Dom Nikollë Kaçorri, dokumente të panjohura
për arkitektin e shtetit të parë shqipta

28 Nëntor 2013, 08:19| Përditesimi:

  • Share
VJENE- Sot është festa e pavarësisë së Shqipërisë dhe çdo shqiptar feston datëlindjen e atdheut. Çdo nëntor, flamuri i lirisë valëvitet në çdo derë e dritare shqiptare, falë atdhetarëve që punuan e sakrifikuan edhe me jetë për  tokën tonë të shtrenjtë. Punëtorë të palodhur që sollën krijimin e kombit, burrat e pavarësisë të 1912-ës meritojnë nderim e lavdi. E kush me shumë se Ismail Qemali, Imzot Nikollë Kaçorri, Isa Boletini... me shokë duhen nderuar e kujtuar në këtë jubile?  

Duke qenë se më ra fati të merrem shumë me jetën e veprën e Imzot Nikollë Kaçorrit,  vendosa të shkruaj këto rreshta për këtë kolos të lirisë e atdhedashurisë e përmes tij të nderoj të gjithë figurat e ndritura të kombit që firmosën aktin madhor të Pavarësisë.

Me këtë rast dëshiroj të bëj të njohur për lexuesit shqiptarë disa dokumente të pabotuara më parë në lidhje me arkitektin e shtetit të parë shqiptar dom Nikollë Kaçorrin. Dihet nga lexuesi që ai vdiq në Vjenë në spitalin (sanatoriumin Fürth) ku kishte ardhur të kurohej për një sëmundje kronike të mushkërive. Thuhet që ai vdiq jo nga sëmundja e mushkërive, por nga një keqësim i shpejtë dhe i papritur i shëndetit, e kjo më bëri që të kërkoj me ngulm në arkivat e pasura të shtetit austriak, për të gjetur diçka zyrtare rreth sëmundjes apo shkakun e vdekjes së tij të papritur.

I shtyrë nga intuita, fillova të kërkoj në arkivin e arkidioqezës së Vjenës ku ndodhen me qindra letra e dokumente për çështjen shqiptare. Gatishmëria e sekretares së arkivit, të cilën e falënderoj nga zemra, më hapi dyert që të shoh regjistrat e vdekjes, ku për çdo të vdekur gjendet data e vdekjes, vendi ku vdiq, përshkrimi i personit, shkaku, dita e varrimit, si dhe vendi i varrit.

     Së pari i kalova një sy librit të indexit ku gjendeshin emrat e të gjithë personave që kishin vdekur në vitin 1917, ku për fatin tim me numrin rendor 238 gjendej emri i patriotit Nikollë Kaçorri ( Nikolaus Caciori). Më pas, sipas këtij orientimi, kërkova në regjistrin themeltar të vitit 1917, në faqen 238, ku me numër rendor 103 gjeta të regjistruara të gjitha të dhënat për Imzot Kaçorrin.

Numri rendor 103/ data e vdekjes: 29 maj 1917/vendi i vdekjes: Schmitgasse 14/ përshkrimi i personit: Caciori Nikolas, famullitar i qytetit të Durrësit, beqar, i lindur në Lurë, me punë në Durrës të Shqipërisë. Në këtë fletë ka një gabim shkrimi, është shënuar mosha e të vdekurit 49 vjeç.
Në faqen tjetër vijonte: shkaku i sëmundjes – (Magen und Darmgeschëür) ulcerë e stomakut dhe e zorrëve/ varrosur në Zentralfriedhof/ varrosur me 1 qershor 1917.

Pasi fotografova këto fletë regjistri në arqipeshkvi, kërkova në administratën e varrezave qendrore të Vjenës çfarë atje gjendej për të vdekurin Kaçorri. Fatkeqësisht administrata atje nuk  ishte shumë bashkëpunuese, por megjithatë arrita të marr një fletë të përgjysmuar, e cila kishte mbetur ashtu meqenëse varri kishte  ndryshuar gjendje. Po në atë var (me Imzot Kacorrin) u varrosën më pas dy persona të tjerë në distancë (në thellësi) prej një metri nga njëri-tjetri.

