Dygjuhësia,Osmani:E miratojmë
prapë,nëse Presidenti e rrëzon 

17 Janar 2018, 10:43| Përditesimi:

  • Share
Zëvendës kryeministri i Maqedonisë për çështjet e integrimit, Bujar Osmani, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë, gjatë një interviste për Report TV flet për ndikimin e vrasjes së Ivanoviç në Mitrovicë, miratimin e dygjuhësisë në Maqedoni, si dhe negociatat mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. 

Intervista:

Më lejoni ta nis me një çështje të nxehtë, ku lideri serb Ivanoviç. A mendoni se kjo çështje do të përdoret politikisht për të nxehur e tensionuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit?
Ishte një situatë e rëndë, e cila na ka tronditur të gjithëve. Të gjitha forcat politike të arsyeshme e kanë dënuar si të tillë. E rëndësishme është të ruhet gjakftohtësia dhe të lihen organet e rendit të kryejnë hetimet dhe të gjejnë autorët pa u tensionuar. Ka qenë e pritshme që ashtu siç stabilizohet rajoni më tepër e më tepër, do ballafaqohet me sfida më shumë.

Por mendoj se forcat racionale dominojnë në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe do të reagojnë arsyeshëm dhe do të lënë organet e rendit të bëjnë punën e tyre.

Kthehemi në Maqedoni, aty ku pala shqiptare ka shënuar një fitore të rëndësishme, duke miratuar ligjin e dygjuhësisë. A do të hasë ky ligj pengesa në implementimin e tij dhe çfarë do të thotë ky ligj për shqiptarët e Maqedonisë?
Është një moment i rëndësishëm në evoluimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Është një prej ligjeve të fundit nga pakoja e marrëveshjes së Ohrit, për të cilët deri tani nuk kemi pasur konsensus ndëretnik mes palës shqiptare e maqedonase.

Pas 17 viteve të kësaj marrëveshjeje ne kemi arritur një konsensus etnik, se cili do të jetë përdorimi i gjuhës shqipe dhe këtë e kemi arritur materializuar në një ligj, që tani ka kaluar në të gjitha instancat. Sa i takon sfidave në implementim ne jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat do të ballafaqohet implementimi i ligjit. Jo gjithmonë ajo që shkruhet në letër përkon me realitetin. Është e rëndësishme të bashkëpunojmë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, pretendon në një deklaratë të fundit pasi u miratua ky ligj në Parlamentin tuaj, se ai vetë ka një meritë të veçantë në miratimin e këtij ligji. A ja njihni këtë meritë kryeministrit shqiptar?
Të gjithë kanë kontribuar në këtë proces, fillimisht në konsolidimin e një qeverie reformatore. Ky ligj ka qenë pjesë e marrëveshjes. Merita kryesore është e Ali Ahmetit, por pa mohuar kontributin e gjthsecilit.

Duket se një nga çështjet më të nxehta me fqinjin tuaj jugor, Greqinë, është duke marrë zgjidhje. E kam fjalën për çështjen e emrit në raport me Greqinë. Ka pasur zhvillime dhe takime dypalëshe, bisedime që do të vijojnë në ditët e ardhshme. Mendoni se do të konkludohet me një zgjidhje pozitive kjo çështje?
Është temë shumë komplekse, emocionale për qytetarët në Maqedoni, ka shumë shtresa emocionale, që brenda viteve politika i ka shtuar. Tani është e vështirë për të kuptuar, për shkak të hijes emocionale që i është dhënë problemit. Ne po punojmë të eliminojmë këto shtresa emocionale, që palët po luftojnë njëra-tjetrën, për t gjetur një kompromis, që nuk do të jetë i dëmshëm.

2018 është një dritare historike e mundësisë për të mbyllur këtë temë, si dhe për të hapur derën në NATO e BE. Nuk do të jetë e lehtë, por jam optimist që në Maqedoni kemi një qeveri që nuk mendon për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratat e ardhshme.

Më lejoni dhe një tjetër pyetje të fundit që ka të bëjë me marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase. A shikoni një evoluim të dukshëm gjatë viteve të fundit apo është një progres normal dhe që nuk përbën diferencën nga qeveritë e mëparshme?
Nuk kemi tema të hapura mes dy shteteve, po flasim për avancimin e raporteve. Ka shumë potencial për të bashkëpunuar, mes shumica e popullsisë maqedonase është shqiptare. Duhet mbështetje e ndërsjellë, ne e kemi me shumë rëndësi përfshirjen në NATO dhe Shqipëria këtu mund të japë kontribut, si anëtare. 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?