Dolën nga shtëpia pa maskë/ Gjobiten 644 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, shoqërohen 9 prej tyre

26 Tetor 2020, 16:59| Përditesimi: 26 Tetor 2020, 17:04

  • Share

644 qytetarë janë gjobitur gjatë 24 orëve të fundit pasi kanë dalë pa maskë, e cila tashmë është me detyrim në çdo ambient jashtë shtëpisë.

Nga këto 523 kanë qenë qytetarë jashtë kurse 121 pasagjerë që janë konstatuar pa maska në automjete private.

"Mosvendosja e maskave mbrojtëse nga qytetarët, ka çuar në ndëshkimin e 644 prej tyre, me masën 3.000 lekë secili, gjatë 24 orëve të fundit.

Gjatë kontrolleve në ambiente të ndryshme në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse edhe gjatë orëve të mbrëmjes. Gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative me vlerë 3.000 lekë, 523 qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat mbrojtëse.

Gjithashtu, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 121 pasagjerë që janë konstatuar pa maska në automjete private (pa lidhje familjare me drejtuesin e mjetit) dhe pasagjerë pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik", thotë policia.

Nga ana tjetër gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 9 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?