Erion Veliaj

Diplomohen 31 studentë të shkencave kompjuterike në ‘Holberton School’, Veliaj: Tirana transformim i jashtëzakonshëm i ekonomisë

20 Janar, 15:41| Përditesimi: 20 Janar, 15:45

  • Share

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në shoqërinë e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King-Smith, mori pjesë ditën e sotme në ceremoninë e diplomimit të 31 studentëve të shkollës së shkencave kompjuterike “Holberton School”.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se në pak vite ekonomia e kryeqytetit ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm falë teknologjisë.

“Në vitin 2015 bëmë një analizë se çfarë prodhonte Tirana. Rezultoi se 25% e produktit ishte tekstili, 25% këpucët dhe pjesa tjetër futej turizmi, IT-ja, pak përpunime ushqimore, etj. Kur e përsëritëm skanerin përpara zgjedhjeve të vitit të shkuar, pamë se qyteti ishte transformuar totalisht. Sot 25% e asaj që prodhon qyteti i Tiranës është teknologjia e informacionit, të ardhura që vijnë nga punët dixhitale, dhe 25% janë të ardhura që vijnë nga turizmi. Kush jetoi në Tiranë vitin e kaluar pa se çfarë kontributi pati turizmi dhe se sa shumë turistë kishte në qytet. Kjo do të thotë se është e mundur - jo brenda një gjenerate, jo brenda një shekulli, madje as brenda një dekade, por në pak vite, - me vullnet dhe me operatorë të tillë si ‘Holberton School’, dhe shumë të tjerë që janë shtuar këtij ekostistemi, ta ndryshojmë qytetin”,- tha ai.

Ndër të tjera, kryebashkiaku deklaroi se sot Tirana ka një komunitet të rëndësishëm të teknologjisë së informacionit, teksa bëri edhe një krahasim me përplasjet politike në Kuvend.

“Ky është një nga komunitetet më të forta që unë njoh në Tiranë. Një komunitet pozitiv, jo cinik; një komunitet punëtor, jo përtac; një komunitet i veprave, jo i logjeve; një komunitet që i shikon të tjerët si bashkëpunëtorë, jo si rivalë; një komunitet që tek ai që fillon një startup, shikon një mundësi për ta bërë tjetrin me krahë, jo për t’i prerë krahët e për t’i prerë hovin. Me gjithë respektin për Parlamentin Shqiptar, pa i hyrë fare politikës, po shikoja se si i shqyhej mikrofoni një gruaje, brenda së njëjtës parti politike, dhe ti kupton sa duhet çmuar ai komunitet që ka vlerat e respektit, dashurisë, të inkurajimit të tjetrit, të trajtimit të suksesit të tjetrit si suksesi yt dhe të sfidës së tjetrit si sfida jote”,- theksoi Veliaj.

Ai vlerësoi diplomimin e 31 të rinjve dhe të rejave si mundësi që i shtohen kryeqytetit për të krijuar biznese.

“Sot mendoj se kemi krijuar një ekosistem të vërtetë. Pra, nuk kemi të bëjmë vetëm me disa raste suksesi, që janë përjashtim nga rregulli, por tani ky sukses po bëhet rregull. Janë 31 vetë, por unë besoj se janë 31 mundësi. Është një gëzim edhe për familjen tonë të madhe të Tiranës, për 31 mundësi që i shtohen sot qytetit tonë, qoftë për të krijuar biznese të reja, qoftë për të fuqizuar ekosistemin ekzistues”,-  deklaroi Veliaj.

Ndër King-Smith, u shpreh se Tirana po lë gjurmë për të ardhmen.

“Gjërat që ju po bëni këtu në Tiranë janë të mrekullueshme dhe unë mendoj se Tirana do të jetë një gjurmë e vërtetë për të ardhmen. Gjithashtu, mund të jetë një laborator teknologjik jo vetëm për Europën Juglindore, por pjesë e rrjetit global”,- deklaroi ai.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?