Diskutimet e plota/KLD sherr për
Shpresa Beçajn,refuzon emërimin

26 Nëntor 2017, 07:27| Përditesimi:

  • Share
Një vendim i Gjykatës Administrative të Apelit, për emërimin e ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë si dhe dëmshpërblimin e saj me rreth 40 mijë USD, ka përfshirë në debate Këshillin e Lartë të Drejtësisë, gjatë mbledhjes së datës 17 nëntor 2017. Vendimi i formës së prerë është produkt i qëndrimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili në shumë raste nuk ka pranuar për të zbatuar ligjin për rikthimin e ish-gjyqtarëve në gjyqësor.

Të njëjtën strategji KLD ndoqi edhe me rastin e ish-kryeprokurores Ina Rama. Megjithatë, pavarësisht formës së prerë, KLD nuk ka pranuar që të zbatojë vendimin për emërimin e Shpresa Beçajt, me argumentin se legjislacioni ka ndryshuar dhe se me ligjet e reja KLD nuk mund të emërojë gjyqtarë. Gjatë diskutimeve, anëtari i KLD, Gjin Gjoni, është shprehur se nuk ishte kundër zonjës Beçaj, por se legjislacioni aktual nuk i lejon KLD asnjë lloji mundësie për ta emëruar.

“Faktikisht, problemi i zonjës Beçaj ka qenë problem edhe në mbledhje të tjera edhe është kërkuar me insistim në lidhje me marrjen në shqyrtim të kësaj kërkese. Nga informacionet që kam unë, kanë qenë dy-tre raste të cilët janë futur në listën e përgjithshme, por si duket nuk ka marrë numrin e caktuar të votave për t’u emëruar. E vërteta është që sot ligji “Për statusin e gjyqtarit” dhe për mënyrën e funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nuk të lejon në asnjë lloj mundësie. Vendimi është por nuk të lejon mundësinë e emërimit dhe vendimi në këtë mënyrë s’mund të zbatohet”, ka pohuar Gjin Gjoni. Edhe kryetari i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, ishte në një linjë me Gjin Gjonin sa i takon zbatimit të vendimit të gjykatës. “Unë jam absolutisht dakord që edhe në parim, që ish Kryetari i Gjykatës së Lartë nuk mund të lihet jashtë sistemit, pa punë, si çdo drejtues, por nuk gjej dot mundësinë ligjore, dispozitën ligjore si ta bëjmë”, është shprehur Hoxha.

Artan Broci dhe ministrja mendim ndryshe
Një mendim ndryshe nga Gjin Gjoni ka shprehur anëtari i KLD, Artan Broci, për rastin e zonjës Shpresa Beçaj. “Duke u udhëhequr nga kjo frymë pozitiviste, pavarësisht se në vonesë, e mira do ishte që nga data 06.04., mbas mbarimit të vendimit të apelit administrativ, t’i ishte shtruar Këshillit të Lartë të Drejtësisë rikthimi i zonjës në detyrë. Unë mendoj se ne nuk bëjmë emërim. Ne zbatojmë një vendim gjyqësor. Dhe po të udhëhiqemi nga kjo frymë ne ekzekutojmë vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ, i cili është detyrues, na pëlqen apo s’na pëlqen përmbajtja e tij, por zbatojmë një vendim gjyqësor”, ka pohuar Broci.

Në një linjë me Brocin, ishte edhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. “Edhe unë mendoj që për sa kohë që është një vendim gjyqësor, KLD-ja është e detyruar për ta zbatuar. Pavarësisht se për shkak të dispozitave tranzitore, kompetenca për të nxjerrë akt emërimi apo për të emëruar gjyqtarët e ka të kufizuar, pra nuk e ka me dispozita tranzitore në këtë periudhë derisa të ngrihet KLGJ-ja, por nga ana tjetër, si çdo organ, si çdo institucion tjetër është i detyruar të zbatojë vendimin e gjykatës”, pohoi zonja Gjonaj. 
 

Debatet në mbledhjen e KLD për zonjën Shpresa Beçaj
-Ilir Meta: Ju lutem! Një pikë tjetër para se të kalojmë tek delegimet. Informacion mbi zbatimin e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit me palë paditëse Shpresa Beçaj, ish kryetare e Gjykatës së Lartë. Po!

