Lulzim Basha

Dritan Hila: Betejat e Bashës i bën Rama, ose Berisha

14 Qershor, 19:56| Përditesimi: 14 Qershor, 19:58

  • Share

Ka një zhgënjim në kampin e Lulzim Bashës për faktin që vula i kaloi Berishës. Përtej anës morale dhe numerike se kujt i takonte dhe përtej yçklave ligjore qe përpiqen të gjejnë ata që donin të rrinte aty ku ishte, puna është se kush e meritonte?

Sali Berisha bëri betejë që ditën e parë për të, betejë që pavarësisht moshës, nuk e reshti asnjë ditë.

Mirë apo keq, serioze apo qesharake, rruga e tij dy e kusur vjeçare tregoi nerv për pushtet. Nuk i zhgënjeu asnjë ditë ndjekësit e tij. Dhe nisur nga fakti që sidomos në terrenin kur nuk ka precedentë në sistemin gjyqësor sesi ndahet davaja e një partie dhe si e tillë në vendimin e gjykatës ndikon bindja e brendshme e gjyqtarit se kush e meriton me vullnet e numra një autorësi të saj, nuk ka asgjë të çuditshme që gjykata ia dha Berishës.

Në krahun tjetër, hiq disa emra që numërohen me gishtat e njërës dorë, kusuri priste vendimin e gjykatës. E gjitha kjo mënyrë sjelljeje linte dyshimin që ose e gjitha ishte një lojë e Bashës që të shmangte zemërimin e amerikanëve nëse do reshtohej që në fillim në krah të Berishës dhe deklaratat e tanishme për bashkim e vërtetojnë këtë, ose priste që betejat t'i bënte Edi Rama.

Kësaj i shërbenin edhe fjalët e hapura mes mbështetësve të tij që pas 2025-ës do jemi në koalicion me Ramën. Mirëpo puna është që Rama nuk ka qejf ta ndajë pushtetin as me Erion Veliajn, lëre pastaj me të tjerë. Sepse i binte që Rama të bënte fushatë si për vete edhe për Bashën. Sesi i kanë bërë llogaritë, duhet goxha fantazi.

A ka ndikuar Rama t'i jepej vula Berishës? Pak si e vështirë ta besosh pasi e sigurt është që me një opozitë të përçarë do ta kishte më të kollajtë fitoren sesa tashmë që PD-ja ka një bosht historik. E ndaj, duket ca si shumë fantazi që të ketë ndikuar në dhënien e vulës.

Kurse Bashës tani i mbetet ose t'i hyjë betejave vetë ose të lerë Berishën t’i bëjë për të, siç i ka bërë gjithmonë. Është edhe më rehat./dritare.net

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?