Dossier/Pse francezët bëhen
kundërshtar të Ali Pashës

12 Gusht 2016, 07:24| Përditesimi:

  • Share
Auguste Boppe ishte Këshilltar i Ambasadës  Franceze në Stamboll  në kohën që shkroi librin  kushtuar marrëdhënieve të Napoleon Bonapartit me Shqipërinë specifikisht me Ali Pashë Tepelenën  me titull në origjinal “L'Albanie et Napoléon (1797-1814) “. Libri i përkthyer në gjuhën shqipe, gjendet i daktilografuar në fondin personal të Ali Pashë Tepelenës në AQSH. Prej këtij daktiloshkrimi kemi zgjedhur disa prej pjesëve më interesante të librit për tia sjellë lexuesit tanë. Në pjesën e parë që botohet sot përshkruhet rifillimi i lidhjes së marëdhënieve diplomatike midis Francës Republikane të asaj kohe që drejtohej nga napoleon Bonaparti si Konsulli i Parë dhe Ali Pashë Tepelenës.  Auguste Boppe  ka qenë edhe  Ministër Fuqiplotë në Beograd dhe Pekin, si dhe Konsulli i Francës në Jérusalem. Ai ësstë nderuar me titullin “Chevalier i Legjionit të Nderit” me  14 Korrik1899, ai u ngrit në rangun e Oficerit  të Legjionit të Nderit me  17 shkurt 1913.
 
Ali Pasha kërkon pushtimin e Pargës, e cila i refuzohet nga Bonaparti dhe pushtohet nga francezët (f. 89-92)
Ngjarjet nuk vonuan për t’i dhënë të drejtë Bessières. Gjenerali César Berthier sapo kishte marrë në dorëzim Korfuzin, dërgoi ministrin e tij të dytë Haxhi Sheri efendiun, të cilin e shoqëronte drejtori i shkollës Psallida, për t’i uruar atij mirëseardhjen. Iu dërguan guvernatorit të përgjithshëm në të njëjtën kohë dy kuaj arabë dhe një shalë e bukur, i cili ia shpërbleu duke i dërguar një karrocë. Por Haxhi Sherifi ishte i ngarkuar me një mision më me rëndësi: ai i kërkoi që t’i lëshohej Parga, dhe këtë gjë e bëri me kaq mjeshtëri për të përmbushur dëshirën e Zotërisë së tij, saqë Berthier-i u detyrua të bjerë në kllapë.

Duke mos kuptuar rëndësinë e kërkesës së Pashait, dhe duke mos e konsideruar Pargën “veçse si një fortesë të vogël shumë të dobët, pa ndonjë rëndësi të madhe, dhe që nuk mund të rezistonte për shumë kohë, u tregua se nuk kishte ndonjë kundërshtim për t’i lëshuar këtë vend Ali Pashës “që ky e donte kaq shumë”. U desh që vetë parganjotët t’i hapnin sytë këtij. “Gjashtëdhjetë veta nga parësia e Pargës erdhën për t’u qarë ... Të gjithë banorët janë të vendosur që të vriten, se sa të sundohen nga Veziri”. Që nga kjo kohë nuk dinte se ç’të vendoste. Aliu e “përkëdhelte” dhe në të njëjtën kohë kishte vazhdimisht, që i luteshin atij, shumë njerëz që ishin armiqtë e betuar të Pashait, shqiptarë, grekë ose turq, që i kërkonin mbrojtjen e tij duke i treguar dashurinë për Perandorin. Prandaj tani i duhej atij “që të ishte diplomat me gjithë kuptimin e fjalës”.
Por kjo diplomaci nuk i pëlqente Perandorit. Kur mori vesh se, më në fund ushtria e tij kishte arritur në Korfuz, Perandori filloi të mendojë, që përveç posedimeve të ishujve duhej të pushtonte edhe disa vende në kontinent; dhe kështu urdhëroi mbretin e Napolit për të përgatitur projekte për të ngritur disa fortifikata fushore për ta bërë zot të këtyre pikave në kontinent. (Correspondance nr. 13119). Gjithashtu nuk mund ta mendonte se si César Berthier mund t’i propozonte për lëshimin e Pargës Ali Pashës. Ai i shkruante mbretit Josef më 6 tetor (Correspondance nr. 13223):