-Pjerin Prendi: Atëherë, zonja Shpresa Beçaj ka përfunduar mandatin 9-vjeçar si anëtare e Gjykatës së Lartë me datën 23 mars 2013, ndërsa më datë 10 tetor 2013 rezulton që ka paraqitur kërkesë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të kandiduar si gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Pas disa kohësh në fakt, pasi nuk është trajtuar nga ana e Këshillit, zonja Beçaj i është drejtuar me kërkesëpadi Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, me të cilën ka kërkuar detyrimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për ta emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë si dhe dëmshpërblimin e dëmit për shkak të mos marrjes në shqyrtim të kërkesës. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, në përfundim të gjykimit, me vendimin 3922, datë 26.07.2016 ka vendosur pranimin e pjesshëm të paditë, duke detyruar KLD-në të marrë në shqyrtim kërkesën e saj për emërimin në apel si dhe detyrimin për pagimin e dëmit moral dhe ekzistencial. Kundër këtij vendimi, nga ana jonë është ushtruar ankim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, ku pas ankimit tonë, kjo e fundit, me vendimin 1431, datë 05.04.2017 ka vendosur: Ndryshimin e vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë; Pranimin e pjesshëm të padisë; Detyrimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të nxjerrë aktin e emërimit për paditësen si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë; Detyrimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të paguajë paditëses diferencën e pagës mes pagës kalimtare dhe pagesës që gjyqtarja e apelit nga data 23.03.2013 deri në përfundim pagesë kalimtare dhe pas kësaj, pagimin e pagës bruto si gjyqtare e Gjykatës së Apelit Tiranë. Kundër këtij vendimi, nga ana jonë është ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë dhe me sa rezulton akoma nuk është marrë në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Me datë 10.10.2017, në KLD, nga përmbaruesi gjyqësor privat, zonja Farie Istrefi është paraqitur lajmërimi për ekzekutim vullnetar të këtij vendimi. Kundër këtij fakti, nga ana jonë është kërkuar në Gjykatën e Lartë pezullimi i ekzekutimit të vendimit duke...

-Gjin Gjoni: Me çfarë date?

-Pjerin Prendi: Me datë 10.10. është paraqitur nga ana jonë në Gjykatën e Lartë pezullimi i ekzekutimit të vendimit, duke dhënë edhe shkaqet përkatëse. Nga konsultimi në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, rezulton se kërkesa jonë nuk është marrë parasysh. Nga faqja zyrtare. Sepse vendimi nuk na është dërguar. Gjithashtu, ditën e djeshme datë 16.11.2017, në KLD, nga përmbaruesi gjyqësor privat është paraqitur lajmërimi për ekzekutim të detyrueshëm të vendimit, duke drejtuar edhe degën e thesarit për vënien në sekuestro të shumës 46 milion lekë (4.6 milionë lekë të vjetra). Në këto kushte, KLD-ja duhet të shprehet me vendim për emërimin në Gjykatën e Apelit Tiranë, për zonjën Beçaj, si dhe pagesën përkatëse nga data 10.10.2013 deri aktualisht, ose në të kundërt, urdhërimin e administratës së zbatojë vendimin gjyqësor.

-Ilir Meta: Çfarë mendimi, ideje keni?

-Gjin Gjoni: Faleminderit, z. President! Faktikisht, problemi i zonjës Beçaj ka qenë problem edhe në mbledhje të tjera edhe është kërkuar me insistim në lidhje me marrjen në shqyrtim të kësaj kërkese. Nga informacionet që kam unë, kanë qenë dy-tre raste të cilët janë futur në listën e përgjithshme, por si duket nuk ka marrë numrin e caktuar të votave për t’u emëruar. E vërteta është që sot ligji “Për statusin e gjyqtarit” dhe për mënyrën e funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nuk të lejon në asnjë lloj mundësie. Vendimi është por nuk të lejon mundësinë e emërimit dhe vendimi në këtë mënyrë s’mund të zbatohet. Në qoftë se ne do kemi ndonjë kompetencë për të emëruar... sepse po t’i referohesh vendimmarrjes së Gjykatës së Apelit është e përcaktuar në mënyrë taksative detyrimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për ta emëruar. Kjo KLD s’ka kompetencë për ta emëruar në momentin aktual dhe ne nuk mund të marrim një vendim...

