Rama me drejtuesit e ri të disa prej institucioneve

Edi Rama: Koha për çeljen e një kapitulli të ri në rrugën e ndryshimit dhe modernizimit të Policisë së Shtetit

7 Shtator 2022, 18:03| Përditesimi: 7 Shtator 2022, 18:08

  • Share

Se kam harruar akoma ngjarjen tragjike të Himarës, ku vogëlushja e pafajshme humbi jetën nga goditja fatale e një skafi në bregun e detit. Dhe sot kur vala e madhe e reagimeve mbi plagën e sapo hapur është fashitur, por edhe meqenëse jemi pikërisht këtu në Ministrinë e Brendshme në një moment ndryshimi në Policinë e Shtetit, kam deshirë të ndaj një reflektim me publikun dhe natyrisht me ju që jeni gjithë skuadra drejtuese e ministrisë dhe e policisë. Dhimbja për një jetë aq të re të rrëmbyer aq egërsisht nga një shkelje aq e papërgjegjshme e rregullave sinqerisht më ka gërryer me ditë dhe me netë. Edhe kur i shkruajta dhe tani që po i lexoj këto rreshta prapë kam një ndjenjë shumë të fortë revolte për faktin se shkelësi, i cili u kthye në vrasës nuk ishte një pushues i zakonshëm, por ishte një punonjës policie që normalisht edhe si pushues duhet të jetë shembulli i respektit për ligjin dhe për rregullin. Ky fakt, besoj e bëri tragjedinë, jo vetëm për prindërit dhe familjarët e vogëlushes, por për çdo shqiptar, jo thjeshtë të dhimbshme, sicc do të ishte gjithsesi, pavarësisht se kush ishte autori, por edhe shumë revoltuese për shkak pikërisht të autorit. Dhe ajo tragjedi nuk kishte, nuk do të ketë dhe nuk ka dot sot asnjë ngushëllim se s’ka si të ketë ngushëllim për familjen e një fëmije viktimë, ama është vendi të thuhet besoj se dhe në kulmin e një dhimbjeje esktreme, ajo familje e thjeshtë tregoi një vetëpërmbajtje të hatashme, esencën e traditës më të mirë shqiptare, duke kërkuar madje mos politizimin e fatkeqësisë. Dhe përulësisht respekt për ta që edhe në kulmin e përballjes me plagën më të pangushëllueshme qëndruan aq njerëzisht lart.  Nga ana tjetër, ishte vërtet një neveri e gjallë sesi më të pangushëllueshmit e të pangushëllueshmëve u shfaqën ulëritësit profesionistë, në politikë dhe në media, a thua se vogëlushja fatkeqe iku nga kjo botë për të furnizuar me gjakun e saj engjëllor makinerinë djallëzore të urrejtjes që nuk rresht së xhiruari. Janë po ata, madje jo vetëm s’dua të merrem me ata, por arsyeja pse i sjell këtu është se dua ta them publikisht me keqardhje që bëra gabim që u mora në reagimin e parë menjëherë pas ngjarjes dhe krijova pa dashje dhe keqkuptimin se e kisha me gjithë ata që me plot të drejtë ishin të tronditur dhe të revoltuar njësoj siç isha dhe unë vet. Por në fakt nuk ishte kështu dhe të gjithë ata duhet ta dinë që, jo vetëm i kam mirëkuptuar, por madje me veten time në heshtje i kam përgëzuar me respekt dhe ata djem e vajza që u vetorganizuan në rrjete sociale për të dalë në një protestë paqësore qytetare këtu para Ministrisë së Brendshme pavarësisht se përsëri ai soj për të cilën fola e shkatërroi dhe atë protestë. Natyrisht, nuk isha dakord me opinionin e tyre që vogëlushen e vrau shteti, por ndaj me ta dhimbjen për ngjarjen dhe revoltën për disa nga pse-të ngjarjes përtej fatalitetit. Dhe hyrja me këtë fjalë për këtë tragjedi ka lidhje me nevojën për ta pasur parasysh qoftë kontekstin e udhëkryqit ku gjendet policia në muajt e fundit, qoftë në natyrën e sfidës që ka policia për ta kapërcyer me sukses këtë udhëkryq dhe për të shkuar më tej përpara.

