Foto ilustruese

Dokumentet e panjohura të Sigurimit: Kur Pjetër Arbnori dhe Z.K. do të shkonin në Tiranë në mbledhjen e grupit, si përfaqësues të Durrësit, agjenti ‘Vullnetari’...

16 Nëntor 2023, 07:34| Përditesimi: 16 Nëntor 2023, 07:36

  • Share

Memorie.al/ publikon një studim të kryer nga AIDSSH (Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të titulluar “ZHDUKUR – SIGURIMI NË FJALËT E VETA”, 19 DEGË SIGURIMI, 3299 JETË, 1 HISTORI’, në të cilin është shfrytëzuar ‘Historiku i Sigurimit të Shtetit’, që i përket një periudhë kohore nga viti 1943, deri në 1991-in, ku janë përfshirë 19 degë të Sigurimit të Shtetit, të rretheve: Durrës, Kolonjë, Burrel, Krujë, Lushnje, Dibër, Gramsh, Pogradec, Korçë, Tepelenë, Elbasan, Lezhë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Tropojë, Skrapar, Librazhd dhe Tiranë.

                                                                  Hyrje

                                            SIGURIMI NË FJALËT E VETA

“Ata që mendojnë se regjimet komuniste janë vepër vetëm e kriminelëve, lënë në hije një të vërtetë themelore: regjimet kriminale nuk u formuan nga kriminelët, por nga entuziastët e bindur…”!

Milan Kundera, “Lehtësia e padurueshme e qenies”

Kundërshtarë të regjimit komunist, ish politikanë, ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, qytetarë që bëhen pjesë e listës së armiqve, të arratisur, klerikë, ish-sekretarë partie, ish ministra, artistë, gazetarë e intelektualë, gjenden në Historikët e ish-Sigurimit të Shtetit, me një emërues të përbashkët: viktima të totalitarizmit. Askush, askurrë nuk ishte i sigurt.

Ndaj rendja për të jetuar merr kuptimin e rendjes për të shpëtuar jetën, shpesh edhe me kushtin e jetëve të tjera, duke riformuluar pyetjen e Primo Levit: “A është vallë njeri”?! Pas këtij dyzimi dhe një mase amorfe fuqimisht të pazë, qëndron historia e një populli, në më se katër dekada që, përmes Historikëve të ish-Sigurimit të Shtetit, është një kalendar vrasjesh, pushkatimesh, likuidimesh, asgjësimesh dhe jo më pak burgjesh e internimesh.

Janë njollat e zeza që shoqëria jonë bart në kohë. Dokumentet deri dje sekrete, përmes historisë së shkruar nga fitimtarët, tashmë janë përmbledhje ku ata dokumentojnë bëmat e tyre. Janë njollat tona të zeza. Për ndërtimin e kësaj ekspozeje, janë shqyrtuar historikët e 19 degëve të ish-Sigurimit të Shtetit në vend, nga leximi i të cilëve rezultojnë; 510 të vrarë nga Sigurimi, të përmendur me emër në historikët përkatës dhe 470 të vrarë pa emër, që në historik dalin në shifra krah të tjerëve, të përcaktuar si të tillë: të tjerë.

Hulumtimi për këtë ekspozitë, evidenton persona për ekzekutimin e të cilëve, Sigurimi merr përsipër autorësinë, në dokumente të prodhuara prej tij në vitet 1973-1980, siç pohohet, të punuara me kujdes dhe të redaktuara shkencërisht. Dokumentet shtrihen në një periudhë të gjerë, që sugjeron që veprimtaria e Sigurimit i ka fillesat që në Luftën e Dytë Botërore, duke i faturuar atij, akte e veprime ndaj kundërshtarëve politikë, që përpara instalimit të sistemit komunist në vend.

Por, a duhet të merren të mirëqena dokumentet e Sigurimit të Shtetit dhe a duhet trajtuar informacioni i këtyre historikëve si shterues? Natyrisht që jo. Historikët, si dokumente të hartuara nga struktura e policisë sekrete të sistemit, shpalosin një përmbledhje informacioni, të punuar në një periudhë që Sigurimi ishte konsoliduar dhe kishte qëllim paraqitjen e ngjarjeve në një optikë të caktuar.

