Dokumentari, kujtohet karriera
40-vjeçare e Zenepe Lukës

14 Dhjetor 2013, 07:43| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Takimi me gazetarët diplomuar 40 vjet në parë në Universitetin e Tiranës që u zhvillua dje në Ministrinë e Kulturës, përkoi me promovimin e librit “Kjo është jeta ime” e gazetares Zenepe Luka. Karriera 40-vjeçare e saj është pasqyruar edhe në një dokumentar, që u shfaq pas diskutimeve të kolegëve Prof. Dr. Hamit Boriçi, Tefta Radi, Virgjil Kule, Vllasova Musta, Anila Basha, Dr. Makbule Çeço, Riza Lahi, etj. Takimi ka hedhur dritë mbi figurat e grave gazetare shqiptare përgjatë një shekulli, pasqyruar në një kumtesë që mbajti gazetarja Anila Basha. Libri “Kjo është jeta ime” i Zenepe Lukës përshkruan jetën personale të gazetares së njohur. Dritëro Agolli, i cili ka bërë edhe parathënien e librit e ka cilësuar “si gazetare të veçantë”.

“Ajo ka qenë gazetare në gazetën lokale “Kukësi i ri”, ku për të mbledhur faktet e një artikulli duhej të udhëtoje me makinë dhe me këmbë, pasi nuk ishte koha e celularëve dhe aparateve të vegjël incizues, kështu Zenepja u mësua të shkojë drejt faktit si myslimani drejt Mekës”, shkruan në parathënie Dritëro Agolli. Dje janë kujtuar sakrificat në detyrë si gazetare, në kohën kur shkruante për gazetën “Koha Jonë” rreth ngjarjeve që kaloi Vlora dhe i gjithë vendi të Zenepe Lukës, e cila u sulmua në 10 maj 1998, me vendosjen e tritolit në banesë dhe u synua të zhdukej familjarisht.”

Këto dëshmi që dolën nga goja e autores dukeshin edhe në dramatike në dokumentar, kur shihje shtëpinë e saj të thërrmuar. Por gazetaren s’e ka ndalur as ky sulm më misionin e saj. “Bindja që më ka shoqëruar gjatë jetës është:Gazetaria nuk është vetëm profesion, por edhe mision. Në jetën time të trazuar, janë pjesë edhe vështirësitë për të rritur e shkolluar fëmijët, që hodhën shtat me gjurmët e plagëve të bombës që u vendos, për shkak të profesionit të nënës së tyre. Të gjithë vështirësive u është shtuar edhe fakti që punoj dhe jetoj në Vlorë…” Kjo është Zenepe Luka. Kjo është jeta e saj. Jetë e trazuar!

Shkrimi u publikua sot (14.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?