Shkollë e rindërtuar pas tërmetit të vitit 2019

Dita Ndërkombëtare e Arsimit, PNUD në Shqipëri: Investimit në edukim, më e mira për të ardhmen! Me partnerët, po punojmë në ndërtimin e saj për brezat e rinj

24 Janar 2023, 13:18| Përditesimi: 24 Janar 2023, 13:38

  • Share

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Shqipëri ka nënvizuar rëndësinë e investimit në edukim, si investimi më i mirë për të ardhmen.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë në rrjetet sociale të PNUD-së në Shqipëri, ndër të tjera, nënvizohet se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, po rindërtohen objekte arsimore të shkatërruara ose dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri në kontekstin e programeve/projekteve të ndryshme në arsim.

Një prej tyre është Programi “EU4Schools”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga PNUD Shqipëri, i cili po ndërton apo riparon më shumë se 60 objekte arsimore në 11 nga bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019. Deri tani, kanë përfunduar 37 objekte arsimore.

Projekti “Mbështetja Kroate për Rimëkëmbjen e Arsimit” (CERS), i financuar nga qeveria kroate dhe zbatuar nga UNDP, është një tjetër projekt që ka mundësuar rindërtimin e shkollës 9-vjeçare & kopshtit “Iliria” në Bashkinë Krujë. Në këtë objekt arsimor të ri dhe modern përfitojnë 156 nxënës e fëmijë dhe 13 pjesëtarë të stafit akademik.  

Gjithashtu, projekti “Mbështetja për Infrastrukturën Komunitare (CIS)”, me financim nga qeveritë e Danimarkës dhe Mbretërisë së Bashkuar, po rindërton/riparon 3 objekte arsimore në Bashkinë Durrës. Falë kësaj ndërhyrjeje, 740 fëmijë e nxënës janë përfituesit e drejtpërdrejtë.  

Sipas PNUD Shqipëri, ndërtimi i këtyre objekteve arsimore është realizuar mbi bazën e parimeve të “Rindërtojmë më mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku”, duke garantuar cilësi dhe siguri për përfituesit, si dhe duke angazhuar komunitetin në procesin e rindërtimit.  

“Ndërhyrjet tona nuk konsistojnë vetëm në rindërtimin e shkollave, por edhe në përmirësimin e jetës së komuniteteve. Me partnerët tanë si Bashkimi Evropian, Qeveria e Kroacisë, Qeveria e Danimarkës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, ne po kontribuojmë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat e rinj të Shqipërisë”- shprehet Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD në Shqipëri.

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?