Duhet projekt serioz kombëtar përtej propagandës!

1 Maj 2022, 11:53| Përditesimi: 1 Maj 2022, 12:00

  • Share

Propaganda është mjeti që, sot për sot, konsiderohet si instrumenti më efikas, që prioritet nuk ka për të dëshmuar nismat e suksesshme të pushtetit, por forcën për të manipuluar opinionin me qëllimin e vetëm për të mbrojtur establishmentin.

Realiteti shqiptar, për fatin e keq, është në disafavor për të përballuar me sukses këtë situatë të rëndë e mbi të gjitha për të përballuar po me sukses krizën e ekonomike në të cilën, tashmë, zyrtarisht jemi përfshirë.

Kemi disa konstatime që, përtej propagandës si formë për të shpëtuar nga dështimi dhe jo për të reklamuar suksesin, nuk na japin, për fat të keq, garanci për një dalje me sukses nga kjo situatë e shkaktuar nga Covid-19:

1. Së pari, nuk mund të pretendohet sukses ekonomik ose sukses menaxhues, nëse sot kemi një klasë politike, e cila, si për nga formati profesional, ashtu institucional, nuk janë në nivelin për të sjellë besueshmëri. Niveli i deputetëve tanë, qartazi janë nën nivelin mesatar të shoqërisë sonë, mos ekzistenca e qartë e një opozite serioze në parlament, nisma sporadike individuale që nuk kanë lidhje me realitetin, kontrolli i plotë i mazhorancës dhe diktati i saj rrisin qartë mos transparencën, nuk janë modele optimizmi. Gjithashtu, në këto kushte rritet qartë mundësia që pushteti të jetë më agresiv, i pa ekuilibruar, më pak demokratik e për pasojë edhe abuzues. Në këto rrethana dhe në emër të krizës është i pranishëm rreziku që të merren nisma legjislative, të cilat, në pamje të parë janë në emër të krizës, të justifikuar nga kriza, por, në fakt, mund të rezultojnë për të mbrojtur, ose krijuar realitete të reja ekonomike, për të monopolizuar tregun dhe për të goditur akoma edhe më shumë konkurrencën dhe tregun e lirë;

2. Shqipëria ka investuar shumë pak, ose thuajse fare, në këto vite në fushën e kërkimeve shkencore. Shqipëria, ndoshta është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka institute private apo shtetërore, që kanë për objekt studimet në fushën ekonomike, financiare apo edhe në atë sociale. Pra, nuk ekziston një mjedis serioz për të pasur studime e propozime serioze pikërisht në këtë krizë shëndetësore dhe ekonomike, në të njëjtën kohë. Mungesa e këtij mjedisi serioz profesional, bën të mundur që sot propaganda të merret si vetmja alternativë e vërtetësisë. Kemi ndonjë rast sporadik e individual me propozime, por asgjë më shumë;

3. Militantizmi partiak, në këto vite, ka vrarë në gjenezë profesionalizmin edhe në institucionet shtetërore. Kjo ka bërë që profesionistët e vërtetë, të gjendur përballë nepotizmit dhe militantizmit, kanë zgjedhur të largohen nga vendi ose në rastet, kur nuk kanë mundur të largohen, për mbijetesë kanë pranuar diktatin e pushtetit, duke mos pasur vlerësimin e protagonizmin e duhur. Pra, profesionistët e vërtetë ose janë larguar jashtë vendit, ose janë të censuruar e të shtypur. 
Kemi më shumë se dy muaj krizë në Shqipëri dhe gjatë gjithë kësaj kohe nga radhët e mjekësisë, kemi vetëm dy figura, që nuk janë as shkencëtarë që dalin me qindra herë në media në ditë. Kjo dëshmon qartë se Shqipëria po shterohet nga figurat profesionale. Krizat nuk përballen me militantizëm, por me kompetencë, profesionalizëm e me persona që mbi bazën e eksperiencës dhe studimeve mund të ofrojnë ide dhe mund t'i zbatojnë sa më mirë ato;

4. Qasja e frikës si metodë për të mbrojtur pushtetin ka krijuar një situatë të frikshme, për të krijuar bazat e një diktaturë reale, që do jetë si ekonomike ashtu edhe sociale. Zërat e veçantë, që nuk janë në linjë me pushtetin censurohen që në gjenezë, akoma pa kapur mediumet e opinionit publik. Mungesa e ideve alternativë, mendimeve alternativë, duke pasur vetëm një linjë mendimi, që përputhet me pushtetin, na rrezikon që të na dërgoi në vendime uniformë të gabuara me kosto për të tashmen e të ardhmen;

5. Në kohë krizash serioze, si kjo që po kalojmë, nuk duhet të mendohet vetëm për "t'ia hedhur të tashmes", por edhe për "të ndërtuar të ardhmen". E ardhmja nuk do të jetë më si è tashmja e si e kaluara e për pasojë duhet strategji të reja shumë dimensionale:

- Duhet një projekt serioz kombëtar për të rivlerësuar e ri ngritur në nivel serioz me kohën sistemin e shëndetësisë. Sot, Shqipëria nuk ka një sistem të merituar shëndetësor as në kapacitetet e logjistikë/strukturës e as në konceptet funksionuese e zbatuese. Në këto vite, në Shqipëri janë bërë eksperimente në shëndetësi me qëllim për të forcuar disa faktorë përfitues e privat e nuk është menduar seriozisht për cilësinë e shërbimit e as për forcimin e figurës së mjekut. Duhet të marrin fund eksperimentet, që pasurojnë grupe të caktuara, që kanë lidhje me pushtetin. 
Cili është vizioni që duhet të kemi për sistemin e shëndetësisë?

- Duhet të rishihet me seriozitet reforma e ndarjes administrative dhe nevoja për zgjerimin e autonomive vendore. Kjo krizë ka sjell faktin se realitetet lokale nuk janë njëlloj e për pasojë nuk mund të jenë njëlloj as politikat që aplikohen tek ata

- Duhet të bëhet një reformë serioze në sistemin monetar e financiar e sidomos në atë bankar. Bankat nuk duhet të jenë vetëm depozita parash ose mbledhëse të vlerave monetare, por duhet të jenë institute kreditimi që mbështesin projektet dhe nismat e lira e sidomos kur sipërmarrës janë të moshës 20-35 vjeç. Duhet të mbështesin projekte inovative e duhet të rritet besimi tek idetë e projektet e të rinjve e jo gjithmonë të jenë të pa negociushëm kolateralët

- Duhet të hiqet dorë nga taksimi i egër dhe pamëshirshëm në ekonominë shqiptare. Baza ekonomike shqiptare është e brishtë e nuk ka një histori të gjatë të aktivitetit të ekonomisë si në prodhim apo edhe në fitim e për pasojë nuk ka garanci apo akumulim historik kapitali për të përballuar edhe në kohë krizash taksime që nuk janë proporcionale me realitetin

- Bujqësia është një sektor që meriton vëmendje. Mendoj se nga kjo krizë kemi nxjerrë një leksion të rëndësishëm, se natyra e toka nuk ndalen edhe pse mund të të ndalen të gjitha. Pra, njerëzit po kthejnë e do të kthejnë sytë nga toka, qoftë për të siguruar prodhime vetjake sa më të shëndetshme, për të pasur garanci ushqimore në kohë krizash e për të mos pritur në radhë në supermarkete, por edhe për faktin se investimet për prodhimet që na jepet toka janë më të garantuarat që nuk njohin krizë edhe në kohë krizash.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?