Dossier/ Si i shpëtoi Korfuzi
nga duart Ali Pashë Tepelenës

11 Gusht 2016, 06:41| Përditesimi:

  • Share
Auguste Boppe ishte Këshilltar i Ambasadës  Franceze në Stamboll  në kohën që shkroi librin  kushtuar marrëdhënieve të Napoleon Bonapartit me Shqipërinë specifikisht me Ali Pashë Tepelenën  me titull në origjinal “L'Albanie et Napoléon (1797-1814) “. Libri i përkthyer në gjuhën shqipe, gjendet i daktilografuar në fondin personal të Ali Pashë Tepelenës në AQSH. Prej këtij daktiloshkrimi kemi zgjedhur disa prej pjesëve më interesante të librit për tia sjellë lexuesit tanë. Në pjesën e parë që botohet sot përshkruhet rifillimi i lidhjes së marëdhënieve diplomatike midis Francës Republikane të asaj kohe që drejtohej nga napoleon Bonaparti si Konsulli i Parë dhe Ali Pashë Tepelenës.  Auguste Boppe  ka qenë edhe  Ministër Fuqiplotë në Beograd dhe Pekin, si dhe Konsulli i Francës në Jérusalem. Ai ësstë nderuar me titullin “Chevalier i Legjionit të Nderit” me  14 Korrik1899, ai u ngrit në rangun e Oficerit  të Legjionit të Nderit me  17 shkurt 1913.
 
Aliu vendos që sulmojë rusët me qëllim që të realizojë ëndrrën e tij (f. 74-75)
Pashai më në fund kishte vendosur që të vepronte. Lajmet që merrte nga Kostandinopoja ashtu edhe nga krahinat danubiane e inkurajonin që të deklarohej kundër rusëve. Sulltani kishte kërkuar nga Perandori ndihmat e oficerëve dhe të ushtarëve francezë dhe në Janinë kishte ardhur lajmi se nga Dalmacia po shkonin shumë oficerë të shtatmadhorisë dhe artiljerë, dhe përbënin një detashment prej gjashtëqind topçinjsh, të cilëve pasi iu ishte përgatitura udha, do të shkonin nga Bosnja për në Kostandinopojë. Dita-ditës gjendja e rusëve në ishujt jonianë bëhej më e pafavorshme, mbasi i ishte mbyllur Bosfori flotës së saj, çështja e furnizimeve po bëhej shumë e vështirë. Prestigji i tyre, si edhe ai i anglezëve kishte rënë poshtë qysh nga dështimi i madh që pati admirali Duckworth përpara Kostandinopojës. Duke marrë për bazë të gjitha këto rrethana të favorshme, Pashai i Janinës mendoi se kishte arritur çasti për të, që të realizonte ëndrrën e vet.

Vendosi që të sulmojë rusët e Sainte-Maure-it. Nuk dyshonte aspak, se me këshillat e kolonelit Guillaume de Vaudoncourt dhe me ndihmën e artiljerëve francezë, ai do të mundte lehtësisht të pushtonte këtë ishull, dhe tani e ndjente veten jo vetëm sundimtar i Sainte-Maure-it, por edhe i Korfuzit. Por a do të lejohej që t’i mbante këto fitime? A do ta linte Perandori që të rrinte në këto ishuj? Ai duhej që të sigurohej më përpara për qëndrimin që do të mbante Bonaparti, prandaj për këtë gjë ngarkoi sekretarin e tij besnik, renegatin Mehmet Guerini për të shkuar me mision për të biseduar me Perandorin.
 
