Dimër

8 Nëntor 2019, 12:44| Përditesimi: 8 Nëntor 2019, 12:45

  • Share

Ja nisi edhe kët vit dimri, mërmërit nëpër dhëmbë pijaneci i fundit qëndrestar, me sytë nga Sahati i madh. Nëpër dhomat e gjumit dëgjohet kolla e thatë e banorëve të pallateve që iu lëpin fytyrën lagështia. Je kollur shumë mbrëmë, i thotë ajo të shoqit. Kolla jote dëgjohet deri poshtë.

Në qytet bën dimër i lagësht. Cadrat kanë nisur të thyhen nga era. Një shitës ambulant pa cadër shet cadra përpara Pallatit të ish Kulturës. Një tufë studentesh e vështrojnë me qesendi. Sa keq që asnjëra nuk e ka prind. 

Shirat kanë nisur dhe nuk do të rreshtin derisa të jetë lagur edhe gjethja e fundit në park. Disa vajza vrapojnë në shi. Pleqtë me shkop kanë hyrë në apartamente. Do të dalin kur të celin gjethet sërish. Trungjet e prerë të pemëve ku ata luanin domino nuk do të rënkojnë nga pesha e tyre e brishtë. 

Vër një shall se do të ftohesh. Shalli që ai të dhuroi për ditëlindje qëndron palosur me kujdes në dollap. Atëherë nuk e vure se kishe vapë, tani që bën ftohtë ke blerë shall tjetër. 

Në suprinën e sobës zjen cajniku; një tingull lëshon si cufcufi i një treni filmash me dashuri. Caj mali. Bukë e thekur. (ah, harrova ti nuk ha bukë, ke dëgjuar se buka bën dëm, ajo shoqja jote hoqi bukën dhe ra nga pesha). Dhe djathë i bardhë. 

Askush nuk e vë më veshin tek radioja dhe biblioteka duket e përgjumur. Autorët nuk e pijnë më kafenë tek Lidhja e Shkrimtarëve. 

Në stacionin e autobusit nuk do të gjesh asnjë fytyrë të njohur. Stacioni i Bankës. Kombinati. Më kujtohet një shëtitje me autobus një dimër kur në qytet ra dëborë. Atëherë nuk më duhej shall. Kolla kalonte me shurup. 

Soba e ndezur në klasë përskuqte faqet e vajzës që dashuronte shokun e një viti më lart. Nuk do të vishte më kilota. Në qytet kishte trokitur dimri.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?