Dossier/ Biseda e vështirë në
klubin "Planet Hollywood", Romë

7 Gusht 2016, 08:55| Përditesimi:

  • Share
4 shtator, Tiranë dhe Lazarat
 
"Zëri i Popullit": "Lazarat, policia nuk tërhiqet. Siguri në aksin rrugor nacional". "Rilindja Demokratike": "Lazarati është bastion i pamposhtur antikomunist".
 
5 shtator

 
"Rilindja Demokratike": "Tirana: qërohu Nano!", "Ta shporrim, ta shporrim, ta shporrim qelbësirën", "Protesta të fuqishme për të rrëzuar klikën", "Nano po destabilizon vendin", Berisha: Nano, mos prek Lazaratin, se beteja zhvillohet në Tiranë", "Berisha: Uragan popullor kundër Nanos", "Nano: Paratë e dritave të blihen plumba".
"La Gazzetta del Economia", e cila është një shtojcë e "La Gazzeta del Mezzogiorno", me redaksi qendrore në qytetin e Barit, që në faqen e parë njoftonte publikun se ditën e shtunë kryeministri Romano Prodi do të përuronte Panairin e 62-të të Lindjes në Bari.
Në po atë edicion botonte një intervistë presidenti i tij Françesko Divela. Ai informonte se më 16 shtator do të ishte në qytetin e Barit edhe kryeministri Fatos Nano.
Në Shqipëri atë mbrëmje mitingu i përkrahësve të opozitës me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Nënë Terezës u udhëhoq nga lideri i demokratikëve, Sali Berisha. Ky ishte shumë paqësor. Nuk mbajti fjalime të ashpra kundër qeverisë, po ashtu u sollën edhe bashkëpunëtorët e tij.
Për herë të parë Azem Hajdari nuk shqiptoi asnjë fjalë.
 
planet hollywood
(Klubi amerikan, planet Hollywood, Romë)