Pashai dërgon sekretarin e tij me mision te Bonaparti për çështjen e ishujve (f. 75-76)
Mbasi kishte marrë letrat e Pashait për Perandorin dhe për ministrin e Marrëdhënieve të Jashtme, i mbushur me rekomandimet më të mira të Pouqueville-it për gjeneralët francezë që duhej të takonte gjatë udhëtimit të tij, Mehmet Efendiu u nis nga Janina, i shoqëruar nga kapiteni Turpin de Montigny. Kudo që kaloi ky, shkaktoi një interesim të madh. Nuk kishte asnjë bej shqiptar ose boshnjak që të mos prekej nga ky mision. Pashai i Shkodrës, natyrisht xheloz përkundrejt atij të Janinës, ishte mjaft i shqetësuar. Për këtë gjë e ftoi në sarajin e tij konsullin e Francës dhe atje (“kokë për kokë”) vetëm që të dy pa asnjë tjetër dhe pas asnjë dragoman, e pyeste: “Ç’arsye e shtyu Ali Pashën që të dërgojë një nga sekretarët e tij te Perandori? A ishte e vërtetë se Ali Pasha do të njihej nga Franca si një sovran i pavarur me emrin mbret i Epirit? Dhe ç’quanin ata Epir?”. Duke parë se cilat ishin shqetësimet e Pashait të Shkodrës, iu përgjigj se Epiri për francezët ishte i gjithë vendi që banohej nga arnautët ose shqiptarët, me përjashtim të Maqedonisë, në të cilën ishte vendosur pashallëku i Shkodrës.
Mbasi u nis në ditët e para të prillit, Mehmet Efendiu pasi përshkoi Shqipërinë dhe Dalmacinë, më 12 maj ishte në Trawnik të Bosnjë, pastaj nga Spalato dhe Zara u nis për në Vjenë, pra nga 14 qershori, ambasadori i përgjithshëm Andréossy e drejtoi për në shtabin e përgjithshëm të Perandorit.
    
Ushtarët dhe vullnetarët shqiptare në bashkëpunim të ngushtë me ushtrinë franceze kundër rusëve (f. 77-82)
Sapo i dërguari i jashtëzakonshëm ishte nisur nga Janina, oficerët francezë iu vunë punës. Koloneli Nikolla, disa prej artiljerëve i dërgoi në bregdet pastaj me të tjerët u nis për në Prevezë. Prezenca e tyre mjaftoi që të transformonin kampin e Aliut. Me një mënyrë të jashtëzakonshme të prestigjit të tyre, fituan menjëherë bindjen e myslimanëve. Kudo manovrojnë dhe punojnë. “Pashë që të rendnin turqit!”, - shkruan Pouqueville-i. Nga Preveza në Janinë ka një lëvizje të vazhdueshme të trupave dhe të korrierëve. Konsulli ynë shkon personalisht në Prevezë. Konstaton vetë përfundimet e fuqisë së bashkatdhetarëve të tij. “Vetëm në disa ditë, ushtarët e madhërisë së Tij janë bërë më tepër se sa e gjithë Shqipëria mund të bënte në pesë muaj ... Asnjëherë dy njerëz nuk kishin qenë në marrëdhënie më të mira se sa ushtari francez dhe ushtari shqiptar; marrëdhëniet më të mira mbretërojnë ndërmjet bejlerëve dhe oficerëve tanë. Nikolla e nderon titullin glorioz të kolonelit francez. “Fatkeqësisht organizimi i keq në administratën e Ali Pashës paralizon shpeshherë lëvizjet e tij. Në rast se neve kërkojmë perona, na dërgojnë hekur, dhe punëtorët arrijnë pas tetë ditësh vonese. E keqja e të këqijave është se mbretëron bakallëk-u”.

Pouqueville-i viziton të gjitha punimet: “Sapo arrita në manastirin e Playa-s, shkova në baterinë e francezëve, ku gjeta kolonelin Nikolla duke punuar, me një sëpatë në dorë, në mes të bombave dhe të gjyleve që binin si breshër, të cilat i hidhte artileria moskovite. Ponceton-i, toger i topave, ishte në llogoren që ishte hapur shumë afër baterisë së rusëve. Pasi i vizitova të gjitha punimet shkova në kampin e shqiptarëve, të cilët më pritën me nderime të mëdha. Në mbrëmje u ktheva në baterinë franceze, dhe pasi kisha hipur në një kalë të bardhë, moskovitët më nderuan me katër bomba, dy prej të cilave plasën fare afër meje. I pashë me vërejtje të gjitha punimet që ishin filluar nga koloneli Nikolla dhe që dirigjoheshin nga të gjithë francezët. Koloneli Nikolla është shpirti dhe jeta e gjithë këtyre dhe e varkave të kësaj ekspedite që është tmerri i rusëve”.
“Jusuf-Arabi, kryegjeneral i vezirit, sapo mori lajmin e arritjes sime erdhi të më vizitojë dhe më shtrëngoi dorën duke më thënë fjalë të mira.

