohtë vjeshte me shi të imët dhe mjegull të bardhë, Kryeministri Mehmet Shehu erdhi për vizitë në Politeknikumin 7 Nëntori.
"Na duhen teknik të kuq" tha Kryeministri sapo nisi fjalimin para nxënësve dhe pedagogëve.

Tani pas kaq vitesh kur lëkura më është rreshkur dhe qafa më është trashur, ngjyra e teknikëve s'më bën asnjë përshtypje. Por kur isha i fildishtë, 17, ato fjalë, pasi ma çpuan tejpërtej kokën, më mbetën për gjithë jetën vëth në vesh.

Desha të uluras sa të tundej Dajti dhe të trembej Ndroqi:
-Shoku Kryeministër, ku gjithçka është e zezë, si mund të ketë teknik të kuq ? Kam nja tre a katër vjet që dua të arratisem. Po s'u arratisa, shkollën do e kryej. Por teknik i kuq nuk bëhem. Harroje. Po s'e harrove, sëmuresh. Dhe veten vret.

Dikush më solli në vete nga këto ëndërrime duke më rënë në sup. Ik, tha, urgjent në ofiçinë.
Ofiçinën e kisha si ushtari llogoren. Përveç ditës më të lumtur të javës që ishte dita e praktikës, në ofiçinë shkoja çdo ditë nga mesdita në mesnatë. Atje punoja, atje mësoja, atje mbrohesha, atje heshtja, qeshja, qaja.

Me të arritur në ofiçinë, më dhanë të vesh një kominoshe të re si të skuadroneve të proletarëve te 1984 i George Orwellit. Më thanë të pres para tornos kryesore, tornos ruse "Красные пролетарии" (Proletarët e Kuq).

U muar vesh se pas pak Kryeministri do vizitonte ofiçinën. Mes tjerash, repartin e tornerisë, tornon e proletarëve të kuq rusë para të cilës Kryeministrin e kuq do e prisja unë tekniku i zi me kominoshe blu.
Para se të arrinte te "Krasni", Kryeministri do kalonte nëpër një korridor të shkurtër dhe të gjërë ku do përururonte një shkoqëse kallinjsh misri. Shkoqësja disgustoze me nofulla gize e shekullit të kaluar, dukej si diagaç i luftës së parë botërore.

Haberi për diçka të pakëndëshme që kishte ndodhur kur Kryeministri kishte kqyrur shkoqësen, arriti në torneri me shpejtësi supersonike, më përpara se Kryeministri dhe shpura e tij.
Pasi paskej pritur që shkoqësja e kallamoqit të shkoqte një kalli, Kryeministri kishte shqiptuar fjalët e frikshme:

-Nga 1 kalli misri që shkoqi kjo karrakatinë, 10 kokrra i hodhi në dysheme. Sa kokrra misri humbasim po të shkoqim 1 ton kallamoq me këtë vjetërsirë ? Nuk dini as nuk doni të punoni. Jeni borgjezuar. Duhet të shkoni të tretni dhjamrat nëpër fshatra me baltra.

Nga shkoqësja, drejt e te tornoja sovjetike, Kryeministri i kuq gjak, shtrëngoi duart me teknikun e zi qymyr me kominoshe blu.
Rretherrotull tornos ruse, kamera që fimuan shtrëngimin e dorës së kuqe me dorën e zezë për një dokumentar të ardhshëm me rastin e vizitës.
Lakej me laps e letër në duar duke marrë shënime.

Teknik të kuq nxënësa moshatarë me teknikun e zi, zhytur në ekstazë revolte: Ne që i kemi prindërit kuadro në Komitetin Qëndror, drejtora në Komitetin Ekzekutiv, oficera në Sigurim, nuk është e drejtë, nuk është parimore, nuk ështe marksiste leniniste, të rrimë duarkryq kur Kryeministri shtrëngon duart me një sorollop kolaboracionistash. Lepale por po e marrin dhe në film. Do ankohemi. Do protestojmë. Do shkruajmë letra anonime. S'do lemë yll në qiell pa fikur për tu kujtuar edhe një herë masave punonjëse se armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet.

