E PLOTE/ Pr/buxhetin 2024 prezantohet në konferencën e kryetarëve, Ministri i Financave: I kalon 7 mld euro, 1.2 miliardë euro për investime publike

1 Nëntor 2023, 13:53| Përditesimi: 1 Nëntor 2023, 18:15

  • Share

Projektbuxheti i vitit 2024, prej 7 miliardë euro u prezantua nga Ministri i Financave Ervin Mete në konferencën e Kryetarëve, duke theksuar se synohet rritja e mirëqenies, e punësimit si dhe konsolidimi fiskal duke ulur borxhin publik nën 60%. Programi kryesor në buxhet është rritja e pagave për administratën me synim rrogën mesatare 900 euro brenda vitit që vjen. Po ashtu është i parashikuar indeksimi i pensioneve. 1.2 miliardë euro do të përdoren për investime publike me fokus sektorin e turizmit, bujqësisë, rindërtimin dhe infrastrukturën tha ministri Mete, i cili theksoi se do të rriten me më shumë se 10% shpenzimet për pushtetin vendor. Ministri ka prezantuar edhe katër ligjet që ndryshojnë, ai i TVSH-së, i akcizës, taksave kombëtare dhe procedurave tatimore që do të jenë pjesë e paketës fiskale për vitin që vjen.

Prezantimi i ministrit të Financave, Ervin Mete në konferencën e kryetarëve

Projektbuxheti i vitit 2024 që vjen para jush për shqyrtim, synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqënies për qytetarët, mbështetjen e punësimit cilësor, si edhe mbrojtjen e kategorive sociale, duke vijuar në të njëjtën kohë konsolidimin e mëtejshëm fiskal.

Projektbuxheti 2024 tejkalon për herë të parë 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara dhe në të njëjtën kohë projekton uljen e borxhit publik, pa u shoqëruar nga masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek mirëadministrimi fiskal.

Synimi i këtij projektbuxheti është t’i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë dhe të mbështesë më tej rritjen ekonomike.

Siç vlerësoi edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, ndërkohë që perspektiva ekonomike në vazhdim mbetet pozitive. Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Fondamentet makroekonomike kanë rezultuar të qëndrueshme gjatë kësaj periudhe sfidash. Kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë, si edhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend.

Nisur nga kjo ecuri e mirë, ne kemi rishikuar për sipër projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar. Edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rishikuar në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2023. 

Sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa parashikojmë një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim.

Edhe agjencia ndërkombëtare e vlerësimit “Standard & Poor’s” rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive. Ky rishikim, pas gati shtatë vitesh, është një tregues i progresit dhe trendit pozitiv të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, është pasqyrë e politikave ekonomike, menaxhimit të kujdesshëm fiskal dhe përpjekjeve pozitive në zbatimin e reformave strukturore.

Siç jeni në dijeni, së fundmi morëm edhe lajmin e mirë të daljes së Shqipërisë nga lista gri e FATF/MONEYVAL (Task Forcës për Veprim Financiar. Vendimi vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve. Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe sa i përket perspektivës së zhvillimit ekonomik, klimës së biznesit, investimeve, si edhe lehtësimit të kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë.   

Ndërkohë, sektori financiar, mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid për të mbështetur kreditimin dhe rritjen e mëtejshme ekonomike.

Sa i takon inflacionit, ai ka qëndruar në nivele më të ulëta se vendet e rajonit dhe se mesatarja e vendeve të BE-së. Aktualisht, në muajin shtator 2023, inflacioni ka zbritur në nivelin 4.1%, i përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.

Të ardhurat buxhetore në raport me PBB për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB, nga 27% që kanë rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022. Kjo rritje bazohet kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal, duke zgjeruar bazën e tatimit me synim minimizimin e informalitetit dhe shmangies tatimore.

Projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Projektbuxheti parashikon rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore. Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.

Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33.4% të shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, bonusin e bebes etj.

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.

Ambicja e Qeverisë, e shprehur në projektbuxhet, është që këtë qëndrueshmëri dhe moment pozitiv ekonomik ta përkthejmë në mirëqënie për qytetarët, duke synuar të ofrojmë punësim cilësor dhe ndër pagat më të larta në rajon. Gjithashtu, turizmi është një sektor që mbështetet nga projektbuxheti, me synimin që Shqipëria të kthehet në një nga destinacionet kryesore të turizmit në rajon.  

Krahasuar me vitin 2023, të ardhurat tatimore rriten me +0.4 % e PBB-së, ndërkohë që, të ardhurat nga tatimet dhe kontributet programohen të rriten me 47 miliardë lekë. Rritja e tyre krahasuar me vitin 2023 rezulton +8.25%, ndërkohë që rritja reale ekonomike është programuar në 3.8%.  

Programimi i të ardhurave për vitin 2024, ka marrë në konsideratë faktorët kryesorë, përfshirë efektin e pritshëm të rritjes ekonomike të vendit, projeksionin e indeksit të çmimeve, politikat e reja fiskale si dhe efektet e përmirësimit të administrimit tatimor e doganor.

Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një Paketë Fiskale, e cila synon qëndrueshmëri të legjislacionit dhe politikës fiskale, duke mos ndërmarrë masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek mirëadministrimi fiskal. 

Në këtë aspekt, do të punohet së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar me të cilët kemi dakordësuar të rishikojmë Strategjinë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, me synim të një strategjie sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë.  

Sa i përket paketës fiskale, ju informoj se nuk është propozuar vendosja e TVSH-së në sektorin e arsimit, shëndetësisë apo shërbimet financiare, që ka qënë një ndër diskutimet vijuese me FMN.

Një ndër masat kufizuese e cila është gjykuar e nevojshme nga Mistria e Financave dhe Ekonomisë, ka qënë vendosja e kufirit të sipërm të nivelit të indeksimit të akcizës. Ligji i miratuar në dhjetor 2021, kërkon indeksimin çdo dy vjet të akcizës së mallrave, bazuar në normën kumulative të inflacionit të dy viteve paraardhëse. Kemi propozuar që në ligj të vendoset kufi maksimal prej 1.5 % për çdo dy vjet për rritjen e akcizës, kjo nisur edhe nga niveli i pazakontë i inflacionit të dy viteve të kaluara. Nëse nuk do të vendosej ky kufizim, akciza do të duhej të indeksohej me 11.4%, çka do të impaktonte në rritjen e çmimeve.

Gjithashtu, propozohet një nismë që lidhet me qasjen dekarbonizuese, në linjë me politikat e gjelbra në Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian parashikon taksimin e importeve drejt vendeve të BE nga shtete që nuk aplikojnë ose aplikojnë një taksë të ulët karboni në tregun e tyre të brendshëm, krahasuar me nivelet e taksimit në vendet e Bashkimit Evropian. Kufiri miminal i taksës së karbonit mbi qymyrin duhet të jetë të paktën 15.3 lek/kg, nga 3 lekë që parashikohet në vendin tonë. Në këto kushte, është e nevojshme që të merren masa për përafrimin e legjislacionit, në mënyrë që të shkojmë drejt nivelit të BE-së, por ngarkesa fiskale të mos jetë e menjëhershme. Për këto arsye është programuar një rritje e zbutur e taksës e cila do shtrihet në 5 vjet, duke filluar me një rritje prej vetëm 0.5 lek në vitin e parë.

Paketa ka parashikuar gjithashtu disa masa në funksion të stimulimit të sektorit bujqësor dhe blegtoral. Janë parashikuar disa përjashtime nga TVSH në importin e gjedhëve, bletëve dhe insekteve që përdoren në bujqësinë bio, me synim nxitjen e rritjes së numrit të krerëve, zgjerimi i sektorit të bletarisë dhe përdorimi i metodave të mbrojtjes së prodhimeve, duke shmangur përdorimin e pesticideve.

Në procedurat tatimore janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri.

Gjithashtu, sqarohen procedurat që kanë të bëjnë me marrëveshjet e eleminimit të taksimit të dyfishtë, në mënyrë që të ketë me tepër mirëadministrim në këtë fushë.

Në krahun e Shpenzimeve, në projektbuxhetin e vitit 2024 janë parashikuar të shpenzohen 735.9 miliardë lekë ose 30.2% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje në vlerë absolute prej 30.4 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2023.

Siç u përmend, shpenzimet Buxhetore për vitin 2024 mbështesin politikën e rritjes së pagave në administratën publike qëndrore e vendore. Shpenzimet e personelit për vitin 2024 janë programuar në masën 119.7 miliardë lekë ose 4.9% e Produktit të Brendshëm Bruto.

Njëkohësisht, ky projektbuxhet financon një vëllim të konsiderueshëm investimesh publike me 5.3% të PBB, ose 128.5 miliardë lekë, në linjë edhe me strategjitë sektoriale të zhvillimit. Në këtë fond, përfshihet dhe fondi i rindërtimit nga tërmeti në shumën 7 miliardë lekë. Në planifikimin e investimeve për vitin 2024, fokusi mbetet financimi i projekteve të investimeve publike në fushën e transportit rrugor, detar, hekurudhor, zhvillimi urban dhe rajonal, ujësjellës kanalizime, trashëgimia kulturore dhe turizmit.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qëndrore për vitin 2024 parashikohen në masën 63.2 miliardë lekë ose rreth 2.6% të Produktit të Brendshëm Bruto. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave të qeverisë si: skema e mbështetjes së fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajtja e sistemeve të teknologjisë së informacionit, zhvillimi i turizmit dhe mbështetja për arsimin e sportin.

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë me një rritje të lehtë nga buxheti i rishikuar i vitit 2023. Kjo rritje i dedikohet zbatimit të skemës së garancisë rinore, e cila në bashkëfinancim me Bashkimin Europian, synon të sigurojë një ofertë cilësore punësimi për të rinjtë e moshës 16-29 vjeç, të regjistruar si punëkërkues të papunë.

Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 249 miliardë lekë ose 10.2% e Produktit të Brendshëm Bruto.

Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2024, parashikohet në masën 178 miliardë lekë ose 7.3% e Produktit të Brendshëm Bruto.

Nga fy fond, krahas indeksimit të pensioneve, është parashikuar edhe bonusi i fundvitit, nga të cilët pritet të përfitojnë rreth 717,370 pensionistë.

Për sa i përket shpenzimeve të Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, ato parashikohen në masën 58 miliardë lekë ose 2.4% e Produktit të Brendshëm Bruto.

Dhe Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve i cili parashikohet në masën 5 miliardë lekë.

Në zërin e Shpenzimeve të tjera sociale do të përmendja:

·        Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë.

·        Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 26.25 miliardë lekë.

·        Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.2 miliardë lekë.

·        Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë.

Sa i përket Buxhetit Vendor, shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me buxhetin e vitit 2023. Këto shpenzime për vitin 2024, zënë rreth 3% të PBB-së. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qëndrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë. Transferta e pakushtëzuar për vitin 2024 është në masën 24.3 miliardë lekë.

Përtej këtyre niveleve, nën Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2024 është alokuar një fond prej 2.5 miliardë lekë, në portofolin e buxhetit vendor,  si transfertë e kushtëzuar për emergjencat civile, ku nga këto 500 milionë lekë jepen për investime dhe rikonstruksione në funksion të rritjes së sigurisë e digave të ujëmbledhësve.

Sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë:

Në Arsim, shpenzimet buxhetore parashikohen të rriten në vlerë nominale dhe në raport me Produktin e Brendshëm prej mbi 3% përgjatë periudhës 2024-2026.

Përveç rritjes së pagave të parashikuar për mësuesit në vitin 2024, në këtë sektor do të financohen me përparësi:

ü Ofrimi i një shërbimi arsimor cilësor për nxënësit që ndjekin arsimin parauniversitar duke siguruar ndër të tjera: tekste shkollore falas, bursa apo kuota ushqimore për nxënës me nevoja të veçanta, si dhe transport për nxënës dhe mësues që mësojnë dhe punojnë larg vendbanimit të tyre;

ü Rritja e fondeve grant për Institucionet e Arsimit të Lartë Publik duke mbështetur ngritjen e infrastrukturës universitare si dhe mbështetjen e studentëve që ndjekin degët në programet prioritare dhe studentëve ekselentë.

 

Sektori i Shëndetësisë, gjithashtu do të qëndrojë mbi 3% të PBB mesatarisht për periudhën 2024-2026, ku përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët, do të financohen me prioritet edhe:

ü financimi i shërbimeve shëndetësore parësore e spitalore;

ü rritja e kosto-efektivitetit të listës së barnave e pajisjeve të rimbursueshme ku për vitin 2024 parashikohet që për trajtimin me recetë rimbursimi të barnave do të përfitojnë rreth 400 mijë pacientë me kosto në total prej 12 miliardë lekë;

ü financimi i paketave të miratuara të shërbimit spitalor në spitalet publike e jopublike.

Në fushën e turizmit synohet diversifikimi i produktit turistik për të arritur një turizëm gjithëvjetor duke promovuar gjerësisht Shqipërinë nëpërmjet:

ü sigurimit të zhvillimit të qëndrueshëm të zonës bregdetare, ofrimit të shërbimit të pastrimit gjatë sezonit turistik duke e shtrirë këtë shërbim në të gjithë vijën bregdetare për vitin 2024;

ü zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve të reja në turizëm, si dhe përmirësimi i imazhit të vendit duke financuar evente të rëndësishme promovuese;

ü Mbështetjen e projekteve të rëndësishme në transport, në vijën bregdetare, por edhe në ndërlidhjen rajonale.

Për sektorin e Mbrojtjes për herë të parë arrihet objektivi i lidhur me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s duke e çuar buxhetin e mbrojtjes në 2% të Produktit të Brendshëm Bruto në vitin 2024. Ky buxhet do të financojë me përparësi modernizimin e Forcave të Armatosura në armatime dhe pajisje ushtarake dhe vijimin e rritjes së nivelit të pagave për personelin ushtarak.

Për të kaluar në elementët e tjerë të projektbuxhetit,

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2024, planifikohet në masën 2.5 miliardë lekë, për të përballuar emergjenca dhe ngjarje të paparashikuara me ndikim në buxhetet e ministrive dhe institucioneve qendrore.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 2.7% e Produktit të Brendshëm Bruto, duke përfshirë në të dhe një rezervë prej 5.3 miliardë lekë për të mitiguar risqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit dhe kursit të këmbimit.

Defiçiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet në nivelin 2.5% të PBB. Balanca primare, në përputhje me Ligjin Organik të Buxhetit, planifikohet 0.2%, në një përmirësim nga niveli neutral, që pritet në fund të vitit 2023.

Sa më sipër, synojmë konsolidim fiskal, me një borxh publik që pritet të zbresë vitin e ardhshëm, nën nivelin 60%, për herë të parë që prej vitit 2011, çka na pozicion në grupin e vendeve me financa publike më të forta.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?