E divorcuar, 42-vjeçarja mbetet në rrugë me 2 fëmijë, apel Bashkisë Elbasan: Më strehoni, jam sëmurë, pa shtëpi e me borxhe

25 Shkurt 2022, 21:28| Përditesimi: 25 Shkurt 2022, 21:31

  • Share

Eglantina Murra po rrit e vetme dy vajzat binjake, mes vështirësive të shumë ekonomike e sociale. Për shkak të dhunës, 42-vjeçarja është në proces divorci me ish-bashkëshortin, ndërsa endet sa në një banesë në tjetër për shkak të pamundësisë për të paguar qiranë.

"Pa shtëpi jam e ndarë me burrin. Jam mes 4 rrugëve kryq, nuk di si të shprehem. Më kanë thënë të liroj shtëpinë se e kanë në shitje, po kërkoj me gjet shtëpi tjeter me qira.

Eglantina është e papunë, dhe jeton me pensionin e invaliditetit. Mes lotësh thotë se ka hyrë në borxhe dhe kredi për të rritur vajzat.

"Jam invalide e papunë, marr 100 mijë lek (të vjetra) KEMP dhe 15 mijë lek përkrahje sociale. Tani mendoj vetëm të kem një shtëpi timen, që të mos paguaj shtëpitë e botës e të mbetem jashtë prapë.

Çfarë të ardhme po u jap vajzave unë?! Kam hyrë borxh për tu vendosur syzet të dyjave. I kam operuar për gurë në tëmth dhe për bajamet".

42-vjeçarja vuan nga lupusi, sëmundje autoimune që sulmon organet ne vend që t'i mbroje ato. Kjo sëmundje i shkakton lodhje, ethe dhimbje në kyçe.

"Fëmija rritet e kanë më shumë shpenzime. Vetë jam e sëmurë e nuk punoj dot. Më thonë mua: Puno! Puno! Po këmbët më dhembin s'punoj dot... Kam marrë goditje në kokë se kam bërë aksident, kam rënë në depresion disa here".

Përmes Report Tv, Eglantina Murra apelon Bashkinë e Elbasanit dhe Shërbimin Social që ti sigurojë një banesë sociale, pasi e ka të pamundur të rrisë e vetme vajzat.

"Po çfarë kërkoj unë? Nuk kërkoj burrë jo, se burrë jam vetë! Kërkoj strehim se veç rrobat e trupit kemi unë dhe fëmijët...Dua një shtëpi të fus kokën!"

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?