"Planet Hollywood"
Lokali i shumëpëlqyer nga rinia romane ishte në zemër të kryeqytetit italian, tamam sapo niste "Via del Tritone". Ose sapo mbyllte harkun sheshi magjepës Barberini dhe çurkat e shatërvanit të tij nuk ndiheshin më nga që i mbyste gjëmimi i shtjellës së krijuar nga kryqëzimi i makinave. Pikërisht atje ato vinin vërtikshëm nga pesë drejtime.
Gazetari italian i një të përditshmeje të madhe po e priste tek hyrja e "Planet Hollywood". Diplomati i Parë nuk kishte hyrë asnjëherë në këtë bar shumë modern dhe ideja për t'u takuar aty ishte vetëm e kolegut vendas. Ky ndoshta këtë nostalgji për një bar të tipit amerikan e kishte prej një rregulli të caktuar nga shefat e tij: çdo vit për dy muaj shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që nga Nju Jorku bënte korrespodentin e gazetës.
Diplomati i Parë i shtriu dorën dhe tjetri ja rrëmbeu shpengueshëm. Pastaj tha frazën më të pëlqyer prej tij në këto raste "faço strada", e cila donte të thoshte "po të hap rrugën". Shqiptari qeshi hovshëm, siç edhe bënte gjithnjë kur italiani shqiptonte formulën e tij magjike. Pastaj e ndoqi nga pas.
Brenda "Planet Hollyëood" kishte mjaft njerëz, por çuditërisht prania e tyre nuk ndihej. Shumë klientë humbitnin të gëlltitur nga mjaft "xhepa" e kthina të lokalit. Ndërkohë vëmendjen e ardhësit e përpinin menjëherë disa ekrane të mëdhenj, të cilët mbulonin të gjitha pjesët e sipërme të faqeve anësore. Atje shfaqeshin pa pushim filma amerikanë, ku nuk mungonin edhe tre pronarët e njohur të këtij rrjeti ndërkombëtar klubesh: artistët e famshëm Bruce Eillis, Sylvester Stallone dhe Demi Moore.
Diplomati i Parë e ndjeu veten si të zhytur në një botë të mistershme e ku nuk mungonte ankthi. Pak muaj më parë këtij bari i kishin vënë tek dera një sasi eksplozivi dhe në mënyrë spektakolare ja kishin thërrmuar vitrinat e xhamta. Lajmi i bujshëm që zuri vendet e para në edicionet informative të radiotelevizioneve, më shumë u shpjegua si një hakmarrje antiamerikane e tipit të Bin Ladenit apo edhe e grupeve italiane ekstremiste të vetëshpallura antiimperialiste.
Në të vërtetë "Planet Hollywood", duke qenë se ishte lokali i vetëm i madh amerikan në Romë, konsiderohej edhe si simbol i SHBA.
-Çfarë pëlqen? - e pyeti Diplomatin e Parë gazetari i të përditshmes së madhe, ndërsa vetë u ul në një ndenjëse të lartë tamam në dritaren e qelqtë që shihte në rrugën e zhurmshme "Via del Tritone". Prej andej zbulohej një pamje mahnitëse: njerëzit që ecnin nëpër trotuar ishin aq afër sa, po të mos ishte cipa e xhamit, të dukej se gjendeshe mes tyre.
-Një Koka - u përgjigj diplomati shqiptar. Tjetri përkuli lehtë kokën me një "OK" dhe shtoi se për vete pëlqente të pinte lëng manaferre. Ndërsa kamerieri u shfaq sakaq si të kishte zbritur prej njërit nga ekranet e mëdhenj dhe pastaj u largua po kaq shpejt sa dukej sikur ishte kthyer sërish brenda tij, gazetari italian la në syprinën para vetes një paketë "Marlboro". Pastaj nxori prej saj një cigare dhe e ndezi. Gjestin e kreu me shumë shpejtësi. Ende i pa ulur në ndenjësen e lartë Diplomati i Parë provoi një marramendje të lehtë. E kishte fikur cigaren e tij pak çaste para se t'i avitej fundit të sheshit Barberini vetëm e vetëm që të mos e kishte atë lakmi brenda luksozit "Planet Hollyëood". Ai përdorte, ashtu si edhe disa nga kolegët e tij shqiptarë, cigare të blera me çmim të lirë. Ata merrnin paga të ulëta dhe kush kishte vesin e duhanit ì krijonte një barrë jo të vogël buxhetit të familjes.
-Dua të shkruaj sërish për Shqipërinë-foli me zë intim gazetari italian - Ti e di që unë e dua vendin tuaj.
Diplomati i Parë buzëqeshi i sforcuar. Ndërhyrja e menjëhershme e tjetrit e kishte gjetur të papërgatitur.
-Ne përherë ju kemi çmuar dhe gëzohemi sa herë që poshtë artikujve për Shqipërinë shohim firmën tuaj - i ktheu përgjigjen standard. Tjetri e la kënaqësinë t'i dukej mirë në fytyrë. Ai kishte një lëkurë cipëhollë dhe ajo depërtohej lehtë nga të gjitha emocionet që lëvrinin poshtë saj.
-Mirëpo situata atje më duket disi e paqartë-shtoi papritur.
Diplomati shqiptar u shti indiferent ndaj çeljes së bisedës "menjëherë në temë". Sigurisht ai e kishte pranuar takimin me prapamendimin e thjeshtë që t'i impononte tjetrit sa të mundte ato që vetë mendonte. Nuk kishte asnjë dyshim që shtypi italian, i cili ato ditë i kishte kthyer sërish kolonat e faqeve të tij drejt Shqipërisë, kishte uri. Dhe nga përvoja, kur uria ishte e madhe, gazetat përtypnin gjithçka.
-Më duket se kryeministri juaj Fatos Nano nuk i ka punët mirë- vazhdoi tjetri fillin e mendimit të tij - Apo nuk është kështu?-pyeti brofshëm dhe në pritje të përgjigjes i
xixëlluan sytë. Ai ishte mësuar ta kuptonte thelbin e përgjigjes që në fillim dhe për këtë i mjaftonte vetëm vështrimi i njeriut të goditur drejt për së drejti nga pyetja.

fatos nano
(Ish-kryeministri Fatos Nano)

-Nuk e besoj që Nano i ka punët keq - shkoqi ngadalë fjalët e tij Diplomati i Parë, kësaj radhe më shumë për të zënë në dialog një pozicion më të favorshëm. Kishte paramenduar një bisedë në të cilën do të shpjegonte ndonjë nga zhvillimet më të fundit në vendin e tij, kurse tashmë delte se bashkëbiseduesi i tij po e sfidonte në një terren tjetër. Nuk mund t'i shmangej duelit, ca më shumë që tjetri dinte shumë, të paktën për arsyen e thjeshtë se hynte në dyert e zyrave më të larta të Romës dhe kishte njohje me politikanët më të spikatur të vendit.

