Dueli me kryesuesit, Orges Shehi: 'Final 4' e zbeh garën, e mundim Egnatian

2 Shkurt, 11:08| Përditesimi: 2 Shkurt, 16:15

  • Share

Partizani dhe Egnatia luajnë nesër në orën 16:00 për raundin e 22-të në Superligë. Dueli do zhvillohet në "Arenën e Demave", teksa përballen dy skuadrat që janë në krye të renditjes.

Për mediet para sfidës foli Orges Shehi. Trajneri i Partizanit "qan" mungesat dhe formën e të tijve, ndërsa kërkon tri pikë kundër një rivali që kanë marrë shumë barazime.

“Unë mendoj që çdo skuadër është për t'u mundur, sidomos kundërshtari i radhës, pasi të gjitha kanë objektiva dhe kërkojnë të bëjnë më të mirën. 'Final 4' e zbeh pak luftën sportive përsa i përket pikëve, nuk i fut skuadrat në stres për të kapur kundërshtarët. Ne futemi në çdo ndeshje për ta fituar dhe në aspektin personal motivimi është prezent dhe më i lehtë.

Rivalët dhe mungesat? Skuadra më e fortë e momentit është gjithmonë skuadra e radhës, aty është përqëndrimi më i madh. Keko është i dëmtuar. Dëmtim që ka ardhur nga hiçi, ka një flluskë që bëhet nga këpucët, ajo pjesë është infektuar për fat të keq i duhet pak kohë të kthehet dhe pjesa tjetër iu kërkojmë të jenë sa më në formë. Mehmeti është rikthyer në stërvitje, të gjithë po mundohen të kthehen në formën më të mirë fizike. Duhet të jemi të kujdesshëm me Skukën përsa i përket formës së tij duhet të menaxhojmë që mos humbim cilësitë e tij.

Merkato? Nuk kemi pse presim ardhje, kur trajneri vjen në janar do të ndërtojë lojën sipas lojtarëve që ka. Lojtarët janë këtu dhe për të dhënë më të mirën, nuk e di çdo të ndodhë në qershor. Kemi shumë barazime me Egnatian, por nesër do futemi për ta fituar, se çfarë do të prodhojë fusha ajo është diçka tjetër pastaj. Kemi skuadër me cilësi dhe karakter, çdonjeri e ka në kokë që duhet fituar ndeshja, me këtë filozofi do të ecim për t'u përmirësuar gjithë kohën.

Nuk është se kemi qenë pa lojtarë, por kërkojmë të kemi alternativa më shumë, nuk është se kishim boshllëqe të mëdha. Afrimit të fundit do i duhet pak kohë të stërvitet me ne, pasi kampionati ku ai ka luajtur ka përfunduar para dy muajsh. Lojtarët që janë kanë besimin tim të plotë", tha Shehi para medieve.

Pas javës së 21-të në elitën e futbollit, Egnatia kryeson me 46 pikë, ndjekur nga Partizani me 36 pikë.

S.DH//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?