Dua të ngre këtu një pyetje pasi e kam pyetur veten në fakt shumë shpesh. A ishte ai individ i paudhë me skafin e tij vrastar shëmbëlltyra e sotme e policisë së shtetit?  Sepse nga kjo pyetje me përgjigjen e saj vazhdon në dy rrugë krejt të ndryshme dhe jo paralele pastaj arsyetimi. Dhe unë them jo. As ai, që uroj të marrë ndëshkimin më esktrem, pikërisht pse ishte dhe oficer policie dhe as të tjerë individë, të cilët vetë Agjencia e Mbikëqyrjes policore i ndjek, i heton, i ndalon brenda uniformave blu, ja dorëzon drejtësisë, - nuk janë shëmbëlltyra e policisë së shtetit. Ata janë thjeshtë, jashtë mbetje të një organizmi që është në transformim ku paudhësitë dhe të paudhët brenda llojit nuk mungojnë, por pa diskutim luftohen dhe luftohen më shumë se asnjëherë më parë, edhe pse le ta themi që në muajt e fundit kanë marrë një lloj hovi, të paudhët dhe paudhësit brenda llojit në policinë e shtetit, një hov që duhet prerë sa më parë me forcën e ligjit dhe të disiplinës ushtarake. Dhe përfitoj nga rasti këtu ta them, diçka që jam i bindur nuk e di askush në opinionin publik se kjo është punë e brendshme, jo për bujë, por për punë, që falë angazhimit të trupës dhe drejtimit professional, por dhe të vendosur të Agjencinë se mbikëqyrjes policore nga Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë, vetëm nga janari në qershor të këtij viti janë dënuar me burg, më vendim gjykate 29 punonjës policie, me arrest shtëpie 31 të tjerë dhe 23 të tjerë akoma me masë të ndalimit të ushtrimit të çdo detyre dhe shërbimi publik dhe 12 nga këta të ndëshkuar për shkelje të natyrave të ndryshme janë ish-shefa komisariatesh apo sektorësh dhe madje edhe një drejtor. Pra, prerja e druve të shtrembër në rreshtat e të gjatë e të drejtë të policisë së shtetit është pjesë e pandashme e rritjes dhe fuqizimit të mëtejshëm të saj dhe ky është një stad tjetër, një standard i ri, i pamendueshëm deri disa vite më pare, të cilin e ka sjellë pikërisht një politikë e re me policinë e shtetit, që nga rekrutimi, tanimë prej kohesh pa parti, pa krushqi pa ryshfet, tek shkollimi i rikthyer në sistem pas asaj mbylljes absurde të Akademisë së Policisë e deri të trajtimi, monitorimi i punonjësve të policisë, pa folur për trajtimin e tyre, pagat apo uniformat që janë sot, si dita me natën, megjithëse pagat ka ardhur koha të rriten përsëri dhe do t’i rrisim menjëherë do t’i rrisim, sidomos për nivelin bazë. 

Por thënë kjo, që do të thotë në thelb, se pavarësisht se çfarë thuhet dhe gjithmonë do thuhet për fat të keq, nuk ka pasur kurrë në historinë e policisë së shtetit, një raport si ky që ne kemi vendosur me policinë e shtetit, një raport respekti, raport besimi dhe raport i bazuar tek mbështetja e plotë politike e të gjithë drejtuesve të përgjithshëm të policisë së shtetit, pa përjashtim. Ky është fakt, ashku sikundër është fakt që ka dru të shtrembër, shtrembësia e të cilëve ka rënë në sy sidomos në periudhën e fundit që duhen prerë dhe ka akoma shumë rrugë për të bërë drejt atij niveli, drejt asaj maje, ku duhet dhe duam ta ngjisim këtë trup në shërbim të qytetarëve dhe vendit tone, pa harruar gjithësesi,dhe këtu dua ta kujtoj për të gjithë ata që na ndjekin, se kjo është një luftë e përditshme e jona dhe e Policisë së Shtetit që Policia e Shtetit vijon të paguajë sot dhe gjithë ditën akoma, kusure sa të duash, një drejtësie të kalbur dhe të korruptuar, e cila po pastrohet hap pas hapi, nga lart poshtë, por poshtë aty ku merren vendime të përditshme që lidhen me veprimtarinë e policisë së shtetit, është ende e mbytur  nga llumi.  

