Dy vjersha për Prishtinën

1 Dhjetor 2013, 07:19| Përditesimi:

  • Share
Udhëtim
(për Adrian Grajqevcin, Shkëlqim Nokën dhe Artan Galimunën)
 
Do të zgjohem tash, dhe, do të shkoj në Prishtinë
Do të ec bulevardit Nënë Tereza nga mëngjesi deri në mramje
Nuk do t’i num’roj makiatot me plum
E as pa plum
N’mramje do t’dal në korzo
Do t’i blej dy shtalba kallamoçi t’pjekun
Dhe një fitil fara
Do t’i shikoj vjedhurazi çiftet kur puthen
Do të ndihem n’paqe
Me vetën dhe me botën
Sepse paqja pikon nga qielli i Prishtinës
Siç pikon shiu i pranverës mbi drunjë dhe lule
Transparent natje herët, i kuqrremtë në mesditë
Dhe i artë në mesnatë
 
Do të zgjohem tash, dhe, do të shkoj në Prishtinë
Sepse ushtima e Prishtinës m’i rrah brigjet
E kujtesës
Si i rrrahin valët e oqeanit brigjet
E dy kontinenteve
Si rrah dashuria në dy anët e zemrës
 
Do të zgjohem tash, dhe, do të shkoj në Prishtinë
N’stadium t’Prishtinës do të shtrihem fitimtar
Sepse pa shkuar në Prishtinë
Pa ecur trotuareve të Prishtinës
Pa kaluar kah Muzeu i Pafajsisë
Dhe Stacioni i Autobusëve të Prishtinës
Jeta nuk ka kuptim
 
catoblepas II
(sipas motiveve të vjershës catoblepas nga Tinka Kurti)
 
Nuk është e vërtetë që catoblepasi juaj është
metaforë. E besueshme është vetëm
trrapallima e së tashmes imagjinare.
Sakaq, gjelat nisin kikirikatjet e mbrëmjes;
udhët e atdheut mbushen me dritën e zemërdlirësisë suaj.
Njerëzit e ndryshëm nga ju harrojnë të kaluarën. E harrojnë
të ardhmen,
e cila shpesh vjen si catoblepas i vërtetë.
 
Jeni të bukura. Inteligjente. Në mirëbesim i thoni njëra-tjetrës
që shtëpitë tuaja nuk mund t’i djeg zjarri.
 
Ndërsa ju parakaloni mjegullnaja e muzgut i ledhaton fytyrat e djemve prishtinas.
Krenat—   djem e çika— i keni mbi re. E meritoni ndiesinë e naltësisë.
Jeni të fismë; tekanjozë; nervozë, dhe, rrezatoni erotikë lirike.
 
Mos t'u vijë keq, na tregoni: çfarë do të diskutoni nëpër kafenetë bardh e zi
të Prishtinës?
Nuk ka nevojë për sekrete: fshehtësitë tuaja varen publikisht sikur molla
nëpër pemët e Bregut të Diellit— lagjes ku jetojnë nëna dhe babai
i catoblepasëve.
 
Mos u shqetësoni. Mos u tundoni nga mëkatimi.
Nëse doni të mblidhni trëndafile të bardha shkoni
në Velani. Të kuqet i keni te Komuna. Të verdhat janë vyshkur.
 
Dhurata nuk ju thirri. Ajo përherë ka qenë gjumashe. Arta vjen
drejt jush nga drejtimi i kundërt. Nga Ulpiana. Ec si një princeshë
ilire. Kryq jush nga Arbëria ju afrohet Teuta. Fytyra e saj ngjyrë purpuri
si orkide e gatshme për polenizim. Eta? Eta ku është?  Eta ndërron
galenterinë dhe këpucet njëzet herë, por do të bashkangjitet. Ajo gjithherë
bashkohet e fundit. Sikur bora e pranverës së hershme lugut të Gërmisë.
 
Dy lypsa u kërkojnë lëmoshë. Secila u ipni
nga dhjetë centë. Bamirësia është themeli i dashurisë. Qielli
i Prishtinës me hënë duket si oqean i kacavjerrun përmbys. Në të njëjten kohë
para syve ju përfton
shtatorja e Nënë Terezës para selisë së PDK-së. Nëna e njerëzimit.
(Sa di bota të jetë paradoksale o Zot?!)
 
Tregonani, mos na mbani pezull:
sa pasdite të shterpëta
duhet Petriti të presë derisa ta merr përgjigjen
se ç’keni bërë paradite
për atdheun?
 
Kush do t’i gjykojë
sherret me Xhemën apo Bashmirin? Të dy—
ashtu-kështu-do të përfundojnë në burg!  Edhe Parimi, edhe Vullneti,
që ju kujtoni që janë të njohur; por që padyshim sëpakut njëra nga ju
do t’i kualifikonte të panjohur të njohur. Edhe ata në burg e kanë fundin!
 
Driti e Kastri nuk ua kthejnë
telefonatat. Kanë humbur në katër libraritë e Prishtinës.
Riki u thërret dhe tregon që do të jetë me ju
për dhjetë minuta. Kështu thotë, por ju e dini që ai nuk vjen kurrë
me kohë. Vazhdoni ta adhuroni, po kot e adhuroni!
 
Sa keq, ende nuk ju treguam për catoblepasin. Çfarë është catoblepasi?
Sinqerisht— a doni të dini për catoblepasin?!
 
Jetë o jetë— a është natë apo është ditë?
Si perandoreshë mbi Prishtinë shkëlqen hëna.
Nën zdritjen e saj ju çelni si lulet e mëngjesit.
 
Kjo është me rëndësi. Ju dhe Prishtina. Kujt ja ndien për catoblepasin?!
 
Ju lutemi na falni për dhimbjet e mëdha. Ju lutemi na i falni krejt dhimbjet që keni.
 
Ju jeni shpirti i trazuar i Prishtinës. Palca e Prishtinës.
Ju i mbani gjallë yjet e atdheut.
 
Sonte le të kallet Prishtina në dashuri. Atdheu është i yni.
I mirë i keq i yni.
Nesër do t’i prehet koka catoblepasit. Në Prishtinë do të bie
shi lotësh gëzimi dhe mallëngjimi për atdheun tonë.
 
Prishtina është asgjë pa juve sikur ne që jemi asgjë pa Prishtinën.
 
 Shkrimi u publikua sot (01.12.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?