Drejtësia nën ‘rrethim’/ 8 gjyqtarë e prokurorë nën hetim nga ILD-ja, verifikim 2780 praktikave të dyshimta

19 Shkurt 2021, 17:55| Përditesimi: 19 Shkurt 2021, 19:53

  • Share

Tetë gjyqtarë dhe prokurorë janë marrë nën hetim gjatë vitit 2020 nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shkelje të rënda gjatë detyrës, ndërsa ka nisur verifikimi i 2780 praktikave të dyshimta në drejtësi, të denoncuar nga qytetarët, institucionet publike dhe organizata të ndryshme. Ky është bilanci i veprimtarisë së organit që kontrollon punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për periudhën shkurt-dhjetor 2020. Që nga konstituimi, pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësi janë referuar 3054 denoncime për abuzime të pretenduara të gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë detyrës.

Në ankesa denoncohen vendimet e padrejta të gjyqtarëve, zvarritja e gjykimit si dhe shkelje të etikës. Nga 3054 ankesa, ILD-së i kanë mbetur për të shqyrtuar edhe 2780 raste, për të parë nëse ekzistojnë shkeljet e pretenduara, për të nisur më pas hetimin disiplinor. Nga 8 vendime për të nisur procedimin disiplinor, ILD-ja ka kërkuar ndëshkimin e katër magjistratëve, ndërsa vijon hetimet për katër të tjerë. Konkretisht, ILD-ja ka kërkuar shkarkimin e gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha, e cila u arrestua disa ditë më parë nga SPAK, si dhe të prokurorit Bujar Memia, i cili ka heshtur për veprimtarinë e gjyqtares, e cila lironte të dënuarit për vrasje nga burgu. Ende nuk ka një vendimmarrje nga KLGJ dhe KLP për dy magjistratët në fjalë.

ILD-ja ka kërkuar shkarkimin e gjyqtarit Markelian Kuqo, pasi liroi nga burgu Gerd Gjeneralin, i dënuar me burgim të përjetshëm. Kërkesa për shkarkim u pranuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ndërkaq, sipas ILD nuk është pranuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkesa për procedim disiplinor ndaj prokurores Elina Kombi, e cila kërkoi të lihej në burg një 43-vjeçar për vjedhjen e 1 200 lekëve, i cili vari vetën më pas në qeli.

Gjatë vitit 2021, ILD do të fokusohet tek vendimet e lirimit me kusht të të dënuarve. Ndërkaq, Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) po heton 23 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të profilit të lartë, për pasuri të paligjshme, fshehje dhe mashtrim me deklaratat e pasurisë. Nga ana tjetër, Kuvendi ka shuar stafin e organeve të Vetingut, për të intensifikuar procesin e verifikimit të mbi 500 gjyqtarëve dhe prokurorëve të mbetur.

Bilanci i punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2020 

E.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • ymeri: 20/02/2021 00:04

    TE GJITHE JURISTET NGA 1990--2021 DUHET TE SHKARKOHEN,,PROCEDUAR[FUTUR NE BURG]] DHE KONFISKUAR PASURIA...KANE MARRE PARA DHE NUK KANE DHENE DREJTESI...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?