Dita e Europës, Ministrja e Jashtme diskutim me ambasadorët e BE në vendin tonë: Ne e meritojmë të kemi një perspektivë të qartë evropiane

9 Maj 2022, 16:42| Përditesimi: 9 Maj 2022, 17:58

  • Share

Në kuadër të Ditës së Evropës, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka mori pjesë në një diskutim të hapur me ambasadorë të vendeve të BE në vendin tonë,  lidhur me përgjigjen e përbashkët të Shqipërisë dhe BE ndaj agresionit rus në Ukrainë. 

Ministrja Xhaçka theksoi se në këtë ditë, shqiptarët nuk kremtojnë thjesht Evropën, por mbi të gjitha ëndrrën e tyre për t’u bërë pjesë e saj.  Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohje për gjithçka  që BE ka bërë për Shqipërinë dhe rajonin, teksa theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje më strategjike të BE ndaj rajonit. 

“Shqipëria është duke luajtur një rol të dorës së parë në arenën diplomatike globale, në Këshillin e Sigurimit ku po jep një kontribut aktiv e të qenësishëm në mbështetje të Ukrainës. Ne e meritojmë të kemi një perspektivë të qartë evropiane, këta të rinj e të reja që janë sot këtu e meritojnë që ta jetojnë BE njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në vendet anëtare dhe të mos u duhet të presin edhe ata për dekada e dekada me radhë me një BE që ngelet si një vegim që nuk afrohet kurrë në horizont, siç për fat të keq i qëlloi brezit tim”, u shpreh ministrja Xhaçka në fjalën e saj. 

Pjesë e panelit të nivelit të lartë ishin edhe ambasadorët e vendeve të BE në Shqipëri, si edhe ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shukrov. Ata shprehën solidaritetin për Ukrainën dhe njerëzit e saj, teksa shprehën mirënjohjen e tyre për kontributin dhe mbështetjen që Shqipëria ka treguar ndaj Ukrainës. Gjithashtu, ata njëzëri vlerësuan progresin e vazhdueshëm që Shqipëria ka bërë sa i përket procesit të integrimit në BE.

Fjala e plotë e Ministres Xhaçka:

9 maji është bërë prej dekadash një ditë e rëndësishme në kalendarin e shqiptarëve. Është një ditë që për ne shqiptarët ka një domethënie krejt të veçantë krahasuar me mënyrën sesi perceptohet kjo ditë në BE, pasi në 9 maj ne nuk kremtojmë thjesht Europën, por mbi të gjitha ëndrrën tonë për t’u bërë pjesë e Europës dhe gjithçka kjo ëndërr e mbështetur nga Bashkimi Europian ka bërë për transformimin e rajonit tonë. Bashkimi Europian ka bërë shumë për rajonin dhe ka bërë shumë për Shqipërinë.

Mjafton të kujtosh situatën në të cilën ndodhej rajoni ynë në vitet 1990 për të kuptuar sesa i jashtëzakonshëm ka qenë ky transformim. Sepse për pjesën më të madhe të asaj dekade situata në atë që sot quhet Ballkani Perëndimor ishte më e ngjashme me situatën në Sirinë e luftës civile apo të Ukrainës sot nën agresionin rus, sesa me realitetin që përjeton sot ky rajon. Gjakderdhja dhe tmerret e luftërave të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, spastrimi etnik, kampet e përqendrimit, masakrat e krimet e luftës në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e më pas në Kosovë nën sulmet e një regjimi kriminal si ai i Miloshevicit, janë sot të vështira për t’u imagjinuar nëse nuk e ke jetuar atë periudhë.

Dhe nëse ky rajon, pavarësisht probleme që nuk është se janë zhdukur apo zgjidhur që të tëra padyshim, ka bërë kaq shumë progres drejt ndërtimit të shteteve funksionale, moderne e demokratike, drejt garantimit të paqes, stabilitetit e sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal, drejt zhvillimit e mirëqenies, kjo padyshim i detyrohet shumë angazhimit të vendosur dhe mbështetjes që ka dhënë Bashkimi Europian. Dhe do të thosha pa ia ulur aspak rëndësinë, që edhe më shumë sesa mbështetjes financiare që ka qenë vërtet e jashtëzakonshme, i detyrohet ëndrrës, perspektivës europiane e cila i ofroi rajonit një alternativë ndaj politikave nacionaliste e përçarëse, që siç thotë një fjalë prodhonin në rajon më shumë histori sesa rajoni mund të konsumonte.

Shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë rajonin, janë padyshim populli që ka besuar më shumë dhe ka punuar më shumë për këtë ëndërr. Sondazhet, vazhdimisht e nxjerrin mbështetjen e shqiptarëve për integrimin europian në mbi 90%. Por në fakt s’është fare nevoja për sondazhe për të kuptuar sesa shumë besojnë shqiptarët tek integrimi europian. Mjafton të shohësh se çfarë roli kanë luajtur shqiptarët si një faktor stabiliteti në rajon dhe si një garantues i orientimit euro-atlantik të vendeve të rajonit, për ta kuptuar që asnjë popull tjetër nuk është aq i përkushtuar sa shqiptarët ndaj perspektivës europiane.

Prova e këtij përkushtimi është sot edhe qëndrimi dhe kontributi që po jep Shqipëria në lidhje me luftën në Ukrainë. Vendi ynë siç e dini ruan tashmë prej kohësh një linjëzim 100% me BE në politikën e jashtme, çka padyshim që ka vazhduar edhe në këtë situatë, me linjëzimin e plotë të vendit tonë me të gjithë paketat e masave shtrënguese që ka miratuar BE.

E jo vetëm kaq, por sot si kurrë më parë, Shqipëria është duke luajtur një rol të dorës së parë në arenën diplomatike globale, në Këshillin e Sigurimit ku po jep një kontribut aktiv e të qenësishëm në mbështetje të Ukrainës dhe luftës heroike të popullit të saj kundër agresionit të paligjshëm rus.

Ne shqiptarët kemi vërtet shumë arsye për t’i qenë mirënjohës Bashkimit Europian. Shqipëria dhe rajoni ynë në tërësi jemi prova më e mirë e fuqisë transformuese që ka ëndrra europiane kur kombinohet me një qasje të duhur dhe  strategjike.

Sot, ky kombinim faktorësh është më i nevojshëm se kurrë. Sepse e vërteta është që prej njëfarë kohe tashmë ka pasur për fat të keq një mungesë qartësie strategjike në raport me rajonin tonë. Mjafton të shohësh sesi ky rajon mu në mes të Bashkimit Europian, dikur zonë ku BE gëzonte një ekskluzivitet strategjik të plotë, sot pas agresionit rus në Ukrainë, shihet si një nga nyjat e dobëta në arkitekturën e sigurisë së Europës për të kuptuar sesa e vërtetë është kjo.

Prandaj në këtë ditë, që kremton zanafillën e një eksperimenti vërtet të paprecedentë në historinë e njerëzimit, unë dua t’i bëj thirrje Bashkimit Europian, por edhe çdo vendi anëtar, që ta rigjejnë fokusin, të rigjejnë atë qartësi strategjike që bëri të mundur krijimin e vetë Bashkimit Europian dhe ta shohin rajonin tonë po me atë frymë. Ne e meritojmë të kemi një perspektivë të qartë europiane, këta të rinj e të reja që janë sot këtu e meritojnë që ta jetojnë BE njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në vendet anëtare dhe të mos u duhet të presin edhe ata për dekada e dekada me radhë me një BE që ngelet si një vegim që nuk afrohet kurrë në horizont, siç për fat të keq i qëlloi brezit tim.

Ora 16:57
Ambasadori Ukrainës në Shqipëri: Mirënjohje për ndihmën, 200 nëna dhe fëmijë ukrainas po strehohen këtu

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen që ka dhënë për luftën. Ai tha se për t’i dhënë fund luftës perëndimi duhet të vazhdojë të vërë sanksione ndaj Rusisë.

“6.mld dollarë u mblodhën nga konferenca e donatorëve. Rama deklaroi në këtë konferencë se Shqipëri do i ofrojë Ukrainës 1 mln euro. Me ndihmën e shqiptarëve dhe popullit kemi dërguar 6 kamion të mëdhenj me ndihmë humanitare. Shqiptarët kanë transferuar fonde. 200 fëmijë dhe nënat po rehabilitohen në Shqipëri, dua t’iu falënderoj”, tha ambasadori.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kasem Gahinji: 09/05/2022 16:58

    Zonja Ministre.Tani nuk eshte koha per "perspektive europiane",por per hap konkret nga Europa.Te kerkosh "perspektive "do te thote qe Edhe pas 50 vjetesh ne do te jemi per Europe".Por a do te ekzistojne Europa e bashkuar pas 50 vjetesh?Sipas leninit Jo,sipas Hitlerit mund te behet vetem me force e arme e,sipas eurodemokrateve,behet dhe shperbehet.Por ,gjithenje...perspektive europiane mbetet."Prisnin dhe shpresoni"Edmond Dantes."Konti i Montekristos,faqja e fundit,rrjeshti i fundit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?