Kronikë

Diskutime rreth marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimit gjyqësor dhe rrugës së eurointegrimit, Gjonaj në takim me homologun e Maqedonisë së Veriut

9 Korrik 2021, 15:06| Përditesimi: 9 Korrik 2021, 16:15

  • Share

Gjatë ditës së sotme, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka zhvilluar një takim me homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Bojan Marichikj.

Të dy ministrat biseduan mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin gjyqësor si dhe marrëveshjet aktuale të zbatueshme.

Gjithashtu ministrat shkëmbyen pikëpamjet për ecjen bashkërisht në rrugën e eurointegrimit.

Fillimisht ministrat parashtruan ecurinë e reformave dhe shkëmbyen informacionin për funksionimin e institucioneve.

Temë thelbësore në bisedime ishte përpjekja për forcimin e shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe qarkullimit të parave të paligjshme.

Gjithashtu ministrat u përqendruan në sfidat e ngjashme që hasin të dy vendet në zëvendësimin e kulturës së pandëshkueshmërisë me kulturën e integritetit, si dhe perspektivën për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Të dy qeveritë sikurse theksuan ministrat, kanë në fokus të veçantë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit transnacional, pastrimit të parave dhe krimit ekonomik si dhe angazhimet e ndërmarra në nivel rajonal e të përcaktuara në Takimin e Nivelit të Lartë të Ohrit të datës 25 qershor, ku u miratua nga institucionet respektive Udhëzuesi Rajonal mbi Antikorrupsionin dhe Flukset e Paligjshme të Parave.

Në kuadrin e integrimit evropian ministrat u pajtuan për shkëmbimin e përvojave duke ecur njëherazi me harmonizimin e legjislacionit në kapitujt 23-24 të legjislacionit të Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e ndërsjellë në plotësimin e kritereve politike për hapjen e negociatave.

Ministri Marichikj ftoi zonjën Gjonaj për një vizitë zyrtare në Shkup.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?