Një nga naftëtaret

Dita e 23-të e grevës, naftëtarja me lot në sy: Mbrëmë kam qenë sëmurë nga zemra, Rama të reagojë! Meta: Zgjidhja e vetme shpërndarja e parlamentit

6 Nëntor 2020, 15:20| Përditesimi: 8 Nëntor 2020, 10:50

  • Share

BALLSH- Naftëtaret kanë hyrë në ditën e 23-të të grevës në Ballsh teksa gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e përkeqësohet.

Ato kanë kërkuar zgjidhje sa më shpejt nga kryeministri Edi Rama pasi thonë se mund të ndodhë tragjedia mes tyre pasi janë shfaqur shenja në përkeqesimin e shëndetit.

Njëra prej grave me lot në sy thotë se naftëtaret kanë diskutuar mbrëmë si do të vetëflijoheshin pasi u vjen rëndë të dalin nga greva dhe të rikthehen tek familjet e tyre. Ajo shton se ka pasur probleme me zemrën.

"Gjendja jonë ka qenë shumë e keqe mbrëmë kam qenë  e sëmurë nga zemra dhe shikoja shoqet që më jepnin kurajo. Nuk më vjen të shikoj  vajzat e mia që kam 23 ditë nuk e di ku i kam, për ça kam ikur nga familja për bukën e gojës. Shteti të reagojë, zonjat e parlamentit shqiptar duhet të reagojnë për këto nëna se nëna është e shenjtë përderisa krijon familje por unë sjam e zonja ta krijoj familjen time. Kërkoj zgjidhjen e Ramës që të mos ndodhë ndonjë tragjedi këtu te ne. Për bukën e gojës kemi ikur. I bëj thirrje dhe atyre zonjave të parlamentit. Kam 23 ditë nuk e di se çfarë bëjnë vajzat e mia a hanë a pinë. Jam shumë e mërzitur zoti më ndihmoftë. Sot kam qenë shumë e sëmurë nga zemra", tha ajo.

Lidhur me situatën e tyre ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta i cili ka thënë, se e vetmja zgjidhje për këtë rast është shpërndarja e parlamentit.

"E vetmja zgjidhje që mund të bëhet është shpërndarja e Parlamentit dhe shpërndarja e Qeverisë për të zgjidhur një problem mjaft të agravuar social, por nuk mendoj se është ky momenti për t’i dhënë përgjigjen e merituar një qeverie çnjerëzore, aq më tepër kur rëndohet shëndeti i grave dhe shëndeti i të gjithë grevistëve.

Korrupsioni pa fre dhe mungesa e përgjegjësisë ndaj jetës së njerëzve dhe problemeve të tyre është një dimension i përditshëm i kësaj qeverie dhe Presidenti për të gjithë këtë neglizhencë që u bëhet jo vetëm grave naftëtare, jo vetëm naftëtarëve, jo vetëm atyre, por të gjithë shtresave më të vuajtura të shoqërisë sonë, të cilat kanë kontribuar aq shumë për zhvillimin e ekonomisë, për zhvillimin e vendit, do të gjejë kohën dhe përgjigjen e duhur së bashku me të gjithë popullin shqiptar. Megjithatë unë shpresoj që të ketë një dialog sa më parë që të jetë e mundur, dhe për humbjen e jetës apo të shëndetit të çdo qytetari e qytetareje do të ishte një përgjegjësi", tha ai.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?