E mitura theu këmbën në kopshtin në Tiranë, Psikologia: Mësuesit t’i nënshtrohen testit psikologjik! Edukatorja: Dhuna e përsëritur! Zv.ministri: Vijon hetimi, do ketë zhvillime

8 Nëntor 2023, 14:44| Përditesimi: 8 Nëntor 2023, 16:29

  • Share

Një vajzë 3-vjeçare ndodhet në spitalin e Traumës me këmbën e thyer. Prindërit, që denoncuan rastin në media, dyshojnë se e vogla e tyre është dhunuar në kopshtin privat “Stinët” në Tiranë dhe akuzojnë edukatoret se e fshehën ngjarjen duke i njoftuar shumë vonë pasi incidenti kishte ndodhur. Ka pamje që shfaqin se edukatorja e godet me shpulla të voglën, por është ende e paqartë se si i është thyer këmba.

Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj i ftuar në Report Tv tha se institucionet janë angazhuar për të zbardhur ngjarjen dhe se hetimi po vijon dhe se do ketë zhvillime të reja. Sa u takon pezullimit të tre efektivëve, Hodaj tha se në emisionin 'Përballje' me gazetaren Besmira Pelushaj, se nuk kishin këqyrur si duhet pamjet filmike dhe se s’kanë për të toleruar askënd që nuk e bën punën si duhet.

“Episod që na shqetësuar shumë dhe jemi munduar ta trajtojmë në kohë me gjithë rigorozitetin e mundshëm. Reagimi ndaj asaj që ishte situate reale ishe në një kohë të shpejtë, institucionet u angazhuan të gjejnë të vërtetën dhe të vinte para përgjegjësisë. Janë pezulluar tre policë. Nëse i referoheni njoftimit të policisë nuk janë këqyrur materialet filimike në momentin e parë, por mungonte një pjesë e procedurës që normalisht punonjësi duhej ta kryente.

E drejton prokuroria, s’dua të paragjykoj hetimin. Shoqërimi është një nga mjete. Policia po kryen hetime të detajuara. Zhvillimi pa licencë është vepër penale. S’ka tolerancë për askënd që se bën si duhet punën”, tha Hodaj.

Në pamje duket që edukatorja Majlinda Dehima shfaqet e shqetësuar dhe se në një moment godet me vizore dhe shpulla të miturën. Psikologia Aurela Agalliu thotë se këto pamje tregojnë se dhuna në ambientet e kopshtit ‘Stinët’ është e përsëritur. Ajo thekson se shteti duhet të bëjë vlerësime para se të punësohen edukatore, që sipas saj duhet t’i nënshtrohen një teksti psikologjik dhe atij të personalitetit.

“Ky rast është që pason shumë raste të tjera të ndodhur, ne deri tani kemi funksionuar me ligjin e të fortit. Nëse ke para pushtet, mund të hapësh biznese që nuk kontrollohen. Kjo ka ndodhur me këto biznese që hapen si kopshte dhe janë bërë si kërpudhat në Tiranë.

Tregon që s’ka komunikim, aty bëhet çfarë thotë mësuesja, sanitarja. Një kopsht pa standard do e ketë një klimë të tillë, problematika qëndron të personat që punësohen. Shteti duhet të bëjë vlerësime para se të punësohen këta persona. Ajo tregon se nuk është mirë gjendja e saj. Ajo nuk është e aftë të transmetojë më të mirën te ky fëmijë. Një person që nuk vendos balancë mes jetës personale dhe punës është automatikisht dhunues. Testet psikologjike dhe të personalitetit janë ato që na tregojnë sa i aftë je”, tha psikologia.

Edhe edukatorja Lori Duro thotë se ky rast tregon se nuk është hera e parë që ushtrohet dhunë ndaj fëmijëve.

“Dhuna nuk është vetëm ai moment, është një standard, e normalizuar në atë ambient. Asnjë nuk testohet. Dhunë s’ka të bëjë vetëm me momentin që shfaqen ato gjera, dhunë ka të bëjë kur fëmijët qëndrojnë me një dhomë të vogël, dhunë konsiderohet edhe kur fëmijët për shkak se nuk duhet të qajnë u vendosen bokse me muzikë tepër e lartë që të hutohen. Këto sjellin në këto veprime që pamë në video”, tha ajo.