-Sali Berisha po e nxeh situatën në një mënyrë të tillë që më bën të besoj se është punë profesionistësh-shqiptoi tjetri dhe ndoqi me sy kamerierin që solli gotën e madhe me koka-kolë dhe pijen e manaferrave.

sali berisha
(Sali Berisha, ish-kryeministër, 2005-2013)

-Kjo është e vërtetë - tha Diplomati i Parë pasi me mollëzat e gishtave preku butë qelqin e kristaltë të gotës. Ajo tashmë ishte e ngjyrosur me të kuqëremtin e thellë të koka-kolës -Në manifestimet e nxitura prej tij vërtet ka përshkallëzim sistematik dhe nuk mungon edhe një objektiv preciz: dorëheqja e kryeministrit.
-Tamam-thirri gazetari italian-E shprehe bukur: përshkallëzim progresiv me objektiv dorëheqjen e Nanos.
Pastaj heshti dhe goditi me pjesën e thonjtë të gishtit kristalin e gotës së tij. Pak sekonda më pas ngriti sytë dhe ja nguli vështrimin diku mes ballit.
-Mirëpo unë, në më lejon i dashur diplomat, do të bëja edhe ndonjë saktësim të vogël në këtë mendimin tuaj të vyer: Sali Berisha po e përshkallëzon protestën e tij drejt veprimeve të forta dhe kryesisht rrëzimit të Fatos Nanos -  tha italiani - Jo shtrëngimit për dorëheqje.
Krejt papritur kishte ngritur gotën me lëngun e manaferrës dhe kërkoi ta përplaste me atë të diplomatit shqiptar.
-Çin-çin!-thirri. Sytë po i xixëllonin dhe tek sa vuri në buzë pijen ata menjëherë iu ngjyrosën me të kuqin e murrmë të manave të tokës.
Diplomati i Parë vuri buzën në gaz. Ai mendonte saktësisht si tjetri, por sigurisht nuk mund t'i shprehej hapur.
-Nano ka bërë thirrje për pajtim e ndoshta kjo...- vijoi.
-Ah! - thirri papritur tjetri si të desh t'ia pengonte të folurën-Kjo nuk e largon atë që po i afron Berisha. Thirrja për pajtim e ndoshta falja e politikanëve që kanë arrestuar...
-Nuk i arrestoi ai.
-E di, e di...dhe kjo është drama. Atij ja krijuan problemin, nuk e shkaktoi vetë. Për këtë arsye e ka më të vështirë të dalë nga gracka.
Në trotuarin e "Via del Tritone" kalimtarët ecnin pambarimisht dhe ndonjë prej tyre, tek rrëshqiste përtej xhamit, kthente kokën nga ata të dy. Instinktivisht diplomatin shqiptar e pickoi parandjenja se ishin mes turmës dhe të gjithë po i dëgjonin. Heshtja e mëpasshme zgjati aq sa e dëboi këtë iluzion.
-Italia ka interesa jetike në Shqipëri - vijoi gazetari, tek sa po përpiqej të kuptonte përhumbjen e beftë të syve të bashkëbiseduesit-Interesa të detyruara. Prej kësaj rrjedh shqetësimi i saj për qëndrueshmërinë në vendin tuaj. Sigurisht ne nuk mund të na pëlqejnë as prishësit e saj dhe as të pazotët për ta ruajtur.
Në mbarim të kësaj fraze heshtja ra me rrapëllimë si të ishte një trung i stërmadh peme të tharë.
-Ndoshta e dini që një delegacion i madh i kryeministrit Fatos Nano po bëhet gati që pas një jave të vijë në Romë-ndërhyri Diplomati i Parë më shumë për të mbledhur veten-Është një takim i madh, shumë i rëndësishëm, nis me Konfindustrinë, vijon me një bisedë me Romano Prodin, po punojmë edhe për një takim të mundshëm të tij me Papën, me opozitën e qendrës së djathtë po ashtu. Pastaj delegacioni do të udhëtojë drejt Panairit të Barit, ku posaçërisht është organizuar një "Ditë për Shqipërinë".
Ishte radha e tjetrit të heshtte. Gota e tij me manaferrë ishte në fund.
-Të gjitha këto i di-shqiptoi ngadalë-Veç kam një merak se nxehja e gjendjes në Shqipëri dhe përgatitja për këtë vizitë po ecin paralel, madje me shumë shpejtësi dhe precizion. Duken si dy raketa që janë llogaritur të përplasen me njëra-tjetrën.
Heshtja tashmë ra fundësisht e thellë, tamam si të vinte nga fundi i tokës. Në trotuarin e "Via del Tritone" lumi i madh i kalimtarëve dukej sikur shihte vetëm nga ata të dy. Dukej sikur ishte tretur edhe cipa e xhamit e "Planet Hollyëood".
Gazetari piu atë pak lëng që i kishte mbetur në gotën e kristaltë. Pastaj i ngriti sytë për t'i gjetur sa më shpejt vështrimin diplomatit shqiptar. Ata kishin marrë përfundimisht ngjyrën e përkuqtë dhe dukej sikur lëngu i manave të tokës, ndërsa e kishte pirë, i ishte derdhur i tëri në bebëza.
