Dritëro Agolli  rrëfen zhgënjimet
dhe gëzimet e dashurisë

28 Nëntor 2013, 07:51| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Poeti dhe shkrimtari Dritëro Agolli dëshmon se ka shkruar më shumë poezi dashurie se cilido tjetër poet bashkëkohor shqiptar. Tashmë në moshën 72-vjeçare, ai ka pohuar në një intervistë të pak muajve më parë për “Shqiptarja.com” se vijon të shkruajë ende, edhe pse “e mërzit dora që i dridhet”. Megjithatë, dje shkrimtari na ka befasuar me daljen rishtas në dritën e botimit të librit të ri që titullohet “I përndjekuri i dashurisë”. Lajmin e botimit e njoftoi vet shtëpia botuese “Dritëro”, ku sipas këtij njoftimi mësojmë se “ky libër është një përmbledhje e poezive më të bukura të dashurisë, të shkruara që nga viti 1960 e në vijim nga shkrimtari Dritëro Agolli”.

Gjithashtu, mësojmë se ky libër erdhi jo vetëm si mungesë e një përmbledhje të tillë, por si një dhuratë e fëmijëve dhe bashkëshortes për 82-vjetorin e lindjes së shkrimtarit. Janë 82 vite të kaluara mes poezisë, prozës, gazetarisë e mbi të gjitha mes dashurisë së pamasë të familjes dhe të të gjithë lexuesve të tij besnikë. Në poezitë e dashurisë së Dritëro Agollit gjen të ndërthurura: përmasat e emocionit; dashurinë e pafat që përjeton drama dhimbjesh; zbërthimin e gjendjes shpirtërore;përplasje emocionesh në momente të kundërta; gjuhën e ironisë në përshkrimin emocionues të dashurisë e mbi të gjitha, ndërthurjen e dhembshurisë dhe himnizimit të figurës së femrës, si qenia më hyjnore në këtë botë.

Libri përmbledh mbi 50 vjet poezi dashurie, të cilat tregojnë dhimbjen, gëzimin, emocionin e shkrimtarit Dritëro Agolli. Të gjitha këto të përmbledhura, si asnjëherë më parë në një botim të vetëm, ku cilido e gjen veten mes rreshtave të poezive.
Libri “I përndjekuri i dashurisë” vjen i shoqëruar me një CD në të cilën janë të regjistruara poezi të recituara nga vet shkrimtari Dritëro Agolli, i cili e ka konceptuar këtë mënyrë botimi që “të jetë dhurata më e bukur për të dashurit tuaj, një përmbledhje me poezi dashurie e një CD me zërin e veçantë të Dritëro Agollit, i cili reciton poezitë e tij”, shprehet botuesi, duke përcjellë mesazhin e shkrimtarit.

Libri vjen pikërisht në një kohë kur zënkat, debatet, mërzia, inatet e mëritë kanë zënë rrënjë të forta në shoqërinë tonë. E në këtë kohë kur njerëzit janë bërë më të distancuar nga njëri–tjetri. Përmbledhja “I përndjekur i dashurisë” vjen si ilaçi më i mirë për të kuruar shpirtrat e trazuar dhe për të risjell tek to, ndjenjën më të bukur: Dashurinë, për të cilën Dritëro Agolli nuk do të lodhet asnjëherë së shkruajturi. Ja dy nga poezitë e këtij libri:
 
VEÇSE NJË ËNDËRR

Ja kështu, ti erdhe, ndenje, ike
Dhe sikur këtu nuk ishe kurrë
S’erdhe si e dashur, po si mike
Thjesht si vizitore tek një burrë.

Për takimin, tjetër ëndrra kisha,
Tjetër doli, siç u ndodh në botë
Ëndrrave në kulm të trëndafilta
Si një verë a trëndafil në gotë.

Dhe megjithatë them faleminderit,
Ti më dhe një fluturim mbi ëndërr
Nëpër portën hapur prej ylberit
Dhe s’ka gjë se ëndrra ishte zhgjëndërr.

 
 
E PARËNDËSISHMJA

Vërtet çka s’është e rëndësishme
Në ty e dua pa kufi,
Sikur një gjë madhore të ishte,
Sikur të kishte rëndësi:

 
Për shembull, palën e fustanit
Dhe kopsën varur në një pe,
Apo tri qimet e nishanit,
Që për të trija bëj një be...

Ti qesh me mua shumë e hijshme,
Kur them: ta dua si fidan
Atë  çka s’është e rëndësishme,
Se vetë i rëndësishëm jam...


Shkrimi u publikua sot (29.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?