Në historikët e deklasifikuar në vitet 2019- 2021 nga Autoriteti, Sigurimi merr përsipër autorësinë e disa ngjarjeve, duke dhënë njëherësh këndvështrimin e vet mbi emrat e përfshirë. Policia sekrete pranon që ka luftuar ose eliminuar në disa mënyra kundërshtarët politikë, që përmenden me termat diversantë, kriminelë lufte, armiq të popullit, sabotatorë, spiunë, banditë, kulakë e të tjerë, në përplasje me të cilët, ka të humbur nga të dyja palët.

Të gjitha këto, përmes dëshmive në vetë të parë të Sigurimit, që ndalet edhe te vend-ekzekutimet, por pa koordinata të sakta. Një listë e hartuar në Ministrinë e Brendshme, para se regjimi komunist të binte, numëron 3.031 të vrarë pa gjyq në vend. Instituti i ish të Përndjekurve Politikë, përllogarit në të dhënat e veta, 106 gra të ekzekutuara, apo të vdekura në burg.

Familjarët sot mund të kërkojnë qartësimin e fatit të të afërmve të tyre, sipas fushës së veprimit të ligjit 45/2015, i ndryshuar, për personat e zhdukur. Studimi i 19 historikëve në këtë fazë është vetëm fillimi, me këtë ekspozitë që grish studiuesit të hapin tërë dokumentet, të thellohen në hulumtimet në arkiva dhe në paraqitjen e të gjitha anëve të historisë, për të gjykuarit në komunizëm, të ndëshkuarit pa gjyq, të vdekurit në hetuesi e të tjerë që ende sot, kanë nevojë të zbulohen e njihen për veprimtarinë e tyre të vërtetë.

Kjo ekspozitë, e çelur në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, synon të rrëfejë viktimat e komunizmit, duke u kufizuar te viktimat që dalin në historikë, të evidentuara duke pasur parasysh që – përmes emrave të ndryshëm, të njohur apo të panjohur, – totali të përmbledhë metodat e përndjekjes së Sigurimit të Shtetit ndër vite, metodat e përdorura për të kapur kundërshtarët, nga shpikja e sëmundjeve, te ‘kombinacionet’ e pranuara nga vetë punonjësit e Sigurimit, përmes legjendimesh që nënkuptojnë përhapjen e lajmeve të rreme, “hetuesive të rrufeshme”, kur pranohet se “u vu dorë”, e kurtheve, duke hedhur dritë rreth pas rrethi, te mënyrat si bëheshin rekrutimet e bashkëpunëtorëve nën shtrëngim, përmes presionit me arrestimin e familjarëve, apo ballafaqimit me fëmijën e lidhur kokë e këmbë në qeli.

Kjo ekspozitë nuk është historia e plotë e tyre, por është versioni i historisë sipas Sigurimit, shkruar prej tij dhe pranuar prej tij. Në dokumentet e shfaqura apo të cituara, terminologjia e përdorur për kundërshtarët politikë, të arrestuarit, apo të vrarët, është e ashpër. Ata etiketohen si; kriminelë, spiunë, tradhtarë të atdheut, të degjeneruar apo me moral të ulët, ndaj leximi i këtij dokumentacioni, kërkon kujdes tejet të veçantë, dhe vetëdijen se ato përmbajnë shtresëzime të forta të ideologjisë komuniste.

Sigurimi flet me gjuhën e pushtetit, me qasjen politike të kohës, për të cilën ka rëndësi njeriu si trup i gjallë, i komandueshëm e i manipulueshëm prej saj. Si trup i pajetë, ai shërbente vetëm për të trembur kundërshtarët politikë, kur përdorej si “trofe” që e shfaqnin nëpër sheshe kalash, para turmave të tulatura ose në fotografi, për të trembur ata që ishin në hetuesi, siç qenë imazhet e Kokomanit, Lezhos e Koprenckës, që iu vunë para Fatos Lubonjës. Të pagjeturit mbeten njolla të zeza…!

Njolla të zeza janë pritjet e pafundme pa ardhur ende e ardhmja. Kjo ekspozitë rreket të japë të gjitha nuancat e të zezës, nga jugu në veri, për të paraqitur me dokumentet e vetë Sigurimit, qindra fate njerëzore në të njëjtin vend. Kjo ekspozitë është për të kuptuar se njollat e zeza, janë ende të zeza…! Për Hannah Arendt, “terrori bëhet total, kur bëhet i pavarur nga çdo lloj kundërshtie; ai sundon në mënyrë supreme, kur askush nuk ia zë rrugën. Nëse ligjshmëria është thelbi i qeverisjes jotiranike dhe paligjshmëria është thelbi i tiranisë, atëherë, terrori është thelbi i dominimit totalitar”!

