Djegia e torfës, Sheqerasi i Maliqit mbulohet nga smogu, banorët në protestë: Ndotja alarmante, po helmohemi! Topçiu: Veç shiu na shpëton

11 Tetor 2023, 16:36| Përditesimi: 11 Tetor 2023, 16:48

  • Share

Në fushat e Sheqerasit po digjet toka torfike e ish-kënetës, e cila ka krijuar një ndotje katastrofike. Banorët e fshatit Sheqeras në Maliq bashkë me fëmijët u ngritën në protestë duke kërkuar të merren masa urgjente pasi tymi e smogu po u shkakton vështirësi në frymëmarrje.

“Është e pamundur të ngrihesh në mëngjes dhe të mbash dritaret hapur. Na mbyti tymi dhe era e rëndë. I ka marrë tokat me qira një i huaj që ka kultivuar drithëra. Ka rënë zjarr andej dhe nuk shuhet më se toka digjet në thellësi. Torfa duhet të ketë ujë që të mos digjet, por kanalet nuk funksionojnë prej vitesh. Është shumë problem për shëndetin tonë dhe të fëmijëve. Kullimet e pastrimet kanë qenë përherë problem këtu. U bë vullkan dhe askush nuk merr masa. Bashkia apo kush e ka dhënë me qira tokën nuk merr masa për ta shuar zjarrin. Këtu vetëm tymin e torfës marrim ne asgjë tjetër”, thanë banorët.

“Ne në mëngjes nuk dalim dot pa maska, vetëm kollitemi. Çdo ditë në fshatin tonë ndodh kjo. Vjen erë torfë dhe nuk hapim dot dritaret në klasë”, thanë fëmijët.

Torfë quhet toka e ish-kënetës së Maliqit, që në temperatura të larta kryen procesin e vetëdjegies. Në gusht fermerët kanë djegur kashtoret por më pas situata ka dalë nga kontrolli sepse djegia vazhdon në thellësi të tokës. Zona torfike mbahet nën kontroll vetëm me ujitje të vazhdueshme, gjë e cila mungon, pasi kanalet vaditëse dhe ato të kullimit janë të bllokuara prej vitesh në Maliq. Në këto kushte kryebashkiaku Gëzim Topçiu lutet të bjerë shi. 

“Është situatë jo e lehtë, ka filluar prej kohësh me zjarrvëniet e fermerëve. Jemi munduar me forcat tona për hapje kanalesh dhe shuarjen me zjarrfikëse. Era e lëviz tymin. Situata është për tu shqetësuar por s’kemi mjet për ta ndaluar. Të shpresojmë të ketë reshje të shpejta”, tha kryetari i bashkisë Maliq.

Pyetje: A keni dhënë toka me qira?

“Ne si bashki nuk kemi dhënë toka me qira, por e ka dhënë Ministria e Bujqësisë, jo për ta larguar nga vetja. Por djegia e torfës ndodh në thellësi dhe po mundohemi ta mbajmë nën kontroll, por s’mund ta shuajmë”, tha kryebashkiaku.

Në Maliq, 6 000 hektarë është tokë torfike, prej të cilave 4000 hektarë ka ardhur si rezultat i tharjes së ish-kënetës.

M.T//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 12/10/2023 01:22

    E zgjodhet Topciun per here te 6 ? Ta gezoni tani! Vete nuk mblidheni t'i pastroni kanalet ,se u mbetet hatri karrigeve te klubeve te fshatrave e gotave te rakise po i late nje dite per disa ore,por dhe kryetarin e keni zgjedhur e rizgjedhur si veten.Kujtohet te zhbllokoje ndonje kanal kur i vjen veza e pret meshire nga perendia t'i dergoje ca pika shi!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?