Dokumenti/ Ndre Mjeda ishte 
klerik shovinist..por jo si Fishta!

26 Mars 2016, 07:35| Përditesimi:

  • Share
TIRANË - Pjesa e dytë e tezës së përgatitur për Mjedën në konferencën e III-të të Lidhjes së Shkrimtarëve të vitit 1949, veç trajtimeve të hollësishme të veprës së tij nxjerr edhe disa konkluzione. Mjeda sipas tyre, “nuk ishte shovinist, ai  këndoi për fshatarët, jetimët, të vetmuarit, i këndoi robërisë së vendit…”. Ndër këto rreshta të konkluzioneve që nxirren në këtë studim mbi veprën e Mjedës duket se janë gjetur edhe arsyet pse Mjeda do të trajtohej më butësisht nga regjimi, pra do të ishte i pranuar, i studiuar, dhe i vlerësuar, ndryshe nga shumë shkrimtarë katolik të veriut.

Pjesën e parë të këtij studimi e sollëm për lexuesit në numrin e  djeshëm të gazetës, ndërsa vlen të kujtojmë se kjo tezë së bashku me shumë të tjera mbi historinë e letërsisë shqipe janë trajtuar gjerësisht në Konferencën e tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve  në vitin 1949. Një dosje voluminoze me materiale të kësaj konference ruhet në AQSH dhe lexuesi ynë është njohur me një pjesë të këtyre materialeve nga botimet tona të muajve të fundit.

Materiali i fundit që u botua nga kjo dosje ishte ai mbi Gjergj Fishtën, analizën e veprës së tij dhe arsyet pse regjimi komunist e dënonte dhe e quante atë vepër “shoviniste”. Studimin për Mjedën e sjellim në vijim të botimit të këtyre dokumenteve, të cilat na zbardhin  një varg pyetjesh mbi këtë autor dhe qëndrimin që mbajti regjimi ndaj veprës së tij. 

(Vijon nga dje…)

Mjeda ndjenjën e dashurisë e konkretizon zakonisht në natyrën e thellë të fushës, në fshat; mali nuk i pëlqen aq shumë, dhe qyteti e mërzit.
     Në natyrën e butë fusharake, të cilën ai e këndon dhe e poetizon me aq sentiment, Mjeda ka ngritur familjen e varfër fshatare, atë familje për të cilën jeta është “Andrra e Jetës”.

     Lokja (nëna) me dy vajza, Trina dhe Zoga, janë gjithë familja e “Andrrës së Jetës”. Ato jetojnë në një fshat të humbur, rrethuar me pyje, ku mbretëron qetësi e madhe. Vetëm përroi oshëtin duke kënduar këngë trimërie, vetëm bilbili i përgjigjet me këngë dashurie, vetëm Trina e vogël, që ruan një lopë e një dele, e prish ngandonjëherë këtë qetësi me britmat e saj dhe me rendjen e saj poshtë e lart pas bagëtisë.

     Në një muzg mbrëmjeje kjo i vjen së ëmës me një qengj në duar: delja i kishte pjellë në mal. Dhe Trina e gjorë, me përpjekjet e saj për të ruajtur e për të shpëtuar bagëtinë, të vetmen pasuri të familjes:
    
“... Ish lodh: i dhimbte nd’ijë,
E kishte mollzat gjak...”
 
     Nga kjo lodhje, mbi fuqitë e saj, Trina nuk ha as darkë, dhe as që do të hajë më kurrë, megjithëse motra e saj, Zoga, s’ka kuptuar akoma ç’domethënë vdekje:
 
“...Cicé, shka kà sot Trinka
Qi po priton m’u çue?
Zgjoje me dalë me mue,
Me lëshue baktin e vet...”
 
     Tringa as që mori gjë vesh nga jeta! Vetë vdekja e saj, natën në gjumë, nga një: “Ish lodh: i dhimbte nd’ijë, e kishte mollzat gjak”, është e tërë jeta e saj, “Andrra e Jetës” së saj. Varfëria e fshatrave tona të humbura këto kishte: zhdukej njeriu sikur s’qé! Pa kuptuar as edhe nga se ç’sëmundje vuante!
     Dhe ata që seleksionimi i pamëshirshëm i natyrës i linte të jetojnë, shkonin një jetë të vështirë, të varfër, të thjeshtë, natyrale. Zoga është një nga ato krijesa që natyra ka lënë sa për të vazhduar përjetësimin e racës njerëzore. Ajo tani është rritur, ka filluar të dashurojë, dhe dashuria ia bën të bukur “Andrrën e Jetës” së saj. Në gjumë vdiq e motra, në gjumë kjo ëndërron jetën:
 
“...Herë n’at gjumë tui qeshun dukej,
Si m’u falë herë dorën çote;
Herë permàllshem n’vedi strukej
E n’fëtyrë gjaku t’tan ‘i vlote.
 
