Dokumenti ekskluziv, historianët që
kërkonin në ’72 gjurmët e Fan Nolit

7 Qershor 2016, 09:57| Përditesimi:

  • Share
Një relacion i vitit 1972, zbulon rezultat e kërkimeve të një ekipi historianësh dhe kërkuesish shkencor në arkivat dhe bibliotekat e Austrisë për aktivitetin politik  të Fan Nolit në vitet 1925-1927. Në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës, sipas historianëve kishin shfletuar mijëra faqe të peroidikëve që kishin pasqyruar aktivitetin e Nolit dhe të KONARE-s në këtë periudhë. Sipas tyre veprimtaria e Nolit, ishte përqendruar në dërgim telegramesh proteste, dhënie intervistash etj. “Interes paraqet një intervistë e Fan Nolit dhënë gazetës zvicerane “Neue Zurcher Zeitung”, në të cilën, përveç qëndrimit të autorit ndaj problemeve politike të kohës, ka edhe të dhëna e fakte nga jeta e tij”, shkruan Koço Bihiku në fund të relacionit informues.
 
Po ashtu në arkivin politik kishin kërkuar të konsultonin dokumente që lidheshin me aktivitetin e emigracionit politik në Austri në vitet 1925-1931, por nuk iu ishin shërbyer. Kjo sepse nuk e lejonin rregullat e arkivit, të cilat për studiuesit e huaj, parashikonin të kalonte më shumë se 50 vjet nga ngjarja, që të kishin mundësi për ta parë dokumentacionin.
Por në atë arkiv gjithsesi kishin marrë materiale me shumë vlerë të viteve 1912-1913 mbi aktivitetin e Ismail Qemalit, të qeverisë së Vlorës apo të aktivitetit të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në vitin 1913, si edhe për veprimtarinë e delegacionit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër…
 
Relacioni zbulon edhe emrin e një bashkëpunëtori shkencor që kishin në Vjenë, falë të cilit merrnin materialet që porosisnin nga Tirana. Por emri dhe veprimtaria e tij mbahej sekret (Anton Nemet, i cili punonte prej vitesh për mikrofilmimin e porosive nga Tirana)  dhe se në këtë rast i kishte ndihmuar për tu dhënë një dosje me materiale të mikofilmuara mbi aktivitetetin e Nolit në 1925.
 
Po ashtu relacioni zbulon edhe takimin e histoprianëve me studiuesin austriak Robert Schëank, me të cilin ata nuk kishin kërkuar të takoheshin pasi ishin “në dijeni të qëndrimit të tij dhe të marrëdhënieve që ai kishte me emigracionin politik tradhtar”… Por ata  thonë se Schëank kishte shkuar vetë ti takonte në arkiv,  dhe ishte vetëofruar për t’ju dhënë një listë bibliografike edhe pse studiuesit shqiptarë nuk kishim kërkuar të takoheshim me të.
 
“Gjatë bisedës ai nuk u largua nga tema rreth studimeve shqiptare dhe u mundua të krijojë përshtypjen se nuk është veçse një studiues, se me të mund të mbahen marrëdhënie të mira në fushën e punës shkencore, se vlerësimet rreth qëndrimit të tij politik si agjent amerikan nuk janë veçse supozime të rrjedhura nga keqkuptime”, shkruajnë në relacionin e tyre historianët, duke theksuar se e kishin refuzuar me takt ndihmën e tij.
Po ashtu në fund të relacionit historianët shqiptarë informojnë se gjatë qëndrimit në Austri, me pëlqimin e ambasadës, ishin takuar kritikun dhe sociologun me origjinë shqiptare, Krist Malokin, me qëllim për të mbledhur kujtime e të dhëna rreth Nolit. Maloki u kishte thënë se kishte këmbyer me Nolin shumë letra pas Luftës së Dytë Botërore, por kishte nxjerrë justifikime dhe nuk ua kishte dhënë kopjet e tyre.
Më poshtë sjellim të plotë dokumentin mbi ekspeditën kërkimore në mars 1972 në Bibliotekat dhe Arkivat e Vjenës. 
 
