'Duhen studime për të hartuar buxhetin 2021'/ Zusi: Ulje shpenzimesh, rritje fondesh për biznesin!

25 Shtator 2020, 16:13| Përditesimi: 25 Shtator 2020, 16:28

  • Share

TIRANË- Në valën e premtimeve për hapat buxhetor që do të gjejnë zbatim vitin e ardhshëm, ish-zëvendësministri i Bujqësisë Alban Zusi thotë për Report TV, se buxheti i 2021 duhet të ketë në fokus dy objektiva kryesore.

“Gjëja më e rëndësishme e qeverisë në hartimin e buxhetit dhe në shpenzimet e vitit 2021 është shpenzimi për kërkim, hartim dhe zhvillim të politikave ekonomike, mbi bazë të dhënash, faktesh, statistikash dhe jo mbi bazë hamendësimesh dhe amatorizmash. Ne duhet të fillojmë të alokojmë fonde për kërkim shkencor për politikat ekonomike. E dyta duhen ndërprerë maksimalisht shpenzimet buxhetore të cilat nuk janë të domosdoshme si përmirësim zyrash,rregullime parqesh, përmirësim rrugësh të ndërpriten minimalisht për dy vite dhe të kalohen këto fonde në nxitjen e biznesit”, tha ish-zëvendësministri Zusi.

Bizneseve që hapin vende pune dhe sjellin shumë të ardhura në buxhet sipas Zusit duhet të mbështeten me grante siç po veprohet me sektorin e bujqësisë që ka përfituar nga skema e IPARD.

“Përmenda rastin e bujqësisë sepse është rast i suksesshëm, mbështetja me fondet e IPARD, mundet edhe qeveria që të ndërtojë një skemë të ngjashme për sektorët e tjerë që kanë impakt të madhe në punësim dhe në xhiron ekonomike. Duhen mbështetur bizneset për tu përshtatur ndaj nevojave të pandemisë për të ndryshuar teknologjinë sepse shumë biznese mund të kenë nevojë për shumë pak gjëra, për një 5-10% rritje të kapitalit për investime të reja që të përshtatin teknologjinë por ai mund të kthehet në pengesë për zhvillimin e tyre. Ne duhet të marrim masa të menjëhershme në buxhetin e ardhshëm”, u shpreh Zusi.

Presidenti i Qendrës së Eksporteve Shqiptare pohon se kriza e shkaktuar nga pandemia tek bizneset, duhet trajtuar me kujdes, pasi kjo është e vetmja mënyrë për ti mbajtur ato në treg. Po ashtu Zusi ka vlerësuar si pozitive edhe paketat ekonomike të miratuara nga qeveria gjatë karantinës.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?