Sa e sa janë rastet që mund t’i numërojnë drejtuesit e policisë që janë këtu se i kanë  pasur në kurriz, raste të dhimbshme gjithë këto vite, raste kur policia ka harxhuar kohë, ka harxhuar energji madje ka rrezikuar edhe jetën për tiu hedhur hekurat atyre që gjykatat u kanë rrahur shpatullat, vrasës, përdhunues, dhunues në familje dhe i kanë nxjerrë në liri për të rikryer të njëjtat krime, identike.  Dhe është mirë ta dinë të gjithë që edhe i ai i paudhi I Himarës nuk duhet të ishte në policinë e shtetit, jo për atë që bëri, por sepse Agjensia e Mbikqyrjes policore e pati çuar në prokurori për t’u ndjekur penalisht pë shkelje të ligjit, ai.  Gjykata e rikthen në detyrë dhe një prokuror që më pas mori atë që i takonte dhe që meritonte u shkarkua nga Vetingu, jo për këtë rast, por sepse ishte një llum, ia  mbylli përfundimisht çështjen dhe e pafajësoi edhe e zbardhi komplet, duke e rifutur në trupën policore që nuk ka ça bën tjetër përveçse të hap derën kur tjetri del si dhunes i ligjit dhe rikthehet si i pastër dhe i pafajshëm nga njerëzit e ligjit.  Këto nuk janë justifikime, këto janë fakte, këto janë skandale, të cilat policia i vuan, pjesa dërrmuese e policisë që jeton me profesionin, jeton me pasionin e punës dhe drejtuesve të saj, i vuan. Ne këtu, qoftë drejtuesi i radhës i Ministrisë së Brendshme apo unë, i vuajmë  dhe marrim kosto të pamerituara në këtë rast dhe për këto arsye, ne u angazhuam si asnjëherë më përpara edhe për shkak të eksperiencës që nga shtatori i shkuar që ky të ishte sezoni turistik më i miri, më i pastri dhe më i sigurti dhe nga Velipoja në Sarandë, falë një angazhimi maksimal të ministres së Turimit dhe ministrisë së Turizmit, bashkë me bashkitë dhe kryetarët e bashkive, kemi një bregdet dhe rrugë turistike si asnjëherë më parë, si asnjëherë më parë për herë të parë Shqipëria nuk ka dalë në asnjë media ndërkombëtare si vend i pistë, i ndotur nga njerëzit me plehra këtu dhe me plehra atje. 

Të gjithë e kanë vënë re, ashtu sikundër një rrjet i tërë vëzhguesish nëpër plazhe, ushtria, u mirëorganizua, ka akoma shumë punë për ta, por faktikisht si asnjë vit më parë, plazhet publike të garantuara, edhe falë punës me policinë e shtetit si asnjë sezon më pare, por duhet ta pranojmë sot që zhvillimi i shpejtë I trafikut ujor bashkë me rritjen dhe zhvillimin e turizmit na ka vënë si asnjë vit më parë në vështirësi serioze këtë vit, me një numër shumë të shtuar mjetesh ujore në një vend, në Shqipëri që se kemi as traditën, as trashëgiminë e kulturës së detit, as sensin e masës e përdorimit të mjeteve të ujit që vitet e fundit janë shtuar shumë, duke u bërë gjithnjë e më problematike dhe pavarësisht se u vendosën rregulla, u bë një plan i detajuar masash, u bënë instruktime të vazhdueshme, përdoruesit e mjeteve të ujit janë shfaqur të gjithë, thuajse të gjithë si shkelës rregullash dhe trupat policore të kufirit që mbulojnë këtë pjesë të aktivitetit turistik nuk kanë qënë në lartasinë e duhur, sidomos në bregdetin Jon, ku është edhe faktikisht shfaqja edhe më akute e problemit për shkak edhe të thellësisë së bregut dhe afrimit në breg të të gjithë motorristve të ujit, gjë që solli edhe tragjedinë. Shkarkimi i zinxhirit komandues  në policinë kufitare me në krye drejtorin e asaj trupe ishte vendimi i duhur, por nuk mjafton, prandaj në drejtimin e Zëvendëskryeministres dhe praninë e Ministrit të Brendshëm dhe të disa ministrave të tjerë ka nisur puna për një reformë të plotë strukturore të të gjithë ngrehinës së plotë  që lidhet me detin. 

Është një lëmsh absolut, ishte i padukshëm deri dje, deti deri vonë ka qenë i vdekur, edhe komardaret ishin vënë në moratorium, por çdo vit e më shumë, duke u rritur ky aktivitet në det, dhe kur deti po hyn gjithnjë e më shumë në ekonominë e turizmit dhe jo vetëm, ky është një lëmsh që është kthyer në një pengesë reale. Janë 6 ministri dhe janë 7 institucione që kanë kompentencat e tyre në det dhe mbivendosen, përplasen me njëra-tjetrën dhe kjo situatë duhet të marri fund, jo mbas disa vitesh, por qysh në sezonin e ardhshëm, duke e bazuar në modele të mira, duke e fuqizuar rolin e rojeve bregdetare, duke hequr një pjesë të madhe të këtyre ministrive dhe institucioneve nga punët e detit. Po ashtu, i kam kërkuar ministrit që të krijojmë një njësi speciale policore, të cilën do ta quajmë “Jonada” dhe vitin e ardhshëm të jetë aktive në monitorimin e plazheve, nga uji dhe nga ajri. Me mjete ujore të modernizuara dhe me dron për të garantuar siguri të plotë në ujë për pushuesit duke imponuar rregullat e lëvizjes mjeteve ujore dhe njëkohësish pa ju rënë në qafë për inerci të gjithë atyre që vizitojnë Shqipërinë, përmes ujrave territoriale dhe që nuk kanë asnjë arsye që të shohin polic me sy për sa kohë nuk kërcënojnë asgjë. S’dua ta zgjas këtu për të thënë që ky hall me mjetet e ujit nuk është sidoqoftë vetëm në Shqipëri. Këtë hall me mjetet e ujit, me aksidentet e ujit e kanë edhe vende që kanë shumë vite eksperience në kurriz, ndryshe nga ne që s’kemi eksperiencë.