“......................................
........................................
Holl’e i giatë porsi silvi
N’rrugë nen gardh ish dukë nji djalë”
 
     Edhe e ëma e kish parë dikur këtë ëndërr dhe e kish realizuar, por tani ëndrrës së saj s’i ka mbetur as kujtimi, prandaj tani ajo s’e kupton ëndrrën e bijës së saj:
 
“E nan – bardha tui shikjue
“Flej me egjuj”, thotë, o bi,
Pushò shtatin me i ndihmue
Lokes s’ate neper shpi...”
 
     Ja ëndrra e plakës sot: Të ketë pranë vetes një njeri gjer në fund të jetës së saj. Por kjo s’mund të bëhet pse natyra ka misionin e saj: Të shtyjë përpara pa mëshirë procesin e jetës në bërjen e zhbërjen e pa pushuar të gjërave. Zoga do të vejë gjetiu, sepse:
 
“Bashkë me lule lén dashtnija,
Me kangë t’shpendit qi galdon;
E prendvéres bukurija
Bashkë prej gjumit t’tan’i zgjon...”
 
     Dhe prandaj ajo do t’i bindet këtij imperativi të natyrës:
 
“Del, o bij’ prei shpijes s’ate,
Del prei t’vorfenit katund;
Njajò flakë qi n’zemer pate
Do t’përcjellin tjeter-kund...”
 
     Sepse nga ajo flakë që ka në zemër, larg shtëpisë ku ajo u lind, larg së ëmës që e rriti, do të lindet jeta e re, më e bukur se qielli, më e bukur se prilli dhe lulet e tij:
 
“Por s’i giet qielli,
Nuk i giet prilli,
As fllad qi shetite lulet
E me érna veshet,
Foshnjes qi i qeshet
Nanës, kùr mbi ‘te perkulet...”
     Por nëse për Zogën ëndrra e jetës po realizohej, për plakën, nënën e saj, ëndrra është në aktin e fundit. Pasi i largohet vajza, edhe natyrës rreth shtëpisë së saj i bie një hije e zezë:
 
“E n’ballkue mbaruene lulet:
Shurdh’a vendi e shpija tytë;
Jo, me loken nji e dytë
Neper shpi ma nuk u gjet...”
 
     Në shtëpinë e saj tashti zotëron melankolia më e zezë. Plaka sheh se jeta e saj kaloi si një ëndërr, plot vuajtje, nën sundimin e varfërisë, dhe tani po shuhet si një ëndërr e trishtuar, pa ndihmën e askujt, larg syve të gjithkujt:
 
“Me dy cokla n’votrë plaka
Rri gjith natën e vajton;
Rri me duer kah ndezet flaka
Porsi nieri kùr uron.
 
E shikjon nji dritë t’venitun,
Vron pasqyren e jetës s’vet:
E lerg Mòrden tui kositun
E kujton e pran’ e thret...”
 
     Në këtë melankoli vetmitare, ku kjo plakë jetën e saj të kaluar e sheh si një “dritë të venitur”, ku kjo sheh se ëndrra e jetës së saj po mbaron me kaq trishtim, dhe prandaj vetë ajo thërret mortjen që ta marrë sa më parë, ne shohim se në ç’gjendje detyrohen njerëzit ta kalojnë jetën e tyre të mjerë nën organizimin shtypës të klasave sunduese.

Ne shohim se si njerëzit detyrohen të jetojnë në mëshirën e fatit, në mëshirën e natyrës, revoltohemi nga kjo dhe premtojmë t’i vëmë forcat tona në shërbim të një kauze të shenjtë: të kauzës së çlirimit të shoqërisë njerëzore nga kjo gjendje e mjerë.

     Në një shumicë të madhe të poezive të Mjedës predominon kjo notë melankolie e thellë, të cilën e shoqëron muzika e trishtuar e vetmisë. Kështu zhvillohen poezitë e tij: “Vaji i Bylbylit”, “I tretuni”, “Andrra e Jetës”, “I mbetuni”, “Shtegtari”, “Malli për Atdhe”, dhe poezi të tjera më të vogla. Në këto poezi ngandonjëherë poeti kërkon të gjejë ngushëllim në atë jetë, në fe; herë të tjera ngushëllohet me shpresën se gjendja e atdheut të tij do të ndryshojë dhe më në fund në një pjesë të poezive të tij ai përfundon në një melankoli të thellë, të mbledhur në vetvete, që tregon realitetin e gjërave ashtu siç janë, pa kërkuar të hapë udhë për ndryshimin e tyre.

     Kjo lëkundje e tij është pasqyra e një lufte që zhvillohet në shpirtin e tij: Mjeda paraqitet si fetar i sinqertë nga njëra anë, por nga ana tjetër shpirti i tij rebelohet për ato që bëhen në botë: dhe shpirti fetar i bindjes absolute në shpirtin e rebelimit nuk pajtohen; kjo është drama e Mjedës.