-Ilir Meta: I referohet kompetencave të dikurshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë?

-Gjin Gjoni: Po! Kështu që i mbetet KLGJ-së, në pikëpamjes time, që të bëjë emërimin e zonjës Beçaj.

-Ilir Meta: Po, z. Broci!

-Artan Broci: Në fakt, me të drejtë z. Gjoni ngre çështjen e kompetencave. Ne në fakt jemi në një dispozitë tranzitore e cila na kufizon funksionimin si Këshill deri në krimin e KLGJ-së. Por ne kemi të bëjmë me një vendim detyrues dhe në këto kushte unë gjykoj se dispozita tranzitore, në kuadrin e zbatimit të këtij vendimi gjyqësor, i cili detyron Këshillin e Lartë të Drejtësisë ta emërojë zonjën Beçaj si gjyqtare e apelit, nuk mendoj se mund të shtrijë efektet pezulluese ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Unë besoj se qoftë Kushtetuta, qoftë parimet e përgjithshme të shtetit të së drejtës, e detyrojnë një organ administrativ të ekzekutojë një vendim gjyqësor. Dhe duke u udhëhequr nga kjo frymë pozitiviste, pavarësisht se në vonesë, e mira do ishte që nga data 06.04., mbas mbarimit të vendimit të apelit administrativ, t’i ishte shtruar Këshillit të Lartë të Drejtësisë rikthimi i zonjës në detyrë. Unë mendoj se ne nuk bëjmë emërim. Ne zbatojmë një vendim gjyqësor. Dhe po të udhëhiqemi nga kjo frymë ne ekzekutojmë vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ, i cili është detyrues, na pëlqen apo s’na pëlqen përmbajtja e tij, por zbatojmë një vendim gjyqësor. Dhe  shprehim vullnetin që organi më i lartë, po themi, administrativ, ekzekuton vendimin gjyqësor i cili pavarësisht se është edhe kundër interesave të tij. Por ligji duhet zbatuar dhe duhet ekzekutuar vendimi për të gjithë.

-Ilir Meta: Kush mund të ankohet në rast se...

-Gjin Gjoni: Ka edhe një moment, z. President! Ta diskutojmë, se ne nuk jemi kundër zonjës... Nuk jemi kundër emërimit të zonjës Shpresa Beçaj, aq më tepër që ka qenë Kryetare e Gjykatës së Lartë. Problemi është që, po t’i referohesh vendimmarrjes, e cila është i datës 05.04., thotë: Detyrimin e palës së paditur Këshillit të Lartë të Drejtësisë të nxjerrë aktin e emërimit. Problemi është, në qoftë se do i referohemi ligjit i cili është shfuqizuar, KLD nuk ka kompetencë për të emëruar. Ne kemi kompetencën e propozimit dhe Presidenti i Republikës mund ta dekretonte. Në momentin aktual, kjo dispozitë ligjore, është shfuqizuar. Më fal, ta përfundoj. Dhe në rast se ne do ecim në këtë frymë të cilën është shprehur Gjykata Administrative, i bie që ky Këshill i Lartë i Drejtësisë të emërojë dikë, të nxjerrë aktin e emërimit. Tani, problemi është, -a mundemi ne në rastin konkret sipas dispozitave kalimtare... se po hapëm këtë dritare i bie që çdo kërkesë e cila do vijë për emërim, duhet t’i fusësh të gjitha për emërim. Të nxjerrë aktin e emërimit, thotë. Emërim është, nuk është ekzekutim. Të detyron që të nxjerrësh një akt. Dhe akti është i lidhur me emërimin.

