E dielë drithërimash, tifozët e Milanit 'pushtojnë' stadiumin e Sassuolo-s! Inzaghi: Inter, luaj pa pendesa! Emocione edhe në Premier League

21 Maj 2022, 14:37| Përditesimi: 21 Maj 2022, 15:36

  • Share

E diela është një ditë shumë e rëndësishme për futbollin europian, pasi në Seria A dhe Premier League titulli i këtij sezoni do vendoset në ndeshjen e fundit. Në Itali Milan është afër ‘skudetto-s’ pas 11 vitesh, por për këtë i duhet të paktën 1 pikë në transfertën e Sassuolo-s.

Si rrjedhojë mijëra tifozë janë organizuar për të udhëtuar në transfertë, ndërsa sipas ‘Gazzeta dello Sport’ nga 21.500 vende 18 mijë do jenë rezervuar nga kuqezinjtë. Praktikisht do jenë si një ndeshje në shtëpi për Milanin, që udhëheq kampionatin me 2 pikë më shumë se Interi, por ka edhe favorin e ndeshjeve direkte. Trajneri Pioli në prag të kësaj sfide është shprehur se ‘kemi qenë më të mirët deri më tani dhe këtë duhet ta tregojmë edhe me Sassuolo-n’.

Sakaq Interi, po të dielën në orën 18:00 pret në shtëpi Sampdorian. Edhe zikaltërit, ashtu si ‘djalli’, stadiumin ‘San Siro’ do ta kenë mbushur plot e për plot më tifozë. Lidhur me mundësitë për të dalë kampion, trajneri i Interit Simone Inzaghi, është shprehur se ‘duhet të fitojmë me patjetër për të mos patur pendesa pas 90 minutave’. Mirëpo për këtë finish emocionues ka edhe paragjykime, pasi nuk janë të pakët tifozët e Interit që e shohin me mosbesim faktin që presidenti i Sassuolo-s është tifoz i madh i Milanit.

Ndërkohë po të dielën, por në orën 17:00, do vendoset edhe titulli në Premier League. Manchester City që ka një pikë më shumë se Liverpool pret Aston Villa-n në shtëpi, ndërsa të besuarit e Kloop do luajnë kundër Wolves.  

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?