“Në këtë propozim ka marrëzi”, dhe disa ditë më vonë me anë të ministrit të Luftës, shkruante një letër shumë të rreptë dhe qortuese, të cilën gjenerali Clark do ta shpinte në Korfuz: “Madhëria e ka gjetur shumë pa vend propozimin që i bëri për lëshimin e qytetit të Pargës Ali Pashës. Perandori më ngarkon që t’ju vë në dijeni se nuk u takon aspak gjeneralëve të tij për lëshimin e tokave, dhe mos të vonohen ekzekutimet e urdhrave të tij. Madhëria e tij më urdhëroi që t’ju kujtoj me këtë rast urdhrin që ju ka dhënë më përpara, me të cilin ju lajmëronte për të pushtuar Pargën me fuqi, dhe ta mbroni këtë vend nga çdo kërcënim”. Ministri shtonte: “Sa për sjelljen tuaj politike dhe për sa i përket marrëdhënieve me kontinentin, ju kuptoni, gjeneral, se ju duhet të rregulloni Ali Pashën, por pasi është një njeri dredharak ju duhet të keni kujdes për propozimet ose kërkesat pa vend që mund t’ju bëjë. Perandori dëshiron, që sado herë që Ali Pasha do t’ju bëjë kërkesa ose propozime, ju do t’i përgjigjeni se do t’ia referoni Madhërisë së Tij. Më në fund, qëllimi i Madhërisë së Tij është që ju të mbani marrëdhënie të mira me të gjithë pashallarët dhe grekët. Dilema juaj duhet të jetë, që mbasi është bërë paqja, e gjithë e kaluara duhet harruar dhe që të gjithë njerëzit duhet të rrojnë në paqe dhe në miqësi të sinqertë. Madhëria e Tij këshillon mbi të gjitha – që mos të gënjeheni nga Ali Pasha – dhe të mos filloni asnjë marrëveshje diplomatike”.
 
Rëndësia strategjike e Pargës dhe e Butrintit. Krijimi i një konsullate në Berat (f. 92-94)
César Berthier-i shpejtoi që të përmbushte këtë urdhër që i ishte dërguar me kaq rreptësi. Menjëherë pushtoi Pargën me dyqind ushtarë, dhe mendonte njëkohësisht të dërgonte një detashment në Butrint, por Aliu kishte shpejtuar dhe ishte përqendruar atje.
Këto dy vende kishin rëndësinë më të madhe për mbrojtjen e Korfuzit: ishulli, i izoluar, ishte në mëshirën e ndonjë sulmi nga ana e anglezëve. Perandori priste nga një ditë në tjetrën anijet e tyre për të filluar bllokimin. Nuk ishte i sigurt për t’i shkuar në ndihmë, nga ana e detit, nga Italia ose nga Mbretëria e Napolit, kurse nga ana tjetër, armata e tij e Dalmacisë kishte gjithë lehtësitë për të transportuar, me anën e tokës, armatime ose ushtarë, në rast se pashallarët që kishin tokat që duhej të përshkoheshin, linin të lirë kalimin. Gjithashtu nga vullneti i tyre i mirë varej dhe furnizimi i garnizonit francez. Sipas urdhrit të Perandorit, mbreti i Napolit, princi Eugene, Marmont, Lauriston, dërguan oficerë për të njohur rrugën “të cilën duhej ta njihnin me saktësi dhe pikë për pikë” dhe dëshironin të kishin njoftime për portet e Durrësit dhe të Vlorës. Perandori kërkonte që të vendoseshin tartarë “qysh nga Butrinti gjer në Kataro për të lehtësuar qarkullimin”.

Ai vepronte me anën e Sebastianit, te Porta Sublime, që pashallarëve dhe sidomos atij të Janinës t’u jepeshin urdhra për të lehtësuar kalimin e oficerëve dhe të korrierëve. Më në fund për të qenë gati për çdo eventualitet, përgatiti me anën e shtabit të përgjithshëm të armatës së Dalmacisë një trupë ushtarësh prej 8.000 vetash të destinuar për të ndihmuar Korfuzin duke kaluar nga Butrinti, dhe në pritje ai dëshironte që të bëhej një udhëtim sa për provë nga batalioni i parë i regjimentit të tretë të lehtë italian. Për të realizuar lehtësimin e këtyre planeve, Marmonti që kishte filluar një aktivitet të madh me anën e korrespondencës me pashallarët e Shqipërisë, dërgoi një agjent në Berat për t’u vendosur pranë Ibrahim Pashës, prej nga varej Porti i Vlorës.
 
Pakënaqësia e shqiptarëve dhe e Pashait të Janinës përkundrejt francezëve, të cilët përpiqen të dobësojnë fuqinë e Vezirit (f. 95-103)
Agjenti Marmont, Vernazza, morën në shtabin e përgjithshëm të Zara-s, më 8 janar 1808, urdhrin që të shkonin në Berat për të përmbushur funksionet e konsullit francez. Detyra e tij kryesore ishte që të lehtësonin komunikacionet ndërmjet Korfuzit dhe krahinave –des Bouches- dhe do të përdorte për këto të gjitha mjetet e mundshme. Menjëherë që do të shkonte në Berat, do të merrte kontakt me z. Pouqueville, konsulli i përgjithshëm në Janinë, do t’i njoftojë atij të gjitha veprimet e tij, prej të cilit do të marrë edhe urdhrat.

