Dita botërore e zemrës, konsulta falas në pedonalen e Tiranës! 90 mijë të prekur nga sëmundje kardiovaskulare në vend

29 Shtator 2023, 16:25| Përditesimi: 29 Shtator 2023, 16:30

  • Share

Sëmundjet e zemrës po shënojnë rritje duke prekur edhe moshat e reja vitet e fundit. Në ditën botërore të ndërgjegjësimit në pedonalen e kryeqytetit u zhvillua një fushatë ndërgjegjësuese nga ekspertë të shëndetësisë ku u kryen falas konsulta me mjek specialistë. Ata apeluan për kujdes të shtuar dhe ushqyerje të shëndetshme pasi sëmundjet e zemrës ishin shkaktar i 54% të vdekjeve në 2022.

Mbi 90 mijë persona janë të prekur nga sëmundjet Kardiovaskulare në vendin tonë ndërsa 1 në 2 persona kanë faktor risku për rritjen e nivelit të yndyrave në gjak.

Nën moton “Duaje Zemrën tënde” në ditën botërore të zemrës pedonalja e Tiranës u shndërrua  në një miniqendër shëndetësore ku u kryen falas konsulta me mjek specialist për të gjithë kalimtarët e interesuar.

“Kam pak marrje mendsh ndonjëherë”

Gjergji 75 vjeç, nuk nguroi t’i afrohej bluzave të bardha për të zhvilluar një konsultë me doktoreshë Evën e cila i bëri matje të tensionit dhe kolesterolit .

“Matja u bë dhe kam dalë shumë mirë. Është normale.”

Adil Mustafa është vetë mjek gjinekolog në një klinikë private. Rastësisht i gjendur aty ai nuk nguroi të bëjë detyrën e tij si qytetar i ndërgjegjësuar. Një kontroll i parametrave të yndyrav dhe tensionit nuk i bën aspak keq askujt thotë ai.

“Bëhet për sensibilizim të situatës. Mirë është.”

Ekspertët e shëndetësisë tregojnë se sëmundjet kardiovaskulare kanën prekur vitet e fundit dhe moshat e reja, ndaj kujdesi duhet shtuar. Obeziteti duhani dhe qëndrimi ulur listohen si shkaqet kryesore.

“Kryesisht rreziku më i madh është për moshat e vjetra. Sigurisht ka prekje dhe të moshave të reja, por rreziku dhe incidenca e sëmundjeve të zemrës rritet me moshën.Më të rrezikuarit janë dhe meshkujt , por rreziku për gratë rritet pas menopauzës. Rekomandojmë një stil jetese tè shëndetshëm, të mos pihet duhan, 30 minuta aktivitet fizik në ditë.- tha Dorina Toçi.

“Ne vërtet nuk mund të ndryshojmë gjenet, por mund të ndryshojmë stilin e jetesës. Mund të mjekojmë shumë mirë hipertensionin arterial. Parandalimi duhet të jetë në thelb të mjekësisë moderne.”- tha Mihal Tase.

Sipas të dhënave referuar Institutit të Statistikave, për vitin 2022, më shumë se gjysma e vdekjeve erdhi si pasojë e sëmundjeve të aparatit të qarkullimit të gjakut. Rreth 54% e vdekshmërisë ose 13 mijë persona humbën jetën nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut ku përfshihen dhe sëmundjet e zemrës.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?