Shtrëngimi i duarve të ftohta, kamerat e qelqta, gjymtyrët e ngrira, surratet e mpira, buzëqeshjet e shtirura, pardesytë e lagura, kasketat e rrasura, ma kallën datën.
Punoja si i marrë. Punoja dhe heshtja. Punoja dhe qepja gojën. Romani E Kuqja dhe e Zeza s'është ai i Stendalit. Është ky i imi me tornon e kuqe që më bëri teknik të zi.
Pasi hodhi një herë sytë rrotull, Kryeministri mu drejtua, fjalpërfjalë:

-Ku do punosh kur ta mbarosh shkollën ?
Për një çast më vetëtiu t'i them "Ku të më hedhin...si rraqe, si leckë, si kockë". Se kur të degnisnin me punë diku, ose të syrgjynosnin ushtar, kështu thoshin: "Filanin e hodhën me punë në Leskovik". Ose "Fistekun e hodhën ushtar në Kukës".

Pas përgjigjes imagjinare me kunj, shqiptova klishenë shpëtimtare:
-Ku të ketë nevojë Atdheu.
Kryeministri bëri një gjest mosbesues gjysëm ironik gjysëm qesharak tip: posi ore posi, na mbushe mendjen, nuk ma hedh dot mua, dhe u largua.
Un gënjeva për pritshmërinë e punësimit pas mbarimit të shkollës.
Ai, Kryeministri, u tall dhe kërcënoi në korridor me shkoqësen e misrit dhe me pyetjen klishè ku do punoja.
Letargut që priste të ngrohej moti, ky bilanc i mjaftoi.
Teknik i kuq, torno e kuqe, proletar i kuq, kënd i kuq, gjak i kuq, ishin të gjitha rrena, fantazira, kllapira, broçkulla.
E vërtetë ishte se Teknik i zi isha, inxhinier i zi u bëra.
Ata të kuq dhe të kotë. Un i vërtetë dhe i zi.
Sot e mot e përgjithmonë. Falë motorrit që e ngriti dhe mbajti gjallë atë shkollë, Harry Fultzit.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • DERRAT...: 12/02/2024 17:42

    Hë mo dhe ti, me një vrimë i bie fyllit. Ishte ai "Tekniku i Kuq" që i ngriti shqiptarët nga balta e mizerja shekullore që i kishte kapluar dhe që kishin ngelur vetëm 800.000 njerëz nga censusi i 1930-tës akoma gjallë. Të mbuluar me injorancë të skajshme, veremli e të kërrusur, sifilitikë e malarikë në masë, që dukeshin në moshën 20 vjeçare si 50 vjeçarë, pa rrugë e ura, pa qytete e shkolla, pa industri e teknollogji që jo e jo e PA TË GJITHA... ishte ai KOMUNIZMI që i ngriti nga 'Vdekja e Zhdukja e Sigurtë" dhe i bëri edhe me industri edhe me agroteknikë të lartë edhe me rrugë e ura, po edhe me hekurudha dhe Hidrocentrale Madhështore. I bëri edhe me Akademi të Shkencave ato fshatarë të rrëgjuar?!!.... Dhe me të tjera që smund të numWrohen të gjitha... Mos harroni ELEKTRIFIKIMIN E PLOTË TË VËNDIT, që deri atëhere s'kishte pasur as pishë e qirinj për të gjithë dhe... u bënë 'loçet', në zgrip të mbijetesës e të akzistencës edhe ta shajnë e të shfryjnë kundër SISTEMIT TË SHËNJTË KOMUNIST?!!!... Mirë, jeni derra të fëlliqur që ju pëlqen të zhyteni e të llapashiteni në llucrat, papastërtitë e batërtitë e tmerrshme te kapitalizmit të ndyrë, por të paktën mos e lakoni atë SISTEM TË SHËNJTË, që natyrisht, mëndjet e juaja gjysmake dhe të sëmuara dhe shpirti juaj diabolik (n.q.s. keni ndopak shpirt??!!!), nuk mund që ta arrijnë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?