Emërimi i Vernazza-s, që kishte marrë pëlqimin e Perandorit, nuk u njoh zyrtarisht veçse më 29 nëntor 1809.
Oficerët u nisën, karvanët po organizoheshin. Pritja që iu bë ishte krejtësisht ndryshe nga ajo që pandehej në Zara si edhe në Paris. Një dërgesë prej njëqind e tridhjetë e gjashtë voza barut, është e vërtetë që arritën në Korfuz; por të dy oficerët që i shoqëronin këto, kur përshkuan tokat e pashallarëve të Shkodrës dhe të beratit u poshtëruan nga popullata e këtyre krahinave, duke i sharë dhe duke i ndjekur me gurë dhe duke i pështyrë në fytyrë. Diçka më e shëmtuar i rezervohej adjutantit-komandant Charroy-Bailleul. Pasi u nis nga Zara me dy oficerë të tjerë, u sulmuan dhe u vranë më 12 mars nga banorët e Antivarit. Kudo pashallarët tregonin kundrejt nesh mërinë më të madhe. Gjithashtu Ibrahimi i Beratit mbante karshi nesh një rezervë dhe refuzonte të lejonte të qëndronte afër tij agjentin Bourbaki, që guvernatori i përgjithshëm i Korfuzit e kishte dërguar për të përgatitur kalimin e oficerëve të armatës së Dalmacisë.

Ky zemërim që filloi menjëherë në këto krahina për emrin e Francës, i detyrohej çështjes së Pargës dhe të Butrintit, që na kishte prishur me Ali Pashën, dhe ky i fundit dëshironte që kjo prishje të ndjehej në të gjithë Shqipërinë. Pushtimi nga ana jonë i Pargës e kishte zemëruar pa masë. Ai nuk pushonte së kërkuari këtë vend nga autoritetet e Korfuzit, të cilët le që ishin shumë larg për të përmbushur kërkesën e tij, por nga ana tjetër edhe kërkonin që të kishin të drejtën për të dërguar një garnizon në Butrint. Me këtë kërkesë, Aliu u tremb se mos Franca pushtonte me radhë qytetet e ndryshme që Venecia kishte nën sundimin e vet në kontinent dhe që i kishte akaparuar në kohën e largimit tonë të parë nga Korfuzi. Ai kundërshtoi që të lëshonte Butrintin, dhe kur ambasadori i Francës kishte marrë nga Sulltani një ferman që kjo fortesë t’i lëshohej ushtrisë së Perandorit. Aliu përgënjeshtroi të kishte marrë një urdhër të tillë nga sovrani i tij dhe u mundua për të filluar një lëvizje nga të gjithë pashallarët për të protestuar kundër Francës që të akuzohej se po përgatiste pushtimin e Shqipërisë.

Latente qysh nga Tilsiti, grindja plasi tani haptazi. Aliu që kishte filluar lidhjet e intrigave me anglezët, filloi të na japë prova të reja në çdo çast për vullnetin e tij të keq. Ai arrestonte pa shkak korfiotët, pengonte qarkullimin e kontinentit me Korfuzin dhe furnizimin e ishujve, kapte korrespondencën e Kostandinopojës ose të Dalmacisë që i dërgohej qeverisë së përgjithshme dhe më në fund e vinte në pamundësi konsullatën e Janinës që të përmbushte kryerjen e funksioneve të saj. Pouqueville ishte i rrethuar nga spiunë. “Turqit dhe grekët, disa nga urrejtja dhe disa nga frika, ishin larguar nga ai”. Ai nuk guxonte më të dilte nga shtëpia e tij, nga frika mos çnderohej. Perandori që nuk kishte pushuar, me anën e agjentëve të tij, që të kishte në kujdes Korfuzin Pashai i Janinës, po zemërohej nga qëndrimi i këtij të fundit. Perandori i shkruante mbretit të Napolit: “Ju duhet të vazhdoni të korrespondoni me Ali Pashain dhe t’i bëni të ditur se me dhimbje mora vesh që nuk ka më po ato ndjenja për mua; se në vend që të dërgojë ushqime me shumicë në shtatë ishujt, ai refuzon kërkesat; dhe se kjo nuk është as e mirë, as e urtë, as politikë”. (Correspondance nr. 13368).

