Edison Ypi

Edison Ypi: Manjola

14 Gusht 2023, 15:05| Përditesimi: 14 Gusht 2023, 15:11

  • Share

Asokohe gocat e bukura nuk ishin si gocat e sotme, me mijëra, të gjitha të njëllojta, me pantallonat si breçka, gjysmat e sisëve përjashta.

Goca të bukura në Tiranë ishin pak. Secila nurin e vet. Secila magjinë e vet.

Prej tyre, më e hatashmja, më marramendësja, më qiellorja, qè Manjola.

Manjola kalonte rrugës dhe nuk kuptohej nëse vinte apo ikte, ecte apo vraponte, vallzonte apo fluturonte.

Manjola nuk ishte shtatlartë, me sy jeshil, gjoks të kërcyer, këmbë të drejta, fytyrë vezake, tipare të simetrike.

Manjola ishte mpleksje qiellore e një pafundësie hiresh femërore. Manjola ishte e bukur e tëra. Manjola ishte vetë bukuria.

Shkollari, studenti, nëpunësi, inginieri, profesori, doktori, oficeri, ushtari, polici, pensionisti, komunisti, disidenti, spiuni, pijaneci, kur kalonte Manjola u ndalte fryma, u ngadalësohej zemra, mpiheshin, ngrinin.

Manjola ishte një Circe që kush i dilte para e guroste.

Para Manjolës nuk e dalloje dot komunistin nga disidenti, ishullarin nga spiuni, injorantin nga dijetari.

Manjolën e lakmonin të gjithë. Por askush nuk e kishte të qartë pse i duhej Manjola, çfarë priste nga Manjola.

Manjola nuk i duhej askujt për ta pasur, ta zemë, shoqe. Manjola s'kishte asgjë prej shoqe klase, shoqe konvikti, shoqe pune, shoqe aksioni, shoqe ideali, aq më pak shoqe armësh, e kurrën e kurrës shoqe partie.

Ta bëje Manjolën mikeshë, as kjo s'mund të pretendohej. Atëhere s'kishte miq e mikesha, kishte vetëm shokë e shoqe.

Të synoje ta merrje për grua, Manjola eterike nuk mund të përfytyrohej duke larë kova dhe tasa, trazuar groshë, tëhollur petë.

Për ta pasur të dashur po. Por me një kusht: Si meritonte Manjola ! Si nëpër libra, si nëpër filma, si nëpër ëndërra.

Këtu sharra ngecte. Ku ta sajdisje, t'i flisje, ta puthje, ta përkëdhelje Manjolën eterike ?

Lokale s'kishte. Kinematë ishin plot me zhulsa. Rrugët plot me proletarë ulçerozë surratnxirë që mburreshin se ishin "klasë në fuqi", spiuna që të ndiqnin këmba këmbës, ushtarë që të ngjiteshin e s'të shqiteshin. Pra Manjolën e fundbotshme s'mund ta kishe as të dashur.

Megjithatë nuk epeshin.

Secili betohej se sado të larta të ishin pengesat, sado e vështirë të ishte rruga, sado i gjatë të ishte kalvari, një ditë Manjolën do ta kishte, një ditë Manjolën do ta puthte, një ditë Manjolën do ta depërtonte. Në mos, do ta rrëmbente. Do ikte. Do gjente një skutë në fund të botës, një kafene, një shetitore, një park të gjelbër, një stol për tu ulur, një rast për ta përkëdhelur, një moment për ta puthur Manjolën mjegullore.

Një ishullar thoshte; Do arratisem. Do më vrasin mbi telat me gjëmba. Do ma flakin kufomën e mbytur në gjak "jashtë shtetit" matanë telave në një hendek. Do ngrihem natën nga hendeku me baltë varri nëpër trup. Do pastrohem në një krua. Do kthehem "brenda shtetit". Do ta rrëmbej Manjolën si vëllai i vdekur motrën e gjallë.

Kot e lodhnin mendjen. Për ta patur Manjolën nuk ishin problem rrethanat, problem ishte koha.