     Mjeda ka kënduar mjaft edhe për atdheun. Lirika e tij patriotike qan mjerimin ku ka rënë Shqipëria, kërkon bashkimin e vendit për luftë kundër okupacionit turk. Okupacionin otoman ai e përshkruan me ngjyrat më të zeza, dhe kundër tij vërsulet lirika e tij patriotike. Me sa duket nga vjershat e tij, ai vetëm për turqit ushqente urrejtjen, dhe në vjershën e tij i quan mizorë, njerëz të errësirës e të robërisë së popujve. Karakteristike është – shpresa që tregon lirika e tij për çlirimin e vendit, sado poshtë që ka rënë:
 
“Por nuk u shuejti edhé, jo, Shqyptarija:
Lodhun prej hekrash qi mizori i njiti,
Lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
Shpreson me e zgjue fluturim mënija...”
(Lirija, vargjet 71-74)
 
     Edhe Mjeda ka hedhur në të rrallë ndonjë fjalë kundër sllavëve, por këtë ai nuk e ngre në sistem, nuk e bën shovinizëm, siç bëri Fishta. Ky qëndrim i tij i vazhduar kundër okupacionit turk është shumë i drejtë e konsekuent, gjë shumë e rrallë për kohërat e tij.

     Mjeda ka pasur simpati për Austrinë megjithëse në vjershat e tij një gjë e tillë manifestohet shumë rrallë dhe në formë jo të prerë. Por ai e pa dhe e dënoi në vjershën e tij qëndrimin e keq të imperialistëve të Oksidentit, të cilët në atë kohë i ndihmonin Turqisë për t’u mbajtur në këmbë, në dëmin e vendit tonë.
    
Karakteristike është se ai në përgjithësi nuk këndon për pashallarët dhe bejlerët, si të tillë ai edhe kur i zë në gojë në lirikën e tij, nuk i sublimon siç bëri Fishta, por kërkon prej tyre udhëheqjen për në luftë. Bile si në lirikën e tij “Mustafa Pasha në Babune” shkon edhe më tutje: mallkon me përbuzje dhe urrejtje tradhtinë dhe grabitjet e feudalit, i cili mendon vetëm për interesat e tij, ndërsa populli i djegur për liri po shkrihej në luftë:
 
“E pasha, ndejun mbi thasë t’florive
Nder valle jevgash, n’lodrë dudumash,
Tallet i knaqun prei zanit t’fqive,
Si qen mbas trumash...”
 
“O pjell’ e keqe! o dhun’, o kòre!
.....................................................
.....................................................
E prei fushash bajnë valle t’mnershme
Arët e livadhet qi’j ditë grabite
....................................................
 “Del, mizuer, këndenaj, del; prei merzijet,
Zgaq i perbuzshem, Shqypnija t’volli:
Ty shpina e detit, ty, vend robnijet,
T’pret Anadolli”
 
     KONKLUZION. – Mjeda nuk bën pjesë në shkollën letrare shoviniste të klerikëve të Shkodrës megjithëse është prift dhe fetar i sinqertë. Vepra e tij mbeti një tentativë e madhe për të krijuar një shkollë tjetër me përmbajtje e me formë të ndryshme nga ajo e Fishtës. Por kleri katolik, i cili ka ngritur shkrimtarë shumë më të vegjël se Mjedën, këtij i bëri një luftë të heshtur duke e hedhur veprën e tij sa qe e mundur, në harresë.

     Mjeda këndoi për të varfrit, fshatarë, jetimët, të vetmuarit, shkurt: ata që vuanin. Këndoi fatin e zi të robërisë së vendit të tij me nota të mallëngjyera, por këndoi me shpresë e entuziazëm edhe për çlirimin e tij me luftë. Rrezikun e vendit ai nuk e pa te fqinjët, siç bënin përgjithësisht priftërinjtë e tjerë në kohën e tij, këtë rrezik ai e pa vetëm në okupacionin e tmerrshëm otoman.

     Mjeda si artist është nga poetët tanë më të mbaruar: ai përgjithësisht shkruan vetëm gjëra që shpirti ia ndjen thellë, të cilat fantazia e tij i thërret të gjalla në jetë; dhe këto ai i vesh me një rrobë stilistike nga më elegantet që ka parë ndonjëherë literatura jonë.

Gjuha e tij është e pastër, e pasur, e zgjedhur dhe mundohet përgjithësisht të jetë një gegërishte e kuptueshme për të gjithë vendin, dhe jo si gegërishtja e Fishtës, që është një gjuhë e kuptueshme vetëm në malet e veriut. Teknika e vargut të tij të mahnit me muzikalitetin e saj, me variacionet e shumta të ritmeve e të rimave. Te “Juvenilia” bien në sy përgjithësisht vargjet popullore: 8-rrokëshi e 6-rrokëshi. 11-rrokëshin e tingëllimit Mjeda e ka punuar më bukur se asnjë nga poetët tanë.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?