-Etilda Gjonaj: Edhe unë mendoj që për sa kohë që është një vendim gjyqësor, KLD-ja është e detyruar për ta zbatuar. Pavarësisht se për shkak të dispozitave tranzitore, kompetenca për të nxjerrë akt emërimi apo për të emëruar gjyqtarët e ka të kufizuar, pra nuk e ka me dispozita tranzitore në këtë periudhë derisa të ngrihet KLGJ-ja, por nga ana tjetër, si çdo organ, si çdo institucion tjetër është i detyruar të zbatojë vendimin e gjykatës. Dhe në rast se nuk do të zbatohet vendimi i gjykatës, pagesa e periudhës kalimtare, domethënë le të themi derisa t’i ekzekutohet vendimi, do të vazhdojë. Kështu që unë jam e mendimit që duhet të ekzekutohet vendimi i gjykatës. Ne s’po bëjmë emërim. Ne thjesht po zbatojmë vendimin e gjykatës së apelit.

-Eneida Civici: I vetmi problem që kam unë duke lexuar përmbajtjen e vendimit, se në fakt dispozitivi duket detyrues dhe ndaj të njëjtin mendim që, okej, duhet ekzekutuar sepse është vendim gjyqësor edhe s’është mirë që të mos ekzekutohet një vendim gjyqësor, sidomos nga gjyqtarët. Problemi është që po t’i referohesh pjesës arsyetuese, në asnjë moment nuk është përmendur ligji “Për statusin...”, ligji i ri. Është përmendur, i është referuar gjithmonë ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, që normalisht duhet t’i ishte referuar. Duhet ta dinin që ne nuk mund të emëronim... Kështu që, duhet të na jepnin edhe një lloj aksesi. Pse e them këtë? Sepse patëm rastin e zonjës Majlinda Andrea, në të cilën ne thamë që, për shkak të ligjit të ri nuk vendosim dot ne si KLD se duhet të jetë KLGJ-ja organi që shprehet mbi anëtarët e Gjykatës së Lartë. Megjithatë është vendim gjyqësor detyrues. Këtë pjesë e ka.

-Brunilda Kadi: Ka edhe një problem tjetër, se Gjykata e Lartë nuk është shprehur. Çfarë ndodh nëse Gjykata e Lartë çmon të paligjshëm vendimin e Gjykatës së Apelit, që ka bërë këtë që sapo tha kolegia. Atëherë i bie që ky emërim të jetë i paligjshëm. Ka edhe këtu një diskutim tjetër.

-Gerd Hoxha: Z. President, në qoftë se e marrim... Supozojmë se do vendosim që ta ekzekutojmë këtë vendim, pasi mua më duket që në kohën që jemi tani dhe me ligjin e ri, aq më tepër nisur edhe nga arsyetimi, e kemi të vështirë, s’po them të pamundur. Unë jam absolutisht dakord që edhe në parim, që ish Kryetari i Gjykatës së Lartë nuk mund të lihet jashtë sistemit, pa punë, si çdo drejtues, por nuk gjej dot mundësinë ligjore, dispozitën ligjore si ta bëjmë. Ndoshta ministrja na ndihmon pak me këtë punë. Na ndihmo pak, cilën dispozitë ligjore do përdorim që ta shkruajmë atë vendimin që do themi dhe ta ekzekutojmë. Cilin ligj? Ligjin “Për pushtetin gjyqësor...” apo ligjin “Për statusin...”?

-Etilda Gjonaj: Do zbatosh Kushtetutën që të detyron të zbatosh ligjin.

-Gerd Hoxha: Po pra, në cilin nen të Kushtetutës...? E pra, tani ne jemi të gjithë juristë. Unë nuk e di në këtë moment sepse jemi një organ kolegjial. Patjetër! Se është shumë e thjesht që të marrësh flamurin e atij njeriut që do të ekzekutojë vendimin gjyqësor e do patjetër ligjshmërinë dhe është tjetër gjë që të ulesh e të shikosh vërtetë se ku mund ta bazosh. Se ndryshe sjell konfuzion. Ne nuk jemi për konfuzion këtu. Në qoftë se e bëjmë atë, hajde ta bëjmë. Jam dakord.

-Ilir Meta: Më fal Gjini! Atëherë, jemi dakord që edhe pikën 6 ta shtyjmë për një herë tjetër? Ta nxjerrim nga rendi i ditës sot? (Disa nga anëtarët shprehen pro pa ndezur mikrofonat.) (Shtyhet kjo pikë e rendit të ditës.)

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?