Mbasi shkova në Janinë për ta vënë në korrent Alinë mbi operacionet e Nikollës, shkuam me Pashain për të vënë gurin e parë të një fortese që ishte e destinuar për të mbrojtur gjirin e Ambraçikos”. Pastaj në letrën e tij Pouqueville-i vazhdon: “Neve zbarkuam në ora një pas mesit të natës në Salagora, dhe dy orë më vonë pas rënies së diellit shkuam në Prevezë. Anija “Le Requin” e nderoi vezirin me katërmbëdhjetë të shtëna topi. Kjo ditë i shkoi vezirit duke rregulluar shpenzimet e armatës së tij. Sot veziri ngriti tendën e tij në Sainte-Georges, dhe koloneli Guillaume filloi të diskutojë me të për planin e fortifikimeve. U mundova për ta bindur vezirin për disa fortifikata të rregullta, por ishte e pamundur, pasi është mësuar që të ketë besim vetëm në disa fortesa dhe kështjella të vjetra.

     Veziri hyri pastaj në anijen “La Requin” dhe i dëboj rojet e tij duke iu thënë se kur ishte në mes të francezëve, ishte te miqtë e tij. Pastaj Aliu shtoi duke thënë: “E ardhmja ime është në dorë të Perandorit, s’kam asnjë mbështetje tjetër veçse Perandorin tim Napoleonin, dhe miq veçse francezët. Do të dëshiroja që t’i dërgoja një nga djemtë e mi me katër mijë shqiptarë që të shërbenin nën urdhrat e tij”. Ai i tha fjalët më të bukura kolonelit Nikolla: “Shkruajini, - më tha ai, - shkruajini djalit tim, zotit Ambasador, se Epiri është Francë, dhe se do të mbledh një armatë që të jetë e denjë të luftojë në ato të Perandorit të madh. Pamja ishte me të vërtet prekëse, i pashë lotët në sytë e vezirit”.
 
Bonaparti nuk i dërgon asgjë të dërguarit të Aliut. Paqja e Tilsitit e dëshpëron Pashain (f. 82-85)
Pashai a do të na kishte trajtuar në këtë mënyrë në rast se do të kishte parashikuar pritjen që do t’i bëhej ambasadorit të tij të jashtëzakonshëm të Tilsit? Fati e donte që Mehmet Efendiu të arrinte në një kohë jo të favorshme në shtabin e përgjithshëm. I dërguari i Vezirit i kërkoi Napoleonit si çmim të bashkëpunimit ushtarak të zotërisë së tij kundër rusëve Korfuzin, pikërisht atë ditë që po i dorëzohej Perandorit nga Cari. Dhënia e kësaj, me të vërtetë ishte sekrete, por ishte vendosur, dhe Napoleoni që nuk e kishte harruar premtimin që ta linte Korfuzin në mbikëqyrjen e Ali Pashës, në rast se do ta merrnin francezët këtë ishull. Por tani, Perandorit nuk i erdhi mirë dhe e gjeti jo me vend të dërguarin e Pashait. Dhe menjëherë e shfaqi zemërimin e tij në një letër që i shkruante mbretit të Napolit: “Ju nuk duhet t’i dërgoni më ndihma Ali Pashës. Ju i keni vënë shumë rëndësi kësaj çështjeje. Çështjet nuk janë kaq të qarta sa ju duken”

. (Napoléon au roi de Naples, Tistitt, 4 korrik 1807. Correspondance, nr. 12851). Mehmet Efendiu e mori vesh këtë gjë kur pati nderin të pranohej nga Perandori. I parashtroi me elokuencë interesin që kishte Franca për t’i lëshuar Korfuzin Ali Pashës, por Napoleoni iu përgjigj: “Po si mund ta marrim Korfuzin? Unë nuk e kam”. “Por Madhëria juaj do ta ketë”, - i thoshte renegati. “Si mund ta marrim:”, - pëshpëriste Napoleoni dhe nuk thoshte gjë tjetër veçse këtij argumenti që nuk e komprometonte. Marmonti që përshkruan skenën në kujtimet e tij, shton: “Mehmet Efendiu duke iu dhënë vetëm shpenzimet e rrugës, u kthye te zotëria i tij”. Ai po i sillte një letër nga Perandori dhe një letër nga Ministria e Marrëdhënieve të Jashtme. Argjipeshkvi i parë i Autun-it i kishte dhënë gjykatësit të parë të Maltës këto dy dokumente ironike:
 
Talleyrandi për Mehmet Efendiun.
Tilsit, 10 korrik 1807.
Kam nderin t’ju drejto
j një letër të Madhërisë së Tij, Perandor dhe Mbret për Ali Pashën dhe përgjigjen time të letrës që pati nderin të më shkruante. Kini nderin t’ia jepni këto dy letra S. A. Qëndrimi juaj këto pak ditë këtu na ka bërë të lumtur.
 
