Dita e Rinisë, Berisha-studentëve:
Të hedhim qeverinë e drogës

8 Dhjetor 2017, 11:43| Përditesimi:

  • Share
Ish-kryeministri Sali Berisha, përpara shumë studentëve të mbledhur me rastin e 27-vjetorit të Ditës së Rinisë, ka bërë thirrje për rrëzimin e kësaj qeverie, që sipas tij ka humbur çdo legjitimitet.

Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama se është i përfshirë në trafikun e drogës bashkë me vëllain e tij, Olsin, ndaj dhe të rinjtë sipas tij nuk kanë alternativë tjetër përveç se ta hedhin.

“Edi Rama është i implikuar në trafikun e drogës, bashkë me Olsi Ramën. Zgjidhja e kësaj situate është vetëm guximi dhe trimëria juaj. Keni një mijë e një arsye të ngriheni fuqishëm. Jeni dhjetëra herë më të shumtë se kjo sallë, edhe pse vetëm kjo sallë do të mjaftonte për ta hedhur në Lanë këtë qeveri. Nuk ishin shumë ata në natën e parë të përballjes me diktaturën, të cilën e gjunjëzuan”, ka deklaruar Berisha.

Lideri historik i së djathtës ka kujtuar më tej momentet e vështira të viteve ’90, kur u ekzekutuan shumë të rinj, të cilët duke sfiduar frikën dhe represionin ishin ngritur në kërkim të lirisë.

“Fantazia dhe imagjinata juaj nuk ka fund, por ajo nuk rrok dot guximin e atyre bashkëmoshatarëve tuaj. Në Shqipërinë e viteve ‘90 ishin ekzekutuar me regjistër të Ministrisë së Brendshëm 96 bashkëmoshatarë tuaj, të cilët ishin nisur për të gjetur lirinë. Akoma më makabër është fakti se trupat e disave prej tyre zvarriteshin nëpër qytete për të mbjellë terror kudo. Më kujtohen trupat e bërë shosh, të cilët vendoseshin afër shkollës për të na tmerruar”, ka kujtuar më tej Berisha. 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?