Këngëtarja Eli Fara dhe Adem Jashari

Opinion

E çojmë Adem Jasharin në Amerikë për disa klikime

24 Maj 2021, 09:00| Përditesimi: 24 Maj 2021, 09:02

  • Share

Për aq sa dihet Adem Jashari nuk ka qenë kurrë në Amerikë. Por nga sot e tutje, sipas Top Channel-it nga Tirana dhe portaleve që e kanë përhapur “lajmin”, shikuesit e lexuesit shqiptarë duhet të besojnë se Adem Jashari ka qenë në Amerikë. Ky është titulli i lajmit të Top Channel: “Rrëfehet Eli Fara: Adem Jashari më kërkoi elegjinë për Enver Hoxhën, por…”. Portalet e kanë qëndisur këtë titull: “Eli Fara rrëfen takimin me Adem Jasharin në Amerikë: Më kërkoi t’i këndoja elegjinë për Enver Hoxhën, por me një kusht…”.

Eli Fara nuk e jep asnjë dëshmi se e ka takuar Adem Jasharin në Amerikë. Ajo krejt historinë e tregon kështu: kam kënduar në një restorant në Amerikë, viti 1996, në rendin e parë ishte një person që më thanë se e adhuron muzikën time, pastaj unë pyeta kush ishte, më thanë “quhet Jashar”. Dhe ky “Jashar”, të cilit Eli Fara nuk ia përmend emrin, i paskësh kërkuar këngëtares nga Korça të këndojë “elegjinë për Enver Oxhën” (Hoxhën).

Eli Fara thotë se këtë elegji (apo këngë) e ka kënduar më 1985 pas vdekjes (së Enver Hoxhës) dhe, sipas saj, ka qenë një këngë “shumë, shumë e bukur”. Kështu, me lehtësi, kthehet Enver Hoxha në studiot televizive shqiptare, jo si diktator, por si hero i këngës, vendit dhe kuvendit. Në vitin 2021! Dhe për ta bërë më “atraktiv” diktatorin shpiket një “Jashar”, i cili nga mediat shndërrohet në Adem Jashar. Hajde tash një grumbull klikimesh, kush bëhet merak për verifikimin e lajmit. Mjafton që Eli Fara e ka thënë. Një lajm që tingëllon si i dalë nga perandoria e fantazisë.

Përralla e Eli Farës vazhdon: ajo thotë se nuk mund ta kuptonte këtë “Jasharin” që e pëlqente këngën për Enver Hoxhën, ndërsa kishte qenë në burg në kohën e “monizmit”. Nga ligjërimi i saj nuk merret vesh ku ka qenë në burg “Jashari” – në Shqipëri apo në Jugosllavi. Thotë se “Jashari” i paskësh kërkuar ta këndojë këngën por ta heq atë strofën për Enver Hoxhën. Qe edhe një bonus nga përralla e Eli Farës që u bë lajm nacional: ajo tha se ky “Jashari” (pra, Adem Jashari) i paskësh thënë Eli Farës se: “Kam bërë shtatë aksidente dhe të shtatat i kam bërë me CD-në tënde në makinë”.

Paramendojeni Adem Jasharin duke e humbur kontrollin mbi veturë sepse e kanë entuziazmuar së tepërmi këngët si “Sa të deshte lalka ty”, “Kur nata Korçën e mbulon…”, “Qeraxhi i Grebenesë”, “Eja në prehër”, “As e vogël, as e madhe”. Paramendojeni Adem Jasharin jo duke dëgjuar këngë me çifteli për Azem Bejtën, por këngë dehëse nga tavernat e Korçës – dhe këtë ai e paskësh bërë në vitin 1996, në Amerikë. Atje madje paska ndërhyrë edhe në redaktimin e një kënge të Eli Farës.

Për aq sa dihet dhe në bazë të dëshmive të bashkëkohësve dhe atyre që e kanë njohur Adem Jasharin në vitet 90-të: në vitin 1996 Adem Jashari tashmë ishte kthyer nga Shqipëria në Kosovë dhe po merrej me organizimin e rezistencës së armatosur kundër terrorit serb. Por ndoshta ka qenë edhe në Amerikë – njëkohësisht. E ka parë Eli Fara. Ka folur me të. Dhe i ka treguar se ka bërë shtatë aksidente duke dëgjuar këngët e Eli Farës.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?