Talleyrandi për Ali Pashën.
Tilsitt, 9 korrik 1807.
Shumë i ndritur, Shkëlqesi dhe shumë i mirë Zotëri,
I urti dhe i sjellshmi Mehmet Efendi, sekretari i Lartësisë Suaj, më dorëzoi letrën me të cilën më nderoni duke ma drejtuar dhe njëkohësisht u gëzua Perandori nga letra juaj. Perandori, pesëqind lega larg vendeve të tij dhe me fitime të vazhdueshme, okupohet për mënyrat që të vërë paqen në kontinent. Letra juaj i erdhi pikërisht në çastin e ratifikimit të paqes, dhe ju shkroi letrën që Mehmet Efendiu është ngarkuar t’ua dorëzojë nga ana e Madhërisë së tij.
Kam nderin t’ju shpreh, shumë i larti, shumë i ndrituri dhe shumë i mirë Zotëri, nderimet e mia më të larta.
    
Perandori Ali Pashës.
Tilsitt, 9 korrik 1807.
Mora letrën tuaj që ma dorëzoi sekretari juaj. E kam kuptuar brendinë e saj. Mora dijeni të miqësisë suaj, unë ju kam dhënë prova krejtësisht të veçanta të dashurisë sime, të cilën dëshiroj që juve ta ndjeni. Po urdhëroj gjeneralët e mi që të merren vesh me juve. Paqja është vendosur ndërmjet meje dhe Perandorit të Rusisë; Porta Sublime njëkohësisht. Do të pres kurdoherë me kënaqësi çdo gjë që do të më vijë nga ana juaj.
Paqja e Tilsitit e dëshpëroi shumë Ali Pashën me ndalimin e operacioneve të Sainte-Maure; roli ushtarak i kolonelit Nikolla kishte mbaruar. Ai u nis për në Dalmaci me të gjithë shokët e tij, më 17 gusht 1807.
 
Ripushtimi i Korfuzit nga francezët pas Traktatit të Tilsitit e dëshpëroi Ali Pashën (f. 87-89)
Duke i lëshuar për të dytën herë ishujt jonianë nën sundimin e francezëve, Traktati i Tilsitit bëri që të zhdukje ëndrra në të cilën Aliu kishte shpresuar shumë vjet rresht; tani nuk mundte më, me ndihmën e Francës të fitonte, siç shpresonte ai, njërin nga ishujt që kishin rusët. Me dhimbje asistonte në çastin që po i dorëzohej Sainte-Maure francezëve, gjë që ishte lakmia e tij e veçantë. Në të njëjtën kohë tani e shikonte Korfuzin se do të kthehej në një qendër intrigash për bejlerët shqiptarë, për të parët e grekëve ose për kryetarët e kompanive të armatorëve që kërkonin një mbrojtje kundër tij. Julien Bessières, që e njihte mirë Pashain, nuk mungoi që ta vinte në korrent Ministrinë e Marrëdhënieve të Jashtme për të pasur kujdes për ndjenjat e kundërta që do të lindnin në shpirtin e Aliut pas Traktatit të Paqes të Tilsitit, për të cilin interesi është mbi të gjitha. Gjithashtu i shkruante po në këtë mënyrë edhe nga Venecia: “Është një gjë e sigurt se Aliu është i disponuar që të shikojë si një armik personal cilindo qoftë që do të jetë zot i një vendi që ambicia e tij e dëshiron sundimin. Por derisa neve do të jemi poseduesit e vërtetë të këtij vendi, do të ketë kujdes që të mos prishet me neve; por përkundrazi me dhelpërinë e tij që është si baza e karakterit të tij, do të shfaqë ndjenjat e mira që ai nuk do të ketë më për neve, por po të ngjasë që Korfuzi të bllokohet nga anglezët, atëherë do të kënaqet për këtë gjë, dhe do të mundohet duke vepruar me çdo mënyrë që këtë luftë ta kthejë në përfitimin e tij”.

ali pasha

ali pasha

ali pasha

 
Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?