 
 
Dokumenti i plotë
RELACION MBI KËRKIMET NË ARKIVAT DHE BIBLIOTEKAT E AUSTRISË
 
Gjatë muajit mars ekipi i përbërë prej shokëve Xh. Frashëri dhe K. Bihiku bëri sipas planit të aprovuar prej Rektoratit kërkime në arkivat dhe bibliotekat e Austrisë, lidhur me historinë e Shqipërisë dhe me veprimtarinë politike të Fan Nolit gjatë viteve 1925-1927.
Një punë e mirë u bë në Bibliotekën Nacionale të Austrisë (NOB) ku u nxor një pasqyrë e pasur e bibliografisë së studimeve të autorëve të ndryshëm kushtuar Shqipërisë. Bibliografia ka vlerë sepse përfshin një varg veprash dhe artikujsh shkencorë mbi çështje sociale, politike dhe ekonomike të botuar në organe periodike të huaja (austriake, gjermano-perëndimore ose amerikane), të cilat nuk ndodhen në bibliotekat tona. Nga skedari i albanologjisë u mor gjithçka që u pa me vlerë se duhet të ndodhet në bibliotekat e vendit tonë. Kjo bibliografi, pasi të daktilografohet, do t’i dorëzohet Arkivit të Institutit të Historisë dhe bibliotekës së universitetit.
Në Bibliotekën Nacionale, një punë e gjerë u bë sidomos për të mbledhur të dhëna lidhur me veprimtarinë politike të Fan Nolit dhe të KONARE-s, kryetar i së cilës ai ishte. Për këtë qëllim u shfletuan leksionet e organeve të majta dhe oficioze austriake të viteve 1925-1927, si “Ëiene Allgemeine Zeitung”, “Illustrites Extrabatt”, “Neue Freie Press Reichspost”, si dhe gazeta “Neue Zurcher Zeitung”. Kjo ishte një punë shumë e vëllimshme, sepse u shfletuan mijëra e mijëra faqe. Nga kjo punë doli e qartë se veprimtaria e Fan Nolit dhe e KONARE-s ka qenë e kufizuar në Austri.
Ajo ishte përqendruar në dërgim telegramesh proteste, dhënie intervistash etj. Interes paraqet një intervistë e Fan Nolit dhënë gazetës zvicerane “Neue Zurcher Zeitung”, në të cilën, përveç qëndrimit të autorit ndaj problemeve politike të kohës, ka edhe të dhëna e fakte nga jeta e tij.
 
Kërkime u bënë edhe në arkivin politik (Haus Hof-Staatsarchiv). Këtu u kërkua që të lejoheshin të shfrytëzonin materialet lidhur me veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar në Austri, në vitet 1925-1931. Mirëpo, në bazë të rregullave të arkivave austriake, sipas të cilave, materialet e dokumentet e 50 viteve të fundit, d.m.th. prej vitit 1925 deri në vitin 1972, nuk janë të hapura për të huajt, këto materiale nuk na u vunë në dispozicion siç u kërkua prej nesh. Për këto arsye, kërkimet tona arkivore u përqendruan në periudhën 1911-1913. Për periudhën 1911-1913 u morën një varg materialesh të reja me interes, të cilat nuk ndodhen në Arkivin e Institutit të Historisë dhe mikrofilmimi i tyre mbush një boshllëk në studimin e kësaj periudhe. Këto materiale kanë lidhje me marrëdhëniet e patriotëve shqiptarë, në radhë të parë të Ismail Qemalit me Austro-Hungarinë si edhe me fuqitë e tjera të huaja që interesoheshin për problemet shqiptare. Një varg materialesh të tjera kanë të bëjnë me veprimtarinë e Qeverisë së Vlorës, lidhur me organizimin e ri shtetëror në fund të vitit 1912 dhe sidomos gjatë vitit 1913. U morën mjaft dokumente që flasin për veprimtarinë e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në vitin 1913, si edhe për veprimtarinë e delegacionit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër etj. Për këtë qëllim, krahas treguesve të katalogut të arkivit që i përkasin Shqipërisë, u mbajtën parasysh edhe tregues të caktuar të pjesës së katalogut që i takon Turqisë. Po kështu, me qëllim që të ndihmohen studiuesit e ndryshëm të vendit tonë dhe për të pasur një tablo të llojeve të materialeve që i takojnë vendit tonë dhe që ndodhen në Hanshofstaatsarchiv, u nxorën nga katalogët treguesit përkatës (1895-1918).
Në saje të ndihmës që na dha punonjësi i arkivit Anton Nemet (i cili, siç dihet punon prej vitesh për mikrofilmimin e porosive tona), më në fund u mor një dosje me materiale mbi Fan Nolin për vitin 1925. Këto materiale përfshijnë fakte të ndryshme nga jeta dhe qëndrimi i Fan Nolit, gjatë kësaj periudhe në Austri; janë kryesisht shkresa të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila ndiqte në këtë kohë veprimtarinë e Fan Nolit.
Sipas porosisë që morën nga universiteti, hymë në kontakte me A. Nemetin dhe i kërkuam shpjegime lidhur me veprimtarinë tij, për llogarinë tonë. Nemeti tha se e ka marrë shkresën e Institutit, të datës 01.04.1970, por na tha se nuk ka mundur t’i plotësojë porositë tona sepse nuk i ka gjetur raportet e Konsullatës së Shkodrës për vitet 1891-1895 dhe 1908-1917; të Durrësit për vitet 1854, 1856-1870-1876; të Vlorës për vitet 1986-1883, 1887-1896, 1908-1915. Ai na tha gjithashtu se i kanë mbetur pa shpenzuar afro 12 mijë e ca shilinga.
Sipas mendimit tonë, e meta kryesore e punës sonë me Nemetin është se nuk kemi mbajtur kontakte të rregullta periodikisht me të. Duke ditur pozitën e tij të vështirë, çka e shtrëngon atë të mos ekspozohet shumë në lidhjet që ka me ne, është e domosdoshme që herë pas here t’i shkruhet atij me anë të ambasadës sonë në Vjenë (nëpërmjet atasheut të shtypit) dhe të udhëzohet vazhdimisht për punën që duhet të kryejë për ne. Gjatë bisedës që patëm me të, i thamë porosi të reja që morëm nga A. Buda.
 