Edukatorja Majlinda Dehima, në polici ka deklaruar se e ka goditur vajzën 3-vjeçare, me vizore jo për të dëmtuar, por për ta bindur që të marrë pjesë në mësim, teksa ka shtuar se vajza e vogël nuk kishte vëmendjen dhe nuk përfshihej, ndryshe nga fëmijët e tjerë në klasë. Edukatorja ka thënë se e ka kuptuar se vajza kishte dëmtuar këmbën dhe pretendon se mund të ketë qenë dëmtuar tek krevati, pasi ka thënë se aty ka hapësira. Majlinda Dehima gjithashtu është shprehur se ka vënë në dijeni drejtoreshën e kopshtit privat për rastin.

Pas historisë së dhimbshme dhe të mistershme, Ministria e Arsimit reagoi duke zbuluar një fakt edhe më të rëndë, se kopshti “Stinët” është i pa licencuar, pra e ushtron veprimtarinë e tij në paligjshmëri. Vetëm pas denoncimit të prindërve dhe bërjes së rastit publik, kopshti është mbyllur. 

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 09/11/2023 01:41

    Nuk dua te bej av.e Djallit,por kjo psikologia flet sikur jeton ne qiell.T'ju behet test psikologjik e personaliteti edukatoreve-thote.Moj psikologe,ti kur ben seancat i ben nje me nje,rralle mund te te ndodhe te besh seanca ne grup.Provoje nje here te mbash nen kontroll femije ne grupe te medha,e ke provuar ndonjehere,apo kujton se te mbash 10,20,30 femije eshte njelloj si te mbash 1,2,3?! E ke idene se eshte me kollaj te komandosh nje batalion ne zjarr te betejes,sesa 10-15 femije? Aq me teper kur femijet vijne nga ambiente te ndryshme.Per nje gje qe ne kopesht i thone se nuk duhet t'a besh,ne familje i thone,te lumte dora,ose e kunderta.Femija eshte komplet i corientuar,pa llogaritur qe ka disa femije qe jane superaktive,etj.Edhe ai edukator qe ka nerva celiku,mund te kete raste qe te thyhet nga tensioni ne pune dhe ndodhin keto qe ndodhin.Nje ridirektim i vazhdueshem,nje diskutim i perhershem per problemet e sjelljes te femijeve e raporteve femije-edukatore-prinder dhe nje edukim per situata mjekesore (sepse kam pershtypjen qe keto nuk ishin ne gjendje te dallonin nje frakture,nuk dinin te pyesnin cfare ke e ku te dhemb,e jo me te japin ndihmen e shpejte baze, qe duhet t'a dije e te jete i pajisur me certifikate cdo edukator)jane me se te nevojshme,ne vend te keti testi qe propozon psikologia,qe te kujton seleksionimin nazist te para dhomave te gazit,kush eshte i sakte e i forte psikologjikish behet edukator,ne te kunderten,.....!!!

    Përgjigju
  • Prindi: 08/11/2023 17:12

    Çfare vëmendje kërkon nga beba 3 vjeç kjo edukatorja? Katile, kriminele.

    Përgjigju
  • Tushi: 08/11/2023 16:29

    Duhet te filloje testimi psikologjik dhe psikiatrik! Drejtuesja e shkollës 9 vjecare Trush ushtron dhune psikike tek nxënësit dhe mësuesit aq sa për te ka edhe një raport vlerësimi në zva Shkodër por e mbajnë te fshehte.

    Përgjigju
  • Xyz: 08/11/2023 16:04

    Testit ti nenshtrohen drejtuesit e shkollave se bashku me ata qe punojne ne ministrine e arsimit dhe shpiken nje sistem ose me sakte znj.Kushi beri nje tender per sistemin e hedhjes se notave.Ju lumte atyre qe fituan tenderin se arsimi u fundos.Sot mesuesit do merren jo me mesimdhenien por me sistemin SMIP qe askush nuk e aplikon si ne shqiperi.Mire ua bejne mesuesve sepse nuk kane sindikate

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni potestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?