Dita e fundit në Presidencë e Ilir Metës! Presidenti opozitar, bëri fushata dhe dha pafund dekorata! Nesër e presin në LSI

24 Korrik 2022, 08:18| Përditesimi: 24 Korrik 2022, 09:41

  • Share

Në zyrën e presidencës, Ilir Meta do të ketë ditën e fundit sot, kur vendin e tij do ta zërë Bajram Begaj, i votuar më 4 qershor me 78 vota nga Kuvendi i Shqipërisë, para të cilit më 24 korrik do të bëjë edhe betimin. Presidenti në detyrë Ilir Meta, u vendos në krye të shtetit më 24 korrik të 2017, disa muaj pasi ishte zgjedhur me propozim të socialistëve, u votua në Kuvend vetëm nga mazhoranca, me 88 vota, në një kohë që opozita kishte dy muaj që bojkotonte. Shumë shpejt, Meta do të bëhej president i atyre që nuk ishin në kuvend për ta votuar, duke u rreshtuar hapur në krah të tyre. Që para se të betohej në atë detyrë ai u përfshi në fushatën e vitit 2017, në krah të kandidatëve të LSI dhe me flamurin e ish-partisë së tij, edhe pse ishte president i zgjedhur.

Drejtimi i Presidencës u karakterizua nga përplasje të shpeshta me qeverinë, të cilat zanafillën e kanë në fillim të 2019, kur Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakajt, si ministër të Jashtëm duke e cilësuar të papërgjegjshëm dhe pa përvojë. Një tjetër përplasje me qeverinë, kreu i shtetit e shënjoi po në 2019, pas dekretit q shtynte zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, dekret që nuk gjeti zbatim nga shumica socialiste, pasi zgjedhjet i mbajti pa opozitën.

Më 2 mars, të vitit 2020 Meta shënoi një tjetër akt të pazakontë të një kryetari shteti duke thirrur protestë kundër qeverisë. Më 2 mars të 2020 ai u zhvendos nga zyra e tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në tubimin kundër atij që e quajti grusht shteti.

Përplasja më e ashpër u regjistrua në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2021, në fushatën e të cilave, Meta u angazhua pavarësisht rolit në krye të shtetit. Retorika e tij, përmes të cilës kërcënonte se nuk do të lejonte prekjen e votës së lirë, prodhoi edhe konfrontim fizik në zyrat e një partie politike, FRD në 12 mars të 2021.

Kjo periudhë shënoi edhe krisjen më të thellë me ndërkombëtarët, veçanërisht me ambasadoren amerikane Yuri Kim.  Meta u bë presidenti i parë në historinë e pluralizmit për të cilin Kuvendi merr nismën për ta shkarkuar, 2 herë, megjithatë arriti të çonte deri në fund mandatin presidencial.

Përgjatë 5 viteve në krye të shtetit, Meta luhatje pati edhe në marrëdhënie me opozitën, të cilën e kundërshtoi për lënien e mandateve duke e quajtur tradhti ndaj demokracisë, edhe pse pjesë e këtij vendimi ishte edhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, si kryetare e LSI.

Krahasuar me paraardhësit në krye të shtetit, Presidenca e Ilir Metës do të mbahet mend edhe për dhënien e një numri shumë të lartë të dekoratave, 276 vetëm brenda 2022, me të fundit dje, atë për Dritëro Agollin. 

Fill pasi të lërë presidencën, ditën e nesërme, LSI mbledh Konventën Kombëtare, ku pritet që Meta të marrë drejtimin e forcës politike që themeloi e drejtoi. Aleati i tij kryesor do të jetë Sali Berisha, bashkëpunimin me të cilin nuk e ka fshehur as në ditën e fundit të tij në presidencë...

K.T.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?