Julien Bessière arriti në këtë kohë në Korfuz, si komisar perandorak i ngarkuar me autoritetin e qeverisë së përgjithshme për të gjithë korrespondencën me konsullatat në More, në Bosnje dhe në Arkipelag. Ai e kishte parashikuar sjelljen që Aliu do të mbante pas paqes së Tilsitit; dhe prandaj nuk u çudit aspak për gjendjen në të cilën i gjeti marrëdhëniet e qeverisë së përgjithshme me Pashain: “Duke mos pushuar kurrë që të jetë armiku ynë i fshehtë ose i deklaruar qysh se neve okupojmë ishujt, do të jetë kurdoherë njëri ose tjetri sipas rrethanave. Ambicia e tij dhe për t’ia arritur qëllimit të tij, e shtyjnë jo kundër francezëve, por kundër poseduesve të ishujve; së paku po t’i lëshohen atij Parga, Sainte-Maure dhe Korfuzi mund të bëhet që të ndryshojë ndjenjat; por të gjitha mjetet e një ndreqjeje dhe një paqeje kanë mbaruar; prudenca dhe mënyra e veprimit janë të padobishme përkundrejt një njeriu me një karakter artificial ... ka ardhur koha që të përdorim mjetet e dobishme, për të hequr qafe një fqinj kaq pengues sa edhe të rrezikshëm”.

Venecianët, kur ata posedojnë ishujt, ishin munduar që të ndalonin dhe të pengonin pashallarët që të merrnin një rëndësi të madhe. Rusët kishin vepruar po në këtë mënyrë në kohën e sundimit të tyre në Korfuz: e kishin penguar Alinë duke mbajtur kundër tij grekët që kishin me vete dhe në të njëjtën kohë kishin luftuar influencën e tij që kishte në këshillat e Portës Sublime. Interesi ynë na urdhëronte që të vazhdonim një politikë analoge dhe të bënim ç’ishte e mundur për të pakësuar fuqinë e Pashait të Janinës.
Bessieres vendosi që qysh tani “zëri i tmerrshëm i Perandorit të binte mbi kokën e këtij insolenti”, dhe dakord me gjeneralin Donzelot që kishte ardhur në vendin e César Berthier-it në qeverinë e përgjithshme të ishujve jonianë, ai propozonte që ambasada e Francës në Kostandinopojë të bënte ç’ishte e mundur për ta deklaruar Sulltani Ali Pashën e Janinës rebel. “Nga efekti i kësaj deklarate duhej që vetvetiu fuqia e këtij të dobësohej”; në të njëjtën kohë ai sugjeronte që të mblidhnin të gjithë armiqtë e Aliut, dhe t’i organizonin dhe t’i mbanin gati për të vepruar kundër tij në çastin e duhur.

Korfuzi ishte azili i të gjithë atyre që qaheshin nga Pashai. Qysh prej shumë kohe suljotët kishin gjetur mbrojtje atje dhe ishin bashkuar me një shumicë të madhe grekë dhe shqiptarë, banorë të bregdetit, që ishin arratisur për të shpëtuar nga tirania e Pashait; duhej të fillonin organizimin e këtyre refugjatëve dhe të regjimentit shqiptar, që ishte krijuar qysh me ardhjen e gjeneral César Berthier në Korfuz, grumbulloi nën drejtimin e kryetarëve të tyre kryesorë shumicën e familjeve që ishin vendosur nën mbrojtjen tonë. Por nuk ishin vetëm të krishterët që kërkonin ndihmën tonë: gjithashtu edhe myslimanët e kërkonin këtë gjë; kështu që ndërmjet bregdetit dhe ishujve kishte një ecejake të shpeshtë të bejlerëve shqiptarë, të parësisë greke, dhe emisarë të çdo lloji. Qysh me kthimin e francezëve më 1807, Korfuzi ishte bërë, si edhe në okupacionin e parë të 1797-ës, pika në të cilën Shqipëria dhe Moreja kishin kthyer shikimin e tyre.

Kështu ishte formuar në qeverinë e përgjithshme një zyrë e vërtetë për çështjet shqiptare, ku oficerë prej origjine levantine, kapiteni Merkati dhe togeri Stamati Bulgari, shërbenin si interpretë, dhe merreshin me gjithë punët e tjera, u përgjigjeshin letrave të bejlerëve, korrespondonin me sekretarët dhe me doktorët e pashallarëve. Renegati Mehmet Efendiu, pas dështimit të misionit të tij në Tilsitt, e gjeti me vend që të mos vazhdonte më punën në oborrin e Janinës, prandaj erdhi edhe ky të merrte pjesë në këtë ndërmarrje. Por vendi i tij i merituar ishte atje në Janinë, ku ishte një vatër intrigash. Nuk kishte asnjë pasha, i cili të kishte qoftë edhe pak rëndësi që të mos kishte ndonjë të besuar në Korfuz, të akredituar pranë qeverisë së përgjithshme. Bessieri mundohej pra, qëkurse ishte i autorizuar nga ministri i Marrëdhënieve të Jashtme, të zbatonte planet që trajtonte për të dobësuar Ali Pashain.

napoleoni
 

Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?