E ardhmja e pensionistëve në sy të ndërkombëtarëve: Të rritet numri i kontribuesve, rrezikojnë mijëra qytetarë

22 Mars, 20:15| Përditesimi: 22 Mars, 20:53

  • Share

 

Ekskluzivisht për Report TV, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri Emanuel Salinas përmes shifrave dhe sugjerimeve thotë se situata me pensionet në vend e lidhur me informalitetin është një e vërtetë që kërkon ndërhyrje emergjente.

“Shifrat tregojnë një sfidë kyçe të sistemit të pensioneve me rreth 40 përqind të individëve të punësuar që nuk kontribuojnë në sistem”, thotë Emanuel Salinas .

Shkaqet për këtë situatë shqetësuese e mbështetur me fakte dhe dëshmi nga investigimi i parë i Report TV, evidentohen edhe në intervistën e dhënë nga  Banka Botërore.

“Ka shumë arsye që mund të shkaktojnë në këtë mbulim relativisht të ulët të kontribuuesve, përshembull punësimi i vazhdueshëm informal dhe rritja e formave të tjera të punësimit jo-standard; hezitimi për të kontribuar si i vetëpunësuar nëse individët mendojnë se nuk ka gjasa të plotësojnë 15 vitet e nevojshme për t'u kualifikuar për pension”, pohon Banka Botërore.

Informaliteti në vetvete thotë shefi i Bankës Botërore sjell 2 sfida për sistemin e pensioneve.

“Nga njëra anë, qeveria nuk mund të varet nga të ardhurat prej pagave që të mbështetin skemën e pensioneve. Në vendet me informalitet të lartë, por me mbulim të lartë të përfituesve (si Shqipëria), shpesh ekziston presioni për të rritur normat e kontributeve ose për të kufizuar rritjen e përfitimeve për të mbajtur në një hap me rritjen e kostos së pensioneve. Nga ana tjetër, përdorimi i listës së pagave ose punësimit formal si kriter për marrjen e pensionit do të përjashtonte një pjesë të konsiderueshme të popullsisë nga përfitimi i  pensionit në të ardhmen, dhe shpenzimet për pensionet sociale do të rriteshin pasi më shumë njerëz do të kualifikoheshin për të”, pohon Salinas.

Por Banka gjykon se nuk mundet që kjo pjesë informale të mos përfitojë pension.

“Në planin individual, atyre që punojnë në sektorin informal, pra që nuk kontribuojnë në sistemin e pensioneve do t'u mungojë siguria e të ardhurave kur të dalin në pension. Ndërlidhja e pensioneve me tregun e punës, kufizimet fiskale, çështjet gjinore etj. e bëjnë të rëndësishme që të shikohet skema e pensioneve (pensionet e detyrueshme, vullnetare, sociale) në tërësi dhe të identifikohen opsionet e politikave që balancojnë qëndrueshmërinë, përshtatshmërinë, drejtësinë dhe objektivat e mbulimit, duke përdorur instrumente të ndryshme në dispozicion të politikë-bërësve”, vijon më tej intervista.

Tre janë sfidat kryesore me të cilat po përballet sot skema e pensioneve thotë Banka Botërore, e cila kërkon një rishikim të kujdesshëm për të mos e rënduar më tej atë.

“Së pari, një bazë relativisht e vogël kontribuesish 60 për qind e fuqisë punëtore aktualisht kontribuon në skemën e pensioneve. Kjo mund të paraqesë sfida që lidhen me qëndrueshmërinë e skemës, sepse kontributet që mblidhen përdoren për të paguar pensionistët. Sfida e dytë lidhet me atë se sa të përshtatshme janë përfitimet, veçanërisht për pensionistët e rinj. Vite më të pakta kontributi sjellin përfitime më të ulëta për pensionistët e rinj. Sfida e tretë, e cila shpesh nënvleftësohet, por është jashtëzakonisht e rëndësishme për të siguruar integritetin e sistemit të pensioneve, është drejtësia e sistemit”, pohon Banka Botërore.

Krahas këtyre sfidave, shefi i Bankës Botërore, gjykon se emigracioni është një tjetër anë kritike që impakton direkt skemën e pensioneve në vend, dhe cenon të ardhmen e pensionistëve të rinj.

“Emigracioni i vazhdueshëm, vijimësia e punësimit informal, plakja e shpejtë e popullsisë dhe ndryshimi i tregut të punës ushtrojnë presion mbi mbulimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve. Ndërkohë kontributi me më pak vite si dhe presionet inflacioniste po ngrenë shqetësime se sa i përshtatshëm është sistemi për disa grupe pensionistësh”, pohon ai.

Mbi këto problematika të evidentuara thotë Salinas do t’i bëhen edhe propozimet Ministrisë së Financave dhe asaj të Ekonomisë për të rishikuar skemën e pensioneve. 

Situata demografike në vend po përkeqësohet, nga emigrimi dhe rënia e lindshmërisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar në një analizë të bërë në fillim të këtij viti thekson se deri në vitin 2070, rreth 40% e popullsisë do të jetë e moshuar, gjë që do të shoqërohet edhe me ulje të fuqisë punëtore.

Më tej institucioni ndërkombëtar nënvizon se pensionistët e të ardhmes rrezikojnë varfërinë për shkak se nuk përmbushin kriteret për përfitimin e pensionit të plotë. Informaliteti dhe mos deklarimi real i pagave ishin dy nga shqetësimet kryesore që evidentonte FMN në analizën e bërë.


Lajmi kryesor:

INVESTIGIMI 2/ Nëndeklarimi i pagave rrezikon të ardhmen, pensione çdo vit e më të ulta! Ekspertët: Duhet reformë e re pensionesh


M.Q.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?