Drejtësia,Italia ofron mbështetje,
Gjonaj: Dy grupe pune për ...

15 Nëntor 2017, 13:06| Përditesimi:

  • Share
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, u takua me homologun e saj italian, Andrea Orlando, në Romë, ku po zhvillon një vizitë pune me ftesë të këtij të fundit.  Ministrja Gjonaj vlerësoi nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe theksoi vullnetin e qeverisë shqiptare për ta forcuar bashkëpunimin në funksion të partneritetit strategjik midis dy vendeve. Ministri Orlando shprehu vlerësimet për punën që qeveria shqiptare ka bërë në ndërmarrjen e një sërë reformash, veçanërisht ajo në sistemin e drejtësisë. 

Në takim u diskutua rritja e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë. Palët nënvizuan vullnetin për të vazhduar në rrugën e bashkëpunimit të ngushtë për zbatimin e reformës në drejtësi dhe të prioriteteve në fushën e drejtësisë. Ministrat u dakordësuan për hartimin e një Memorandumi Bashkëpunimi të një kuadri të gjerë në fushën e drejtësisë.

U ra dakord për ngritjen e dy grupeve të punës për detajimin e fushave ku do të orientohet dhe strukturohet bashkëpunimi, ku fokusi do të jetë në reformat legjislative, në fushën penitenciare, në ndihmën e ndërsjellë gjyqësore, në çështjet e drejtësisë penale për të miturit, duke përfshirë dhe aktorë të tjerë të sistemit të drejtësisë, me rol në formimin e magjistratëve, si dhe të qeverisjes të sistemit të drejtësisë. Ministria italiane e Drejtësisë do të ofrojë asistencën e saj për ngritjen e kapaciteteve të Departamentit të Kodifikimit, të personelit të institucioneve penitenciare.

Bashkëpunimi në masat që do të ndërmerren në luftën kundër krimit të organizuar është një tjetër aspekt i angazhimit mes dy vendeve dhe dy ministrive. Gjatë vizitës në Romë, ministrja Gjonaj do të ketë takime me përfaqësues të sistemit të drejtësisë italiane.

Prononcim i ministres Gjonaj pas takimit me ministrin Olando:
Ne sot kemi filluar një sërë takimesh në nivel politik dhe nivel teknik në Ministrinë e Drejtësisë dhe në disa institucione të tjera të sistemit të drejtësisë. Zoti Orlando shprehu të gjithë vlerësimin e tij për reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë kohët e fundit, sidomos atë të reformës në drejtësi.

Nga ana ime shpreha të gjithë angazhimin dhe vullnetin e qeverisë shqiptare për të konsoliduar bashkëpunimin me qeverinë italiane dhe kryesisht me Ministrinë e Drejtësisë italiane, për të jetësuar të gjitha prioritetet e qeverisë shqiptare në fushën e drejtësisë. Me ministrin Orlando ramë dakord që të përgatisim një Memorandum Bashkëpunimi, i cili do të jetë një instrument kryesor që do të udhëheqë punën tonë të përbashkët. Dy grupe pune do të ngrihen për të detajuar këtë marrëveshje.

Sot folëm për çështjet kryesore që do të jenë pjesë e bashkëpunimit që do të konsolidojmë me veprime konkrete dhe konsistojnë në zbatimin e reformës në drejtësi, në reformën në burgje, në reformën legjislative, për sistemin e drejtësisë penale për të miturit.

Ramë dakord që në këtë Memorandum Bashkëpunimi të jetë pjesë edhe ndihma e ndërsjellë gjyqësore dhe bashkëpunimi ndërgjyqësor lidhur me çështjet e ekstradimit, me çështjet e transferimit dhe njëkohësisht për të tejkaluar ato vështirësi që kemi hasur për zbatimin në praktikë të konventave, tashmë të miratuara nga të dy shtetet palë. Një ndër objektivat e marrëveshjes do të jetë gjithashtu edhe masat që do të marrim ne të dy si ministra Drejtësie në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pa diskutim, një fushë tjetër ku do të shtrihet bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë italiane do të jetë edhe bashkëpunimi me aktorët e drejtësisë në Shqipëri, siç do të jenë institucionet e reja që do të ngrihen pas fillimit të zbatimit të Reformës në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, apo Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si dhe me Shkollën e Magjistraturës, duke ofruar shkëmbim eksperience, apo edhe duke ofruar trajnime të përbashkëta për studentët e kësaj shkolle. Edhe sot, unë mora nga ministri Orlando vullnetin e pakushtëzuar të qeverisë italiane dhe të vetë ministrit, për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit europian sa më shpejt. 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?