Por dua të ngrej një pyetje që mendoj është e rëndësishme: Në cilin vend zhvillimi ka ardhur pa sjellë me vete edhe dëme edhe fatkeqësi?! Sa aksidente rrugore kishte kur nuk lejoheshin makinat private dhe kur askush nuk hynte me makinë në Shqipëri?! Besoj, kush ka qenë i ri në karrierë në atë kohë dhe është sot këtu, nuk do thotë dot më shumë sesa me gishtat e dorës besoj. S’kishte makina. Po zgjerimi i rrugëve, po rritja e shpejtësisë, sa aksidente më shumë solli?! Po rritja gjithnjë e më shumë e numrit të makinave më të mira, më të shpejta sa e rriti numrin e aksidenteve në rrugë?! Pse i them këto? Jo për të justifikuar çfarëdoqoftë, por për të thënë që të shkruash ligje, të shkruash rregulla nuk mjafton. Duhet shumë vullnet, duhet shumë këmbëngulje, duhet shumë durim, duhet aftësi duhet dhe kohë. Ligjshmëria nuk vihet me urdhër të peshkut. Kultura e ligjit nuk ngrihet aq kollaj sa një pallat, po dhe një pallat i do disa vite për t’u ngritur e për t’u bërë i banueshëm, ama një gjë është e sigurtë që për ta ndërtuar kulturën e ligjit më shpejt, duhet ta mishërojnë atë njerëzit e ligjit dhe në rastin e drejtësisë dhe të gjykatësve e prokurorëve, e dinë që ky është një proces që do kërkojë kohë dhe do vazhdojë të na kërkojë të paguajmë me dhimje ndodhira nga më të ndryshmet, po në rastin e Policisë së Shtetit, duhet të bëhemi të prerë që figura e oficerit të Policisë, e punonjësit të Policisë duhet ta mishërojë kulturën e ligjit. Ne kemi hyrë prej disa vitesh në trajektoren, në zbritje të aksidenteve rrugore. Ky është fakt sepse është rritur cilësia e sigurisë në akset rrugore, është forcuar kontrolli, edhe përmes makinave inteligjente të matjes së shpejtësisë, por është rritur shumë cilësia e procesit të dhënies së lejeve të drejtimit e kolaudimit e certifikimit të makinave, të automjeteve si dhe  patjetër mbas kaq vitesh, është rritur dhe ndërgjegjësimi i vetë drejtuesve të mjeteve. Unë e di shumë mirë që ka disa që as nuk duan t’i dëgjojnë shifrat, po ne shifrat kemi që të orientohemi në terrenin e fakteve se nga ku vijmë, ku jemi dhe ku mund dhe duhet të shkojmë.

Prandaj le të kujtojmë që në vitin 2012, kishim 334 të vdekur nga aksidentet rrugore, në vit. Që do të thotë, çdo ditë, pak a shumë, përveç disa të dielave, 334! Vjet kishim nën 200 persona. Këtë vit, deri tani kemi ose më saktë numrin e kam marrë deri pak javë përpara, 95 dhe Shqipëria i ka përjetuar dhe i përjeton të shtrira më vonë në kohë pasojat e zhvillimeve, të cilat të tjerët i kanë përjetuar shumë kohë para nesh ose më gradualisht sesa ne sepse nuk kanë qenë si ne, totalisht të izoluar, pa makina, pa mjete, pa pronë private, pa asgjë, në rënie të vazhdueshme, dhe këtu dua të qëndroj një sekondë, është e trajektorja e vrasjeve sepse një gjë është që çdo vrasje është një e keqe e parelativizueshme, po një gjë tjetër është që të bombardohet opinioni nga ulërritësit profesionistë që këtu kemi arritur aty ku s’mban më. Që këtu vriten njerëz përditë, jo, jo! Fare! E kundërta është e vërtetë dhe shifrat flasin me kokfortësi. Në vitin 2012 janë vrarë 125 njerëz dhe krahasimisht gjatë këtyre viteve, shifra e vrasjeve është përgjysmuar dhe nëse vjet deri në fund të korrikut kishim 38 vrasje, sivjet kishim vetëm 30 dhe ky vit si shtatë mujor, ishte viti me numrin më të ulët të vrasjeve në 30 vjet. Ky është fakt, s’është opinioni im. Po kjo nuk do të thotë që vrasjet dhe sidomos mënyra dhe vendodhja e tyre nuk janë problem, madje janë problem serioz dhe sidomos kur bëhet fjalë për shkakun kryesor të vrasjeve më të bujshme që është ngrenia e kokave mes zullumit të shoqërisë nëpër rrugët e vendit dhe pavarësisht se po ta shohësh edhe tabelën e të dhënave të krimit me pasojë jetën e njeriut në Europë, Shqipëria është ngjitur drejt mesatares europianë, nuk po përmend shtete që mos fillojnë “meme-t”, po le ta shikojnë tabelën. Jemi drejt mesatares europiane dhe disa nga vendet e Bashkimit Europian kanë më shumë vrasje, ndërkohë që disa nga vendet e rajonit kanë më pak sesa ne. 