Riatdhesimi pas 94 vjetësh i eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, ishte një vepër e mirë, të cilën politikanët mosmirënjohës e të paturp e anashkaluan duke mos organizuar një ceremoni pritje dinjitoze për këtë burrë shteti. Ata më pas u munduan të bëjnë Shou – Politik duke e përdorur ditën e rivarrimit të Imzot Kaçorrit në kishën e Shën Luçisë në Durrës, për fushatë politike në favor te tyre.

Ky shkrim dhe disa që kam botuar më parë, fryt i kërkimeve të mia të gjata në arkivat e huaja, me dokumente të pabotuara apo të panjohura deri tani, shpresoj të ndihmojnë sadopak në ndriçimin  e jetës së kolosit atdhetar Dom Nikollë Kaçorri, krahas librave që janë shkruar për të.
 
Jetëshkrim
Një jetë në shërbim të atdheut
 
 - Dom Nikollë Kaçorri u lind në vitin 1868 në Krejë, Lurë në Shqipëri dhe vdiq me 1917 në Vjenë.
- Ai kreu shkollën jezuite. Pas përfundimit të suksesshëm të seminarit, Nikollë Kaçorri shkoi në Itali, ku dhe u diplomua në shkollën teologjike“Propaganda Fide”. Menjëherë pas studimeve të larta u shugurua prift (1890) dhe tre vjet më vonë, në vitin 1893, u emërua prift i Kishës Katolike në Durrës. Ishte aktiv për 24 vjet si zëvendës i arqipeshkvit (me disa ndërprerje të shkurtra).
- Pas emërimit të tij si prift në Durrës, ai ishte i përfshirë në formimin e shumë shoqatave dhe vëllazërive. Në këtë periudhë të shërbimit të tij në Durrës, ai kishte shumë marrëdhënie të mira me qeverinë Austro-hungareze, e cila merrej me krijimin e shkollave dhe shkollimin e popullsisë katolike, pasi që në perandorinë osmane gëzonte privilegjin e administrimit apo protektoratit ndaj popullsisë katolike.

- Dom Nikollë Kaçorri ishte përhapës i librit shqip, dhe po ashtu i shtypit shqiptar patriotikë. Për këtë arsye edhe pati konflikte me shumë institucione të asaj kohe, e sidomos me patriarkun grek.
- Ai ishte edhe pjesëmarrës i shumë lëvizjeve kulturore dhe politike shqiptare. Po ashtu mori pjesë në Kryengritjen e Kurbinit (1905-1907). Gjatë kësaj periudhe, Nikollë Kaçorri personalisht kontaktoi shumë diplomatë austriakë në Durrës dhe kërkonte angazhim serioz për të zbardhur gjendjen e rëndë në Kurbin që kishte krijuar Esat Pasha me forcat turke.
- Morri pjesë në Kongresin e Manastirit me 14 Nëntor 1908 – ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe.
-Mori pjesë në Kongresin e Dibrës në vjeshtën e vitit 1908, qëllimi i cilit ishte synimi i xhonturqve për të bërë për vete shqiptarët, me ç’rast Nikollë Kaçorri reagoi me shumë delegatë të tjerë dhe hetoi synimet e xhonturqve.
-Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit, ku u diskutuan probleme të shkollës shqipe.
-Në vitin 1909 themeloi klubin patriotik të Durrësit.

-Me 18 qershor 1910, Kaçorri u arrestua nga forcat turke dhe si kundërshtar i urdhrave të Qeverisë Osmane dhe Sulltanit.
-Merr pjesë në organizimin e Kryengritjes së vitit 1911 dhe 1912 kundër turqve.
-Më 28 nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, që besohet të jetë hartuar nga Luigj Gurakuqi. Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga delegatët e Kuvendit, ndër të cilët Kaçorri nënshkroi i dyti.
-Dom Nikollë Kaçorri ishte nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912.

-Ai ishte një personalitet i kishës katolike, sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit me qendër asokohe në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke pasur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës.
-Pas një lëngimi 3-4 muajsh vdiq në Vjenë me 29 maj 1917. Në varrimin e tij, me 1 qershor 1917, morën pjesë: komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, Kryekonsulli i Shkodrës, Rappaport, Kviatorsski, Vinter si dhe e veja e konsullit Austro-Hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau, si dhe shumë diplomatë të tjerë.
-Me 2 qershor 1917, në kishën “Maria Treu” u tha mesha mortore në nder të tij
 
Shkrimi u publikua sot (28.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?