Dokumentari/ Diktatura i ndau për së gjalli, historia e rrallë e Klaudas, tha "Mama" për herë të parë 34-vjeçe: Nuk deshi fati ta gëzoja gjatë!

26 Shkurt 2023, 16:53| Përditesimi: 26 Shkurt 2023, 16:56

  • Share

Vuajtja e tyre nisi me ardhjen e komunistëve në pushtet, e plagët që diktatura u la u shënjuan jetët përgjithmonë...

"Ndihem e mangët në jetën time, për mënyrën sesi jam rritur pa nënë. Kjo për shkak të sistemit komunist", shprehet Kaluda Toto, protagoniste e dokumentarit.

Ende sot, në sytë e Klaudas, shihet mallëngjimi për jetën që i privuan. Teksa e takojmë pranë Muzeut Historik këtë të premte pas shfaqjes së dokumentarit “Mama” , të ‘kujto.al’,  ku autorja Luljeta Progni e regjisori Pandeli Çeço e vendosin në qendër të një historie të cilën protagonistja s’mundi ta shkruajë siç do kish dëshiruar...

"Jo vetëm unë, por ka dhe shumë të tjerë si unë që i kanë kaluar vështirësitë pa prezencën e prindërve të vet", shprehet më tej ajo.

Gjithçka zë fill në ’46-shtën kur gjyshi i saj, Niko Andon Beça, i martuar me francezen Elena, u arrestua duke u dënuar me 10 vjet burg në procesin kundër opozitës së parë... Ai u shua gjatë vuajtjes së dënimit, por përndjekja do të vijonte ndaj familjes së tij. Elena do të internohej në kampet e Tepelenës, ndërsa e bija Kristiana e dashuruar me Sulejmanin mbetet shtatzënë me Klaudan, në moshën 18-vjeçare...

"Babai im atëherë ishte student dhe mundësitë ishin të pakta, aq më tepër që ishin të huaj, nuk mund ta deklaronin shtatëzaninë time", rrëfen ajo.

Kur gjyshja e nëna e Klaudias, u riatdhesuan në Francë, komunistët nuk i lejuan të marrin me veten Klaudan foshnjë. Ajo mbetet në jetimore deri në moshën 7-vjeçare kur i ati arrin ta marrë nga shtëpia e fëmijës...

"Ato ikën por komunistët mua s'më lanë. Madje ata nuk donin të linin as nënën time, por gjyshja ime u tha që 'edhe të vdekur në arkivol, e marr e çoj në Francë'. Dhe kështu që gjithë pasojat ranë mbi mua", shton më tej.

Deri në kapërcyell të diktaturës, Klauda figurën e nënës e gjen vetëm përmes letrave që shkëmbejnë. E ëma gjatë kësaj kohe është kujdesur që në jetimore edhe më tej krahas korrispodencës, të ndihmojë me të mira materiale. Në vitin 1990, 34 vite larg, ajo takon nënën e saj, Kristianën. Një ballafaqim emocionues e i dhimbshëm...

"Isha 34-vjeç kur u takova me mamën për herë të parë fizikisht dhe më tej nuk u shkëputëm më. Mirëpo pastaj edhe ajo u sëmur me kancer. Kam shkuar disa herë për ta vizituar mamën, por nuk ishte fati ta gëzoja gjatë. Ishte një periudhë shumë e shkurtër", tregon Klauda.

6 vite më vonë ribashkimit, e ëma ndahet nga jeta. Sot, Klaudia vijon të jetojë në Tiranë, e përshkon të njëjtat rrugë me persekutorët e tyre...

"Një falje?! Nuk e di a kërkojnë falje! Ai që dhunon rrallë kërkon falje!"

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?