Kur morëm ne detyrën, Shqipëria nuk dukej fare. Ishte nën fundin e pusit sepse 125 vrasje në vit janë jashtë çdo lloj krahasimi me kuadrin europian, por gushti që na solli dhe këtu ku jemi sot sëbashku, ishte një befasi alarmuese. Një situatë e rënduar jo vetëm me vrasjet, s’janë vetëm vrasjet, por edhe disa shenja të tjera shqetësuese pavasirsisht se krahasimisht me vitet e mëparshme në aspektin statistikor me gjithë vrasjet e gushtit, ky vazhdon të jetë viti me numrin më të ulët, po me një diferencë të vogël tanimë me vitet e mëparshme, kjo nuk e ndryshon faktin se ky gusht dhe gjithçka ka ndodhur në këtë gusht duhet të shërbejë si shuplakë për tu ngritur në këmbë dhe për të vrapuar drejt objektivave shumë më ambiciozë për Policinë e Shtetit. A është e mundur dhe si është e mundur për shembull, që Policia e Shtetit, akoma sot, tani që flasim, nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri? Unë nuk e kam dëgjuar. Është e papranueshme që me javë të tëra, mëngjeset dhe darkat e shqiptarëve, ekran më ekran e faqe më faqe janë bërë si një Big Brother i kronikës së zezë. Jo u vra, jo nuk u vra, ai që ishte i shumëkërkuar nga drejtësia dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit, lloj-lloj legjendash, me luanë, me bamirës, me oligarkë, shto ujë e shto miell, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit shqiptar. Dhe Policia e Shtetit sot nuk di ta thotë akoma, ore u vra apo nuk u vra? Kush e ka penguar ta thotë?

Drejtori i Policisë së Shtetit që merr sot detyrën, si një nga oficerët me eksperiencën më të gjatë në shkallët e karrierës policore, duhet të sigurohet e të sigurojë që kjo dilemë të marrë fund, sa më parë, e nëse i kërkuari është vrarë, t’i thuhet publikut që ky është vrarë, nëse nuk është vrarë, të gjendet, të kapet e ti jepet drejtësisë. Është e papranueshme që të zbulohen në vitin 2022 parcela me kanabis, për të cilat për më tepër u është thënë më parë partnerëve tanë të çmuar italianë, se pamjet fotografike të avionëve të tyre janë të paqarta. Kanabisi i paligjshëm nuk duhet të ketë e nuk ka arsye të ketë shans më në këtë vend pasi faktikisht drejtuesi i mëparshëm i Policisë, përpara atij që zëvendësohet sot, e la fushën të pastër, jo bazuar në ato që thoshte apo thonin oficerët e Policisë por bazuar pikërisht tek partnerët italianë, tek ato fotografitë që ishin shumë të qarta e janë shumë të qarta. Le të jemi të qartë sot këtu në sy të publikut. Sot fushë me kanabis përjashto disa rrënjë nëpër shkrepa, por fushë si ato fusha që u zbuluan për të cilat partnerët italianë thonin i keni aty, e nga këtu, nga Policia u thuhej nuk janë të qarta, mund të mbillen vetëm me bekimin e shefit të komisariatit dhe të kujt i mbron atij kurrizin, shpatullat, gjoksin, si të doni merreni, në këmbim të haraçit natyrisht se nuk ka asnjë mundësi tjetër.