 
Gjatë ditëve që vazhdonim kërkimet në arkiv, erdhi aty posaçërisht për të na takuar studiuesi austriak Robert Schëank, i cili punon në Institutin e Lindjes, këtu ai takoi Xhemil Frashërin. Vlen të përmendet se ne, duke qenë në dijeni të qëndrimit të tij dhe të marrëdhënieve që ai ka me emigracionin politik tradhtar, nuk kishim kërkuar të takoheshim me të. Në takimin e shkurtër në sallën e arkivit, R. Schëank, pasi njoftoi se kush ishte, u afrua të japë një listë bibliografike të materialeve rreth Shqipërisë që ndodhen në SHBA, si edhe shprehu gatishmërinë të na ndihmojë edhe me të dhëna të tjera, që ai dispononte dhe që, sipas tij, paraqisnin interes. Përgjithësisht, gjatë bisedës ai nuk u largua nga tema rreth studimeve shqiptare dhe u mundua të krijojë përshtypjen se nuk është veçse një studiues, se me të mund të mbahen marrëdhënie të mira në fushën e punës shkencore, se vlerësimet rreth qëndrimit të tij politik si agjent amerikan nuk janë veçse supozime të rrjedhura nga keqkuptime. Ai bëri aluzion të largët rreth dëshirës së tij për të vizituar Shqipërinë. Këto çështje mbetën pa u bërë objekt diskutimi nga Xhemil Frashëri, i cili refuzoi me takt të ashtuquajturën ndihmë të ofruar prej tij.
Çështja e R. Schëank iu referua shokëve të ambasadës. Duke marrë shkas nga kjo, shoku ambasador ngriti në parim problemin e qëndrimit tonë ndaj Institutit të Lindjes. Ai na tha se ne e dimë që me problemet shqiptare atje merret R. Schëank, por kjo s’duhet të çojë në atë që ne të këpusim çdo lidhje me institutin në fjalë. Ai u ankua se universiteti nuk i është përgjigjur fare kërkesave të këtij instituti për shkëmbime literature dhe botimesh. Mungesa e korrektesës nga ana jonë, - thanë shokët e ambasadës, - s’bën gjë tjetër veçse na sjell dëm neve. Megjithëse dihet qëllimi i veprimtarisë së Institutit të Lindjes, ne na intereson të nxjerrim përfitim sa më të vogël prej tyre. Sipas mendimit tonë, shokët e ambasadës kanë të drejtë dhe duhet që institutit t’i dërgohen botimet tona, të cilat ata mund t’i sigurojnë edhe në rrugë të tjera, çka nuk ngurojnë ta bëjnë.
 
Gjatë qëndrimit në Austri, me pëlqimin e ambasadës, morëm kontakte me kritikun dhe sociologun me origjinë shqiptare, Kristo Malokin, i cili banon në Grac. Kjo vizitë u bë me qëllim për të mbledhur kujtime e të dhëna rreth Nolit. Takimi u bë në shtëpinë e tij dhe vazhdoi rreth dy orë. Gjatë bisedës u prekën probleme të ndryshme politike, letrare e kulturore. Në këtë bisedë doli se ai ishte i dezinformuar mbi shumë aspekte të jetës aktuale në Shqipëri dhe plot paragjykime politike e ideologjike. Ne u munduam me takt që ta sqaronim për çështjet që i kishte të paqarta. K. Maloki kishte marrë shumë letra nga Noli pas Luftës së Dytë Botërore, por nën pretekste të ndryshme refuzoi të na jepte kopje prej atyre letrave.

dokument 1 noli

dokument 2 noli

dokument 3 noli

dokument 4 noli
 
Koço Bihiku d.v.

Redaksia ONline
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?