Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore Klotilda Bushka

Dosjet e ish-sigurimit/ Asambleja e KiE vendos hartimin e rezolutës për të drejtën e informimit mbi dokumentet historike

11 Tetor 2022, 18:00| Përditesimi: 11 Tetor 2022, 20:08

  • Share

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka vendosur hartimin e një raporti dhe diskutimin e një rezolute për të drejtën e informimit mbi dokumentet historikë me fokus ish-regjimet autoritare. Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore Klotilda Bushka, e cila njëkohësisht është caktuar edhe si raportere për këtë raport dhe rezolutë.

“Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendosi të hartohet një raport e të diskutohet një rezolutë për të drejtën e informimit mbi dokumentat historikë me fokus ish regjimet autoritare. Asambleja kërkon një studim për Evropën mbi këto çështje dhe hartimin e rekomandimeve për shtetet anëtare, me synim që e vërteta objektive të bëhet transparente dhe mos përsëriten më gabimet e të shkuarës. Jam e nderuar që Komiteti i Çështjeve Ligjore në Asamble vendosi me unanimitet caktimin tim si raportere për këtë raport dhe rezolutë! Besoj fort se kjo përgjegjësi që mu dha do i shërbejë, përveç të tjerave, dhe standarteve më të mira për proceset parlamentare që kemi nisur në Kuvend për transparencën e plotë lidhur me dosjet e ish sigurimit të shtetit dhe moslejimit të personave bashkëpunëtorë të ish sigurimit të shtetit diktatorial, për të qenë pjesë e jetës publike e politike në Shqipëri”, shkruan Bushka.

PS dhe PD kanë ranë dakord në parim me kërkesën e grupit të Enkelejd Alibeajt për deklafisikimin e dosjeve dhe akses të pakufizuar në to, përveç rasteve kur cenohet siguria kombëtare. Ndërkohë, pritet që të miratohet edhe kërkesa e socialistëve për të eliminuar të gjitha pengesat ligjore që i mohonin Autoritetit të Dosjeve të drejtën për të verifikuar politikanët që më herët janë pajisur me certifikatën e pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini-Bezhani në vitet ’90. 

Me kërkesën e PS, të gjithë figurat publike, përfshirë edhe politikanët do të futen sërish në sitë, ndonëse kanë marrë certifikatë nga komisioni Mezini-Bezhani. Në rast se ata rezultojnë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, do tu ndalohet të jenë pjesë e politikës apo administratës publike.

Kjo nismë e socialistëve dhe demokratëve vjen pasi Autoriteti i Dosjeve i raportoi Kuvendit se pas sinjaleve në e-mail nga një qytetar që kishte tentuar të arratisej nga vendi pak para viteve ’90 kishte faktuar se ish-presidenti Ilir Meta ishte bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të shtetit, pra kishte spiunuar te Sigurimi planin e arratisë së shokut të tij, pretendim që vetë Meta, tashmë kreu i Partisë së Lirisë, e ka mohuar.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?