Është e papranueshme që të imagjinohet e jo më të ndodhi që të sulmohen biznese, nga pikërisht ai segment i policisë së shtetit që duhet të merret me krimin ekonomik dhe kjo mund të ndodhë vetëm kur trimat që marrin pjesë në këtë reprezalje banditeske në dyert e bizneseve, kanë bekimin e shefit apo të shefit të shefit të tyre, se nuk ka si të ndodhë ndryshe. Prandaj pastrimi i mëtejshëm i Policisë duhet të fokusohet tek shefat që japin bekime në këmbim të haraçeve dhe që e kanë vendin në burg, jo në komisariat, jo në drejtori e jo në rreshtat e parë të Policisë së Shtetit, se kush i sheh nga punonjësit e policisë, nuk kupton më asgjë pse duhet ai ose ajo të besojë tek ligji, tek puna, tek profesionalizmi, tek pasioni, tek merita. Ardhja në krye të agjencisë së mbikëqyrjes policore e një oficeri me përvojë në radhët e policisë por dhe me një integritet të pa cënuar gjatë një karriere të tërë policore është një garanci që do të thellohet pastrimi i nisur nga paraardhësi që sot merr detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm.

Më falni, por është e papranueshme që të lulëzojnë katet dhe shtesat pa leje në pallatet që të kamurit ndërtojnë sa në det, sa në rërë, sa dhe në mes të Tiranës, sa dhe këtu ngjitur me sheshin Skënderbej që vetëm nuk bërtet pallati, “shihni sa u zgjata o njerëz me mendje të shkurtër”, po i hyrë gjembë në këmbë, përkundrazi, gjembat më hyjnë mua të parit që jam aksionerë me gjithë këta dhe gjembat pastaj më keq akoma ju hyjnë atyre njerëzve në fshat me duart me kallo që i kap me zell të madh Policia për një mur avllie pa leje apo për një ndryshim çatie pa leje, apo deri dhe qytetarë që, rast konkret, i kapur për shtrim pllakash pa leje. Shtrim pllakash pa leje! Ky është kontrasti më i neveritshëm që mund të bëhet dhe kërkon një adresim të menjëhershëm, të pamëshirshëm do thoja unë, qoftë ndaj këtyre pasunarëve që kanë miliona për kate e për llaç e për tulla e që duhen zmbrapsur menjëherë matanë vijës së kuqe të ligjit, sepse e kanë bërë vijën e ligjit si një litar që kërcejnë me lloj-lloj marifetesh, qoftë dhe ndaj punonjësve të policisë dhe inspektorëve të lloj-llojshëm, që qytetarëve u tregojnë dhëmbët, ndërsa pasanikëve ju puthin këmbët për ca lekë të qelbura.

Policia e Shtetit duhet të angazhohet fuqishëm dhe të mbështesë një operacion të drejtuar nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, me Entin Kombëtar të Banesave, me Bashkitë e përfshira, duke filluar nga Bashkia e Tiranës. Bazuar në vendimin e sotëm të Këshillit të Ministrave, me synim shembjen ose konfiskimin për interes publik të të gjitha sipërfaqeve në pallate, qendra biznesi, hotele të ndërtuara në shkelje të ligjit. Këtë shkruan ligji dhe kjo nuk është zbatuar. Të gjitha katet apo metrat katrorë që do të konfiskohen do të shkojnë për strehim social apo për mjedise pune për institucionet, se kemi akoma institucione që rrinë me qera. Paguajnë qera nga lekët e taksapaguesve ndërkohë që nga 4 apo 5 mijë metra katrorë janë këtu, ngjitur me sheshin Skënderbej, në vend perfekt. Do ti marrim, ose do të na i japin dhe këtu do ti bëj thirrje ndërtuesve të përfshirë në këtë çorbë në kurriz të ligjit, që as të mos tentojnë fare të përdorin blerësit apo klientët. Blerësit e apartamenteve apo klientët e zyrave apo të hoteleve si pengje. As mos mendojnë se ka rrugëdalje tjetër përveç asaj të ligjit, i cili thotë se ndërtimet pa leje, me qëllim fitimi, nuk flasim për fshatarët që ndërtojnë murin e avllisë midis shtëpisë dhe fermës, nuk flasim për qytetarët që shtrojnë pllaka, flasim për milionerët që ndërtojnë pallate, që ndërtojnë kate pa leje, që hapen majtas e hapen djathtas, shemben ose konfiskohen për interes publik plus paguhet gjobë plus shkohet në ndjekje penale. Ia ka të gjitha bashkë. E kemi miratuar pak kohë më parë por jo aq pak sa të mos kishte hyrë akoma në zbatim. Dhe sot në vendimin e qeverisë iu kemi dhënë të drejtën e parablerjes së metrave katrorë jashtë lejes me çmimin real të tregut jo me atë çmimin që shkojnë deklarojnë atje. S’është ai. Me çmimin real të tregut, ashtu sikundër i kemi dhënë dhe mundësinë ta dhurojnë si një mënyrë për të larë pjesërisht mëkatin, ta dhurojnë për popullin dhe për shtetin çdo kat dhe çdo metër katror shtesë që kanë që t’i krijojnë mundësinë ligjërimit të objektit që do përdoret për të pastrehët apo do përdoret për mjedise pune për shtetin pa shkuar ata vetë ne ndjekje penale. Çdo lek që do mblidhet nga parablerja e mundshme se mund të thonë shiko se këtë e s kam shitur, e ke shitur, blije dhe do e blesh nga populli që përfaqësohet nga shteti dhe vazhdo jepja pastaj klientit, do shkojë shtrenjtë por o kështu ose shko përballu me ligjin, do paguash dhe gjobën dhe do të konfiskohet. Pra fondi, ai që do të mblidhet do të shkojë për shpronësime, shpronësimet tek unaza e re duan lek, këto lek këtu nuk mjaftojnë për të gjitha por një pjesë.