Historiku i Sigurimit të Shtetit për rrethin e Durrësit, 1943 – ‘44

Në historikun e shkruar prej vetë punonjësve të Sigurimit para rënies së komunizmit, dokumentohen një sërë ngjarjesh të bujshme e të errëta të kohës, ekzekutime që patën mbetur pa autorë, si edhe metodat që u përdorën për survejimin, zbërthimin, apo asgjësimin e “armiqve të popullit”. Në fillim të vitit 1945, kur nis edhe instalimi i totalitarizmit të majtë shqiptar, me eliminimin e kundërshtarëve politikë, Sigurimi i Shtetit, apo Divizionet e Mbrojtjes së Popullit, përllogarisin që Durrësi ka të arratisur, të ndarë në 12 grupe me 89 anëtarë, që i cilëson “banda” e “banditë”.

Struktura informative që kishte nisur të bëhej hija përndjekëse e kundërshtarëve politikë të regjimit, bashkimet e individëve me mbi 3 veta, me prirje kundër sistemit, i cilëson “banda”, ndërsa mes tyre, kishte “banda” deri me 18 anëtarë.

Që në krye, mes armiqve të pushtetit përmenden si “banda” grupet e përbëra nga ish-drejtues dhe anëtarë të ‘Ballit Kombëtar’, ‘Legalitetit’ apo “bashkëpunëtorëve” të pushtuesve si: Xhemal Gjergjit, me tre pjesëtarë, Xhemal Gjokës, me 13 pjesëtarë, Mustafa Deliallisit me 6, Zyber Kokomanit me 3, Ymer Keqit me 5 veta, Tom Gallatës me 3, Bajram Vorës me 18 pjesëtarë, Sali Gjinit me 2 dhe Myrteza Çopës me 3 pjesëtarë, që në vijim asgjësohen ose arratisen. Synimi i pushtetit ishte eliminimi i tyre, duke qenë se jo vetëm ishin kundërshtarë, por përbënin edhe rrezik kryengritjeje.

Eliminimi i “bandave”, do të ndiqej nga zbulimi i grupeve antipushtet në çdo sektor, qytet apo fshat, deri te tendenca për “jetë të shthurur” që gjendej te muzika rock and roll apo, dëshira për të parë një anije. Që me marrjen e pushtetit edhe në vijim, Sigurimi kreu rekrutime bashkëpunëtorësh në Hekurudhë, Port, Kantier Detar, Peshkim, Ndërmarrja Industriale Goma, Bonifikim, Uzina Mekanike Bujqësore, Ndërmarrja Industriale Cigare, Ferma, Stacioni i Makina-Traktorëve, Parku Automobilistik i Mallrave, etj. Por gjithçka nisi, me “gjithë popullin”, që sillte informacione, sipas Sigurimit.

Plumba në gjumë…!

Tom Nikollë Gallata, kundërshtar i regjimit komunist, doli në arrati që në ditët e para të çlirimit. Sigurimi e cilëson kryetar të një bande që vepronte në zonën Ishëm – Krujë. Arriti të mbijetojë i fshehur për pothuaj 6 vjet, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ta eliminuar.

Në prill të 1950-ës, u mor vendimi që ai të asgjësohet, me gjithë “bandën” e tij e, në pamundësi, të nxirrej në pritë edhe i vetëm dhe të vritej. Sigurimi kishte arritur të fuste në grupin e Tom Gallatës bashkëpunëtorin e tij “Kaçatura”. Një mbrëmje, në pyllin e Manzës në Durrës, “Kaçatura” bën për vete edhe një tjetër pjesëtar të grupit, V.T., i arratisur, por i lëkundur.

“Toma dhe Gjergji ishin në gjumë, kurse tre të tjerë (nga grupi) ishin nisur në Krujë, për të vrarë D.M., me gjithë fëmijët e tij. Natën e 7 prillit 1950, u bë dhe asgjësimi i tyre, ato vrasin Tom Gallatën dhe Gjergjin, e tre të tjerët u asgjësuan po atë natë, nga forcat e Sigurimit të Shtetit, pa arritur të kryenin krimin që u përmend më sipër”. Me vrasjen në gjumë, Sigurimi arrin të vërtetojë edhe besnikërinë e “Kaçaturës” për të cilin kishte dyshime.

