Drejtoria e Burgjeve s’pranoi të arrestuarit e ‘Tempullit’ në Elbasan: Proda: 16 i transferuam në Berat! Ish-prokurori: Qeveria të rrisë kapacitetet e paraburgimit

23 Janar, 15:20| Përditesimi: 23 Janar, 15:53

  • Share

Ditën e djeshme, në të gjithë vendin u arrestuan 273 persona në kuadër të operacionit “Tempulli 2” për kapjen e shpërndarësve të drogës nëpër qytete të ndryshme të vendit. Vetëm në Elbasan pati 24 të arrestuar ndërsa mbrëmë u raportua edhe një problematikë ku drejtoria e burgjeve nuk pranonte të arrestuarit pa pasur vendim të gjykatës.

Lidhur me këtë situatë të krijuar, drejtori i policisë së Elbasanit, Ilir Proda në një lidhje “skype” për emisionin "Përballje” me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, tha se me ndërhyrjen e drejtorit të policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku, situata u zgjidh por u desh që 16 prej të arrestuarve të dërgoheshin në burgun e Beratit. 

“I jemi drejtuar burgut të Bradasheshit por me pretendimin se nuk kishte vendim gjykate, na i kanë kthyer mbrapsht. Me ndërhyrjen e Rrumbullakut, 16 prej të arrestuarve janë transferuar në burgun e Beratit dhe 7 të tjerët jemi detyruar t’i kalojmë tek blloku i sigurisë”- tha Proda.

Ai shtoi se të arrestuarit nuk mbaheshin dot në dhomat e drejtorisë së policisë së Elbasanit pasi këto të fundit i janë nënshtruar një rikonstruksioni prej një viti.

"Si rregull duhet të mbaheshin në dhomat e ndalimit drejtorisë së policisë së Elbasanit të cilat për shkak se prej një viti janë në rikonstruksion, është krijuar ky ngërç. Ne edhe në raste të tjera jemi detyruar që të arrestuarit t’i çonim në bllokun e sigurisë në Tiranë”- shtoi Proda.

Duke komentuar këtë situatë të krijuar, ish-prokurori Eugen Beci tha se shkak është bërë inflacioni i arrestimeve. Sipas tij, duhet që qeveria shqiptare të ndërhyjë për rritjen e kapaciteteve të paraburgimit në përgjithësi. Ai e cilësoi të pakuptimtë dërgimin e të arrestuarve nga një qytet në një qytet tjetër.

“Inflacioni i arrestimeve ka sjellë këtë situatë. Ose duhet me urgjencë që qeveria shqiptare të rrisë kapacitetet e paraburgimit dhe të burgut në përgjithësi. Në të kundërt kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut sa i përket mënyrës së trajtimit të këtyre personave. Në fund kemi të bëjmë me shpenzime të tepërta që shtetit i krijohen prej kësaj situate.  Të mbash në paraburgim të Vlorës për shembull një person të arrestuar në Elbasan, ka shpenzime të tepërta për të realizuar një proces të rregullt gjyqësor. Këto shteti duhet t’i marrë në konsideratë”- u shpreh ish-prokurori.

Beci mori në analizë edhe vendimin e GJEDNJ për rastin 'Hysa', një zyrtare ndaj së cilës ishte caktuar 'arrest me burg' padrejtësisht. Sipas ish-prokurori institucionet shqiptare duhet të kenë bëjnë më shumë kategorizime në raste të tilla dhe të mos caktojnë masa 'arrest me burg' edhe kur personat e akuzuar nuk kanë asnjë mundësi të prishin provat e hetimit. 

Ora 15:38
‘Arresti me burg në Shqipëri është bërë si bukë me djathë’, ish-prokurori: Nuk është zgjidhja e duhur, masa e fundit që duhet të merret

 

Ish-prokurori Eugen Beci i ftuar në emisionin “Përballje” me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv foli për masën “arrest me burg” që sipas tij është bërë shumë e tepruar, duke u caktuar edhe kur nuk është e nevojshme.

Një gjë të tillë, sipas Becit, e tregoi edhe GJEDNJ me vendimin për rastin 'Hysa', një zyrtare e cila ishte mbajtur në arrest me burg pa të drejtë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ish-prokurori tha se kjo masë duhet të jetë në shkallën e fundit të masës së sigurimit që mund të merret.

“Vendimi i GJEDNJ në rastin Hysaj është tipikja e vështirësive që po hasin qytetarët me gjyqësorin shqiptar ku masa e sigurimit “arrest me burg” është bërë si bukë me djathë. Një masë e tillë jepet vetëm nëse çdo masë tjetër është e papërshtatshme. Organet shqiptare si për 0.1 gram si për 10 kg japin arrest me burg, nuk bëjnë fare kategorizim. Arresti me burg është ekstremi i fundit i një mase sigurimi.  Vetë GJEDNJ e ka quajtur të padrejtë mënyrën e izolimit të një qytetari. Ky është vendim referues për institucionet tona. Është detyrues për cështjen Hysa por këmbanë alarmi për organet ligjzbatuese shqiptare që duhet ta kuptojnë se arresti me burg nuk është mënyra e duhur”- tha Beci.

B.V/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ore: 07/02/2024 07:48

    Keta qe ka hequr vetingu, cfare te drejte morale kane qe dalin e japin mend lart e poshte neper studio te ndryshme! Nuk e kam me emrin konkret, por moralisht nuk duhet. Mire, keq, ata kane ikur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?