Dhe nëse këta shkelës milionerë do përdorin ndonjë gjykatës së korruptuar për të bllokuar konfiskimin me ato teknikat e sigurimit të padisë siç ka ndodhur me disa raste që s’dua të zgjatem këtu që janë skandaloze, një gjë është e sigurt, ata do bllokojnë veten e tyre në çdo derë të këtij shteti dhe do shuhen si aktorë ekonomikë, do kenë pasoja shumë më të renda sesa humbja apo riblerja apo dhurimi kateve apo i metrave shtesë që as iu takojnë fare, ia kanë marrë qiellit, ia kanë marrë hapësirës anash që s’është e tyre fare.

Boll më ndërto me teorinë e faktit të kryer, korrupto policin korrupto dhe inspektorët dhe në fund futi një legalizim fitimeve marramendëse në rrugë të paligjshme. S’do ketë më kurrë legalizime për kate apo metra katrore pa leje për qëllim fitimi, kurrë, ta harrojnë . Afati ligjor i legalizimit ka skaduar me kohë dhe godinat apo shtesat e ndërtuara pa leje ose ato që janë në ndërtim e sipër vetëm mund të shemben ose të konfiskohen në rast se nuk para blihen apo dhurohen. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet të hapë hetimet për të gjithë punonjësit e policisë që mbulojnë zonat ku  janë ndërtuar gjithë këto kate dhe sipërfaqe pa leje nga gjithë puna e bërë për mbledhjen e materialeve në terren del që ka edhe një pallat komplet pa leje në Tiranë, pallat 7 a 8 kate se nuk më kujtohet dhe natyrisht që shefi i komisariatit në zonën që është ndërtuar ai pallat,  s’ka se si të jetë shef komisariati , nuk ka se si. 

Lartohet përpara syve të të gjithëve një pallat pa leje dhe s’i hyn gjëmb në këmbë. Natyrisht ai pallat tani ose do shembet ose do konfiskohet, ose nuk e di po çështja është që ka një zinxhir dhe unë i mirëkuptoj njerëzit që thonë se pse u kujtuat tani por  në fakt ne nuk jemi kujtuar tani, fare, ne jemi kujtuar që ditën e parë që kemi ardhur në këtë detyrë dhe edhe këtu në këtë fushë ka shumë më pak shkelje sot se në të shkuarën, por kjo nuk është fare ngushëllim dhe zbatimin e ligjit në territor nuk e bën kryeministri e as ministri i brendshëm, as drejtori i Përgjithshëm i Policisë, e bën trupa që është atje e ngarkuar të mbulojë territorin dhe kemi vite tanimë që edhe këtë aspekt e mbulon Policia e Shtetit dhe ky operacion duhet të jetë aq i dhimbshëm për milionerët që janë përfshirë, se këta janë ata që bëjnë karshillëkun më të madh, këta janë ata që njerëzve u thuhet “ndajnë katet me mua”, se e kam edhe personale këtë betejë, dhe s’dua të përmend emra këtu por asnjë emër nuk ka rëndësi , duhet që ky operacion të bëjë që asnjë të mos mendojmë më se mund të ndërtojë asnjë metër katror pa leje, se do t’i hyjnë ca halleve që nuk ia vlejnë fare. 

Zoti Drejtor Përgjithshëm, unë besoj që nuk e teproj nëse them se brenda 100 ditësh Policia e Shtetit do të dalë nga udhëkryqi ku ndodhet dhe siç e ka patur paraardhësi juaj  apo paraardhësi i paraardhësit tuaj, apo paraardhësi i paraardhësit të paraardhësit tuaj, pa kushte, të plotë, pa asnjë ekuivok apo interferencë, qoftë e largët dita kur unë do zë me gojën time emrin e një oficeri të vetëm policie ‘’çoje këtu çoje aty’’, deri tani s’ka ardhur  dhe nuk ka shans të vijë. Mbështetjen politike do ta keni edhe ju. 