Pritë e sigurt, për ish-partizanin

Ram Habili, biri i një ish-oficeri të Zogut, kishte qenë partizan në çetën e Myslim Pezës, deri kur një përplasje me Kajo Karafilin, e bëri të kalojë me ‘Ballin Kombëtar’. Më 1944, kur lufta po mbaronte, u shpall armik dhe doli në male ku ia doli të mbijetojë deri më 1951. I plagosur, bie në duart e Sigurimit nga kurthi i një bashkëpunëtori. “U shoqërua nga grupi special i organeve të Sigurimit të Shtetit me një gomar, për ta çuar ‘shtabin e organizatës’, duke i marrë edhe pushkën. U kap e u dërgua në spital, ku u kurua dhe u shërua”.

Qëllimi i organeve ishte që Ram Habili, njeri me influencë, të rekrutohej si bashkëpunëtor, kundër disa grupeve me rëndësi, por ai arriti të arratisej. Meqenëse Habili, ishte në dijeni të një “organizate” fantazmë, të drejtuar nga Sigurimi, operativët panë rrezikun e dekonspirimit, ndaj vendosën likuidimin e tij. “Ai u vu në pritë të sigurt, në afërsi të katundit Gjinaj të Kavajës dhe me datë 23 qershor 1951, u vra”.

Nga familja e tij, 5 fëmijë dhe dy gra të moshuara, vdiqën në internim, ndërsa i vëllai, humbi aftësitë mendore, për shkak të torturave.

Vrasja e ish-Kryeministrit

Ora 08:00, 11 tetor 1943, lagjja tregtare, Durrës. Ish- zv/kryeministri Idhomen Kosturi, del nga shtëpia dhe niset drejt automobilit që do ta çonte në Tiranë. Qëllohet me plumb dhe bie i vdekur.

Pak ditë më parë, gjermanët e kishin zgjedhur ta emëronin në krye të asamblesë (Parlamentit) si person të pa komprometuar. Tregtar i madh në Durrës që, sipas Historikut të Sigurimit “ishte pasuruar së tepërmi gjatë okupacionit”, Qarkori i Partisë vendosi që ai “të mos arrinte të shkonte në Tiranë për të filluar punën, por të vritej”, ndaj pas disa ditësh në vëzhgim, ekzekutohet afër shtëpisë së tij.

I shkolluar në Boston për histori, njohës i disa gjuhëve të huaja, pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit, atij të Durrësit e Lushnjës, kryeministër më 1921 dhe zëvendëskryeministër i Nolit më 1924, Sigurimi e cilëson vetëm tregtar dhe jep datën e mësipërme për ekzekutimin e tij.  (Historiku i Sigurimit Durrës, është dokument i përgatitur në vitin 1977).

-Vrasja apo vetëvrasja e ish-komandantit?!-

Në përpjekjet e regjimit për eliminimin e kundërshtarëve, ish-komandanti i Xhandarmërisë së Shijakut, Mustafa (bej) Deliallisi, ishte ndër më kryesorët në Durrës. Ndonëse kishte qenë mik i Myslim Pezës e Kajo Karafilit, përndjekja e fisit të tij kishte nisur shumë herët, me 7 të vrarë, nga 1944-a, deri më 1948-ën, nga të cilët, dy ishin vëllezërit e Mustafait dhe vetë ai më 1948.

I fshehur në zonën e Shijakut me 6 kundërshtarë të komunizmit, Historiku i Sigurimit, nuk sqaron se si u arrit te Mustafa Deliallisi, as vendin ku iu bë prita, por informon vetëm mbi vrasjen. “Mustafa Deliallisi u gjend i rrethuar nga forcat e Sigurimit të Shtetit dhe mbas një rezistence, mbetet i vrarë. Me vete iu gjet dhe një bllok shënimesh, në të cilën kishte të shkruar në formë ditari dhe një pjesë të veprimtarisë së tij”.

Mbesa e tij ka rrëfyer se Mustafa Delialliasi, pasi dogji dokumentet, u vetëvra në shtëpinë e saj me 18 dhjetor, për të mos rënë në duart e komunistëve që e kishin rrethuar. Trupi i tij, u ekspozua tri ditë në Shijak

“Banda” social-demokrate

Në laminë e mendimit politik, Partia Komuniste, kishte eliminuar që gjatë Luftës e mandej pas saj, mendimin politik ndryshe, i organizuar në parti ose pa arritur të bëhej parti. Ndërsa përfaqësues të mendimit social-demokrat qenë arratisur, si Isuf Luzaj, ose ishin në burg, si Musine Kokalari.

