Këshilli i Europës në Strasburg

Ditë historike për Kosovën, Asambleja e Këshillit të Europës voton sot për anëtarësimin! Hidhen poshtë propozimet serbe

16 Prill, 08:01| Përditesimi: 16 Prill, 13:13

  • Share

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të hedhë në votim raportin për anëtarësimin eventual të Kosovës në këtë organizatë gjatë seancës plenare që do të mbahet në Strasburg sot rreth orës 16:30.

Bëhet fjalë për votimin e një mendimi pozitiv sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në organizatën e cila kryesisht merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.

Raporti u përpilua nga deputetja greke, Dora Bakoyannis, dhe drafti i këtij raporti ishte miratuar në mars nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate.

Për t’u miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare.

Ndërkohë sot Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës hodhi poshtë të gjitha amandamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Një ditë para votimit në Strasburg ka pasur konsultime të shumta për të parë se si është disponimi. Ka pasur takime mes delegacioneve të partive politike, ndërsa delegacionet nga Serbia dhe nga Kosova kanë bërë përpjekjet e fundit për t’i bindur deputetët që në numër sa më të madh të votojnë në favor të tyre.

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Nga Kosova në selinë e Këshillit të Evropës ndodhet një delegacion i Kuvendit të Kosovës, ndërsa takime në nivele të ndryshme ka mbajtur edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Përshtypja e delegatëve të disa vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, është se do të mund të sigurohen votat e favorshme për Kosovën në këtë seancë.

Por, ata kanë vërejtur se në momentin e fundit ka pasur lëvizja nga disa vende anëtare të cilat e njohin Kosovën si shtet, por nuk janë të sigurta në mbështetjen e tyre për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në këtë moment.

Do të jetë sfidë edhe të sigurohet prania e numrit të mjaftueshëm të deputetëve për të siguruar kuorumin e nevojshëm. Për këtë duhet të jenë të pranishëm së paku një e treta e anëtarëve të përgjithshëm të Asamblesë. Ndërsa, nevojitet dy e treta e votave të të pranishmëve që raporti për Kosovën të kalojë.

Përmendet edhe mundësia që një numër i caktuar i deputetëve të mos marrin pjesë fare në seancë.

Nëse Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës të martën, atëherë çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.

Por, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.

Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sa i përket raportit, për të cilin do të votohet të martën, në të themelimi i Asociacionit përmendet si kusht pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Serbia ka propozuar disa ndryshime në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë. Amendamentet e Serbisë janë mbështetur edhe nga dy delegatë të Bosnje e Hercegovinës. Përmes tyre, kërkohet që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës.

Serbia po ashtu po kërkon që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Delegacioni serb po ashtu ka kërkuar që nga teksti të hiqen të gjitha pikat në të cilat vlerësohet përparimi i Kosovës në respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe në vend të kësaj, Kosova të kritikohet për shkelje të të drejtave.

Megjithatë, këto amendamente pritet të refuzohen sepse ato, praktikisht, do ta bënin të pakuptimtë të gjithë tekstin e raportit dhe rekomandimit.

Një amendament i cili po konsiderohet si sfidues e kanë propozuar disa delegatë nga Italia. Ata kanë kërkuar që të shqyrtohet detyra e Kosovës për themelimin e Asociacionit para se Këshilli i Ministrave të vendosë për pranimin eventual të Kosovës. Delegatët italianë kërkojnë që Kosovës t’i vendoset kusht zbatimi i të gjitha obligimeve nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve – të arritur vitin e kaluar – përfshirë edhe themelimin e Asociacionit.

Deri në momentin e fundit do të jetë e paqartë se si do të shkojnë votat dhe në cilën formë do të miratohet teksti.

Debati për Kosovën dhe votimi pritet të zhvillohet pasditen e së martës në Strasburg. REL

Ora 13:05
KiE hedh poshtë propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

1711607131_keshilliieuropes.JPG

Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës hodhi poshtë të gjitha amandamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Media kosovare shkruan se këto propozime u rrëzuan me shumicë votash.

Diskutimi për kërkesën e Kosovës për t’u pranuar në Këshillin e Evropës do të fillojë rreth orës 16:30 në Asamblenë Parlamentare.

Dje në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës u votua unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim, përpara se Asambleja Parlamentare ta shqyrtojë sot raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mat: 16/04/2024 13:43

    Historike per Kosoven, por edhe per Greqine dhe Shqiperine. Athina mbeshteti fort Prishtinen ndersa Tirana e Rames e minoi ne favor te Beogradit. Ndersa Bakojani shpallte vendimin pozitiv per KiE, ministri shqiptar klloun Hasani snxori asnke fjale, shefi i tij anadollak jo e jo. Ia lane ne dore Vucic i cili u xhindos si dreq. Pra votimi sot do shpalle nje aleance e vije te re ne Ballkan: ndersa arbereshet ne Greqi, Maqedoni, Kosove e Mal te Zi rreshtohen ne nje, ata ne Shqiperi e qe e kane per detyre ti mbrojne-qendrojne ne te kundert. Vetem sepse trashegimia mafiozo-politike enveriste qe ka kapur PS dhe shtetin ne Shqiperi dhe kryemaskarai ne krye te saj, jane rreshtuar per pazar kunder Kurtit per te vazhduar plackitjen barbare te pasurive tona publike.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?