-Dua të të tregoj një hollësi dhe mos mendo se këto çaste më ka vënë poshtë ndonjë emocion - tha ai. Po mundohej t'i kishte sa më të qarta fjalët  - Që Nano nuk ka qenë ndonjëherë në zemrën e qeverisë së Romës e zbulon një fakt i vogël, por i kuptimshëm i vitit të shkuar, në çastin e parë kur u ndeshën në Pallatin Kixhi të dy palët, qeveria italiane dhe ajo shqiptare. Kur u mbyll mbledhja, Prodi e trajtoi në mënyrë shumë brutale kryeministrin tuaj të ri. "Më ke dhënë kënaqësi që më ke dërguar projektprogramin e qeverisë - i tha menjëherë - por shoh se mes aleatëve kini vendosur në vendin e parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Italia qenka në radhë me të tjerët. Atëherë në rast se doni të bashkëpunoni me të tjerët, ecni me ta!"
Diplomatit të parë trupi iu mpi dhe iu bë gur.
-Dhe zoti Dini, ministri ynë i Jashtëm, e mbështeti - vijoi pamëshirshëm tjetri - I tha Fatos Nanos "Nesër është konferenca e vendeve dhuruese. Përse nuk shkoni t'i gjeni paratë tek SHBA?"
-Vija e tij filogreke nuk i ka pëlqyer kurrë Romës - vijoi pamëshirshëm gazetari italian.
-Nano u ka bërë konçensione shoqërive greke, angleze dhe gjermane, duke u lënë vetëm thërrime atyre italiane - vijoi emri i njohur i një prej të përditshmeve më të mëdha të vendit. Dukej se po shijonte raundin e fundit të dialogut, atë në të cilin po hidhte përtokë nokdaun diplomatin shqiptar.
Ky ende i kishte të ngulur sytë tek skaji i sheshit Barberini,  ku një çast pati vegimin se ishte shfaqur Fatos Nano. Në të vërtetë kryeministri shqiptar kishte të emigruar prej shumë vitesh në Romë njërën nga motrat e tij dhe herë pas here vinte ta takonte.
-Vija filogreke e Fatos Nanos është evidente - vazhdonte tjetri - Si provë po sjell faktin që ai ka pasur dëshirë më shumë për Korridorin 7, i cili e lidh me Greqinë dhe jo për atë 8, që e lidh me Italinë. Kjo vijë filogreke nuk i pëlqen as Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në "Via del Tritone" pas cipës së xhamit të “Planet Hollyëood” njerëzit iknin pa pushim, iknin, iknin, iknin. Diplomati shqiptar u përpoq të mblidhte veten. 
-Uroj që kryeministrit tuaj të mos i ndodhë asnjë nga ato që parathonë ngjarjet në zhvillim në Tiranë – ngulmoi në arsyetimin e tij gazetari i të përditshmes së madhe - Por ai nuk ka qenë më i dobët ndonjëherë se ç'është tani. Në fund të fundit nuk janë pak ato qarqe të fuqishme që duan ta lënë në fatin e vet.
Diplomati i Parë priti edhe një çast, por tjetri siç duket kishte përfunduar. Pati nxjerrë një cigare "Marlboro" dhe po e pinte i qetë.
-Thua ky është shpjegimi më i sigurt i ngjarjeve? - ia hodhi pyetjen bashkëbiseduesit.
-Ndoshta është njëri nga shpjegimet - shqiptoi ngadalë dhe ftohtë tjetri.
-Sepse sipas këtij varianti unë dalloj një kontradiktë.
-Kontradiktë?!
-Ajo lidhet me SHBA-në dhe sigurisht sqarimi i saj përcakton fate shumë më të rëndësishme se ajo e Fatos Nanos. Për shembull ju cituat një ngjarje, sipas të cilës Romano Prodi dhe Lamberto Dini gjatë vizitës së parë këtu të Nanos paskan qenë të zëmëruar se në vend të Italisë qeveria e tij paska përcaktuar si aleat të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më pas del se po të njëjtit qeveritarë janë të zëmëruar me kryeministrin shqiptar se mban anën e Athinës. Është filoamerikan apo filogrek Fatos Nano?
Gazetari italian picëriu sytë.
-Në gjendet më afër SHBA-së duhet të preferojë Korridorin 8 më parë se atë 7 - vazhdoi logjikën e tij Diplomati i Parë.
Tjetri megjithatë nuk e humbi qetësinë.
-Sidoqoftë pranë jush nuk po zhvillohen ngjarje vetëm në Tiranë – tha - Ato janë më të thekshme dhe më urgjente në Prishtinë.
Diplomati i Parë ia nguli vështrimin. Italiani nënqeshi.
-Po të marrim nga një lëng tjetër frutash mund ta provojmë sondazhin tonë edhe në këtë drejtim – shqiptoi - Së shpejti bie muzgu dhe kur dritat feksin përtej në rrugë këtu biseda shijohet si në një botë përrallash.
 
(Vijon)
 

Tiranë, më 15 korrik 2016
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?