Disfata me Suedinë, Sylvinho: Ndikuan shumë ndryshimet në formacion dhe mungesa eksperiencës! Trajneri i nordikëve: Ishim brilant

26 Mars, 10:32| Përditesimi: 26 Mars, 12:42

  • Share

Kombëtarja shqiptare ndryshoi qasje të hënën kundër Suedisë, duke shfaqur një futboll ndryshe nga humbja me Kilin dhe duke krijuar raste për gol, por kjo nuk mjaftoi që edhe Suedia të na thyente me rezultatin 1-0. Keqardhje për golin e analuar të Brojës, por edhe për një penallti të dyshimtë që arbitri nuk e vërshëlleu.

“Këto ishin dy miqësore shumë të vështira, që ne i kemi kërkuar të tilla, pasi mund të kishim luajtur në shtëpi, me dy kundërshtarë të lehtë, me stadiumin plot dhe të kishim fituar. Donim të shihnim ku jemi. Me Suedinë bëmë një paraqitje shumë të mirë dhe nuk e meritonim të humbisnim edhe pse ata janë shumë të fortë teknikisht dhe me futbollistë shumë cilësorë. Shqipëria është një skuadër e re në moshë dhe nuk është gati për të bërë 5-6 ndryshime në formacion. Ka lojtarë të cilët nuk kanë shumë eksperiencë, por dua të veçoj Mario Mitajn. Ka qenë një ndeshje brilante e tij edhe pse luante përballë Kulusevskit. Shfaqi një nivel shumë të lartë dhe dua ta komplimentoj,”-u shpreh Sylvinho, trajner i kombëtares.

Goli i Nilsson në minutën e 62 i dha fitoren e parë në drejtimin e Suedisë të trajnerit Tomasson, në një kohë kur vetëm 4 ditë më parë ishte mposhtur 5-2 nga Portugalia.

“Ishte një paraqitje brilante. Ashtu si sjellja e lojtarëve, dëshira e tyre për të mësuar, morali i skuadrës ka qenë shumë, shumë i mirë. Ne duam të kemi një qasje ofensive dhe nuk është se bëhet shpejt. Kërkohet shumë punë,”-tha Jon Tomasson, trajner i Suedisë.

Në miqësoren e dytë me Suedinë, me notën më të lartë është vlerësuar portieri Thomas Strakosha, i cili sipas ‘Sofa Score’ ka marrë 7.8. Më pas vjen Nedim Bajrami dhe Berat Gjimshiti me 7.3 dhe 7.2 respektivisht. Sipas kësaj faqeje Mitaj mori 7.1, ndërsa Broja është më poshtë në hierarki me 6.6. Ndër lojtërat me paraqitjen më të dobët janë zëvendësuesit Hysaj, Muçolli, Hoxha, Cikalleshi dhe Muçi, ndërsa notën më të dobët e ka Ivan Balliu me 6.3.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?