Në fillim vitet 1960, në periudhën e acarimit të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, historiku i Sigurimit, flet për gjurmimin e një grupi të ri social-demokrat. I pari që raporton në organet e Sigurimit, është “Asistenti” dhe pas tij i vëllai i “Asistentit”, “Vullnetari”.

Dyshimet e para që vunë në përndjekje grupin, nisën nga deklarata e Z.K., (sipas Sigurimit, vagabond e aventurier), se pushteti i ka ditët e numëruara. “Asistenti” zbërtheu rrethin e tij miqësor, ku përfshihej edhe Pjetër Arbnori, me baba të vrarë nga njësiti gueril, për të cilin, në 1961, niste kalvari i gjatë.

“Grupi reaksionar”, siç cilësohet nga Historiku i Sigurimit, që kishte vënë 2 vëllezër t’i ndiqnin, kishte në përbërje, pos Z. K. e Pjetër Arbnorit, edhe Tanush Kason, Uran Kalakulën, etj. Kur u mësua se Pjetër Arbnori dhe Z.K. do të shkonin në Tiranë në mbledhjen e grupit si përfaqësues të Durrësit, agjenti “Vullnetari”, u udhëzua që mëngjesin e datës 27.5.1961, të takohej me Z.K. dhe të mësonte se kur do të niseshin, me çfarë do të udhëtonin dhe se ku do ta fshihnin programin.

Ai mësoi se ata do të udhëtonin drejt Tiranës me tren, e do të merrnin edhe nga një kopje të programit të Partisë. “Vullnetari”, e kishte parë që Zeqiri e kishte futur programin në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe ai i kishte treguar se edhe Pjetri, e kishte një kopje me vete.

“Ishin në survejim të vazhdueshëm dhe mbasi bashkëpunëtori informoi punonjësin operativ, u veprua mbi ata duke kapur Pjetrin në rrugë dhe Z.K. në punë. Nga kontrolli që iu banë iu gjet një kopje programi të “partisë social-demokrat” dhe, mbi këtë material dhe të denoncimit që kishte bërë S.R., u arrestuan. U njoftua edhe Ministria për të vepruar mbi grupin tjetër në Tiranë, edhe u arrestuan brenda ditës. Në këtë mënyrë u eliminua edhe organizata kundër revolucionare nga organet e Sigurimit të Shtetit të rrethit të Durrësit”.

“Në kushtet e një jete të shthurur, me aventurë, të brumosur me ideologjinë e huaj nga ambienti i keq familjar dhe ai shoqëror”. Nga mesi i vitit 1962, agjenti “Sputniku”, i raportonte Sigurimit se; “një grup të rinjsh nëpër shtëpi të ndryshme, organizonin mbrëmje familjare dhe atje kërcenin e këndonin në mënyrë të shfrenuar, si këngë xhazi, twist again, rock and roll, etj. dhe në mënyrë indirekte shprehnin urrejtjen ndaj jetës në vendin tonë, etj”.

Informacioni merret me tepër seriozitet nga sektori operativ, i cili nisi shqyrtimin e biografive të atij që e cilëson si “grup armiqësor” me tendencë arratisjeje. Në krye qëndronte 19-vjeçari Njazi Luli, njohës i gjuhës angleze, ish-punonjës në agjencinë e vaporëve, shtresë e mesme, i pamartuar dhe student në Institutin Pedagogjik Shkodër

Tendencën për arratisje, Sigurimi e vëren te dëshira e të rinjve “me prejardhje e qëndrim të keq politik”, për të hipur “fshehurazi në vapore të shteteve kapitaliste revizioniste, por i dorëzonin, se kishin frikë se mos i diktonin”!/Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • VETERANI I LUFT. ANTF.NAC.ÇLIRIMTARE.: 16/11/2023 09:14

    Akoma nuk jeni ngopur me dokumenta të Pushtetit të popullit?Ju sado të mundoheni për të deligjitimuar afë kohë e keni KOTË.HISTORIA është kokë fortë, ajo të ashtuquajturit nacionalist(që flin në gazermat e pushtuesit dhe hanin në një kazan me ta) ju sot na i shisni për ylvia !?E kuptoni se ju i shërbeni rilindjes të nazi-fashizmit?A mundet të më trgoninjë vënd në botë që tradhëtarët ti ngrenë në piedistal.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?