Ta bëje Manjolën tënden "tani" ishte e pamundur. Manjola e fundbotshme nuk mund të mos kishte një të dashur.

Manjolën nuk mund ta kishe as "pak më vonë" kur Manjolës s'dihej si mund t'i vente filli.

As "shumë më vonë" kur ta gjeje me ment çfarë do ndodhte më pas imagjinata nuk mjaftonte.

Kohët për ta pasur Manjolën, mbeteshin dy; Para se të lindëte, ose pasi të vdiste. Pra Manjolën nuk mund ta dashuroje, Manjolën vetëm mund ta ëndërroje.

Adhuruesit e Manjolës, pasi këtë Fat të zi e pranonin, pasi këtij destini të kobshëm i nënështroheshin, arratiseshin nëpër qiejt e ëmbël të vetmjaftueshmërisë që Perëndia ja fal çdo mashkulli që një femër e dëshiron por nuk mund ta ketë.

Kishte dhe të paduruar që fill pasi shihnin Manjolën fluide i vërsuleshin nënës së kalamajve. Ja mbulonin fytyrën me Zërin e Popullit. E mbarsnin mes gulçeve duke lexuar habere mbi fitoret, tejkalimin e planeve, urratë e parakalimeve.

Të tjerë, në mungesë të gruas, iknin për të rënë përmbys ku të mundnin, mbi lavire, jevga, zuska, kurva, karaputana.

Një i marrosur pas Manjolës, pasi u rropat disa muaj mbi regjistrat anagrafikë, doli në përfundimin se një numuri të konsiderueshëm datëlindjesh po t'i zbrisje nëntë muaj koincidonte me datat e daljeve të Manjolës shetitje. Çka dëshmonte se bijtë dhe bijat në fjalë ishin ngjizur me pasionin e babait për Manjolën, ndërsa nënat e tyre kishin qënë thjesht kontenitore të spermës.

Hulumtuesi ja kishte konfiduar këtë fakt disa miqve duke cilësuar me emra dhe mbiemra etër të lumtur që bijtë nuk i kishin me gratë e tyre por me Manjolën, si dhe bij dhe bija të ngazëllyer nga fakti se nuk ishin bastardë të ngjizur me shurrë mëngjezi por bij pasioni të babait me Manjolën drithëruese.

Nënat ndjeheshin gjithashtu të lumtura që nuk ishin mbarsur nën duhma konjaku të skaduar rrëkëllyer te barraka e lagjes, por nën gulçe me përfytyrim Manjole.

Më llaftarisëse se udhëtimet me të vdekur e të gjallë mbi kalë, më makabër se plumbi tipografik i Zërit të Popullit mbi fytyrën e gruas gjatë mbarsjes, ajo që bënte djemtë të vajtonin fshehtas dhe burrat të ftoheshin me gratë ishte pamundësia për ta shkurtuar distancën me Manjolën.

Manjolën, sa më tepër ta lakmoje aq më qartë shihje se një tjetër bënte të njëjtën gjë. Që do të thoshte se kishe zbuluar hasmin. Të cilin edhe mund ta vrisje. Por nuk ishte 1. Në gjysmën e Tiranës nga bulevardi në Kino Studio ku Manjola ishte më e magjishmja, hasmët ishin me qindra. Nuk i vrisje dot të gjithë. Çfarë të mbetej të bëje ishte të qaje, të ulurije, të çirrje fytyrën me thonj, ose të vazhdoje të ëndërroje duke u dridhur brenda ndonjë bunkeri.

Ku ndodhet sot Manjola ?

Ca thonë shtatë male kaptuar.

Ca përtej tet' deteve me dallgë.

Të tjerë, nëntë qiej një mbi një.

Ka dhe që thonë se Manjolën është e kotë ta kërkosh: Ishte një mjegull që duket kur ikën dhe zhduket kur vjen, një flu' e rrokshme, një rënkim i ëmbël, një dhimbje e pafundme, një ankth i bukur që ke qef ta vuash.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • kujtimi: 14/08/2023 17:50

    shkrim i mire,,,na kujton bukurite e viteve 80-90....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?