E kam bërë me ju bisedën që kam bërë edhe me të tjerët përpara se të merrni detyrën, telefonatave ju keni për detyrë t’i përgjigjeni, por kërkesave nëpër telefona ju nuk keni detyrë t’i përgjigjeni nga kushdo qoftë që të vijnë dhe vetëm ditën kur unë do t’ju marr në telefon për të ndërhyrë, juve keni të drejtë të filloni të bëni shërbime të kësaj natyre, por kjo nuk ka për të ndodhur. 

Policia Rrugore duhet të iki nga pritat rutinë nëpër rrugët kombëtare. Makinat inteligjente mund ta kryejnë më së miri kontrollin e shpejtësisë. Së shpejti do të kemi dhe sistemin e kamerave inteligjente, që do instalohet pjesë – pjesë në akset kombëtare të vendit dhe do fillojmë së shpejti me 200 kilometrat e para e do mbyllet përfundimisht epoka e kontrollit të shpejtësisë me sy nëpër kthesa e nëpër kënde rrugësh por unë besoj që, që sot Policia Rrugore duhet të largohet e mund të largohet nga të gjitha pritat, në të gjitha rrugët kombëtare, se boll ka punë në rrugët kombëtare për të garantuar mos cënimin e akseve, mosndërhyrjet brutale, mos ndërtimet jashtë vijës që përcakton ligji e të tjera e të tjera.

Policia Kriminale duhet të ristrukturohet tërësisht e duhet ndarë dhe më qartë vija e luftës me krimin e organizuar në shkallë kombëtare nga ajo me krimet ordinere në shkallë qarqesh e bashkish. Kemi fituar avantazhe të rëndësishme në terrenin e luftës me krimin, dhe nuk mundet kurrsesi  të vihet më në pikëpyetje, por përkundrazi, duhet thelluar ndjeshëm dhe duhen thelluar pa humbur kohë. Struktura e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit është struktura më absurde, më joeficiente dhe me thënë të drejtën më kokëforta përballë çdo përpjekje për ndryshim që është bërë, por ajo që ka ndodhur, sidomos muajt e fundit, është që ka kaluar nga parazitizmi në aktivitet banditesk. Kështu që duhet të rithemelohet, të merret me krimin financiar në shkallët e larta të aktivitetit ekonomik të vendit, të merret me milionerët, në shkallët e larta, jo si kategori por ata që janë problem, aty ku biznesi nder vepron edhe me politikën e jo të dalë për gjah adresë më adresë e biznes më biznes, ky është fundi, që shyqyr e kemi kapur në fillim.

Bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese që nga Prokuroria, SPAK-u, SHISH-i, deri tek Tatimet e Doganat duhet çuar në një nivel tjetër dhe Policia e Shtetit duhet të fitojë kuota të reja besimi e kuota të reja mbështetje nga publiku. Unë jua them shumë hapur dhe shumë drejtpërdrejtë. Unë kam shumë besim, mbase më shumë se asnjëherë tjetër më parë, që ky lidership i ri me kryepolicin e ri të Shqipërisë, me drejtuesin e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, me drejtuesin e ri të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe me të tjerët që do të zgjidhen me proces nga drejtori i Përgjithshëm dhe vetëm nga drejtori i Përgjithshëm, do të hapë shpejt një kapitull të ri ndryshimi dhe arritjesh në funksion të forcimit të rendit dhe qetësisë publike, por mbi të gjitha të barazisë para ligjit. Askush nuk është mbi ligjin dhe çka thashë për operacionin me katet e me shtesat, është shumë i rëndësishëm edhe si mesazh shumë i qartë, për të gjithë dhe ditën që cilindo emër që asociohet me mua apo me qeverinë për shkak të aktivitetit ekonomik të madh që ka do të vihet përpara përgjegjësisë ligjore për cilëndo shkelje, të them të drejtën unë do jem dyfish i gëzuar. Cilido emër!

Edhe për Policinë e Shtetit vlen e njëjta gjë si për çdo institucion tjetër dhe për çdo fushë tjetër sot. Si dita me natën në raport me ku ishim e si nata me ditën në raport me ku duhet e duam të jemi, ky është raporti, prandaj forca përpara, drejt, pa u lodhur, duke e bërë natën ditë që e nesërmja të jetë akoma më e mirë për Policinë e Shtetit dhe kur është akoma më e mirë për Policinë e Shtetit është shumë më e mirë për gjithë qytetarët e për gjithë ata që kanë vendosur apo do të vendosin të jetojnë në këtë vend. Ju falënderoj shumë! Mbase ishte një fjalë e gjatë, por ishte një fjalë që ka filluar të shkruhet çdo ditë që nga momenti kur mora vesh fatkeqësinë e madhe në Himarë.

 

 

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?