Djegia e qendrës tregtare në Lushnjë, urdhri i ministrisë së Brendshme: Nga nesër kontroll në çdo objekt për masat e sigurisë ndaj zjarrit (Udhëzimi)

3 Janar, 15:42| Përditesimi: 3 Janar, 20:38

  • Share

Nga dita e nesërme do të ketë një inspektim në shkallë vendi në çdo objekt për masat dhe mjetet për rritjen dhe garantimin e sigurisë publike nga zjarri dhe shpëtimi. Ky është urdhri i ri i dhënë sot nga ministria e Brendshme që do të zbatohet në mënyrë periodike, për masat e mbrojtjes nga zjarri.

"Në ushtrim të kompetencave si Ministër i Brendshëm për orientimin e zbatimit të politikave të veprimtarisë së shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, kam udhëzuar sot një inspektim në shkallë vendi të masave dhe mjeteve për rritjen dhe garantimin e sigurisë publike nga zjarri dhe shpëtimi”, njofton ministria e Brendshme.

Përmes një njoftimi për shtyp ministri Taulant Balla thotë se “Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në Ministrinë e Brendshme, njësitë e MZSH-së  (Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit) në çdo bashki, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe inspektoratet e mbrojtjes së territorit në çdo bashki janë udhëzuar sot të kontrollojnë prej nesër dhe në mënyrë periodike masat dhe mjetet e mbrojtjes nga zjarri në çdo objekt, me kritere specifike sipas nivelit të rrezikut”.

Qëllimi i këtij udhëzimi, siç nënvizohet në dokumentin e siguruar nga gazetari i Report TV Sokol Dema është të sigurojë rritjen dhe garantimin e sigurisë publike nga zjarri dhe shpëtimin në shkallë vendi, rritjen e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të institucioneve të administratës në nivel qendror dhe vendor, si dhe identifikimin e rreziqeve nga zjarri për të reduktuar probabilitetin e fillimit të zjarreve.

Ky urdhër vjen disa ditë pas djegies së qendrës tregtare Metropol në Lushnjë ku për shkak të mungesës së një autoshkalle dhe mjeteve të tjera u hasën vështirësi në shuarjen e zjarrit ndërsa zjarrfikësit hodhën ujë  nga kati i parë për në katin e katërt të qendrës që po shkrumbohej para syve të tyre. Të rrezikuar ishin dhe shumë qytetarë që ndodheshin në apartamentet sipër qendrës tregtare, të cilët u gjendën pa asnjë alternativë shpëtimi si shkallë emergjencë dhe masa mbrojtëse ndaj zjarrit, por zbritën nga dritaret dhe ballkonet e banesave përmes vinçeve. 

Por si do të bëhet klasifikimi i objekteve që do kontrollohen dhe hartimi i planeve të punës?

"1. Strukturat e shërbimit të MZSH-së klasifikojnë objektet në territorin e Bashkisë sipas rrezikshmërisë nga zjarri, në bazë të kategorive të përcaktuara në udhëzimin nr. 81, datë 06.03.2020, "Për klasifikimin e objekteve, sipas rrezikshmërisë nga zjarri, procedurat e shqyrtimit dhe miratimit të projektit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, si dhe dhënia e certifikatës së sigurisë nga zjarri" dhe njoftojnë Ministrinë e Brendshme, Inspektoratin Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Kryetarët e Bashkive dhe inspektoratin vendor të mbrojtjes së territorit në bashki.

2. Bazuar në klasifikimin e tyre, strukturat e shërbimit të MZSH-së përcaktojnë planin mujor, planin tre mujor, planin gjashtë mujor dhe planin vjetor të punës, duke përcaktuar objektet që do të inspektohen me grup inspektimi sipas shkronjës "a", të pikës 1, të neni 4, ose me grup inspektimi të përbashkët, sipas shkronjës "b", të pikës 1, të neni 4.

3. Për objektet që do të inspektohen me grup inspektimi të përbashkët, i kërkojnë Kryeinspektorit të IKMT dhe Drejtorit të Përgjithshëm të MZSH-së citimin e inspektorëve përkatës. Kryeinspektori dhe Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së caktojnë inspektorët jo më vonë se 3 (tre) ditë pune, nga data e marrjes se kërkesës.", thuhet më tej në udhëzim.

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gripi: 03/01/2024 21:22

    Urdher qe te zbatohet ligji? Po pergjegjesi ligjore kane ata qe se kane zbatuar? Ndertuesi, bashkia qe e koalidimin, sherbimi zjarrefikes etj? Perse keshtu mbyllet kjo histori? Tragjedi edhe me te renda na presin nese nuk ndeshkohen ata qe nuk zbatojne ligjin. Ligji nuk zbatohet me urdhera dhe fushata.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?