Diktatura dhe qëndresa e gruas 
kalvari në burgjet e komunizmit

22 Qershor 2014, 02:54| Përditesimi:

  • Share
Rreth librit të Fatbardha Saraçi (Mulleti)… Një enciklopedi e vogël e dhimbjes njerëzore dhe e dhunës shtetërore në Shqipërinë e viteve 1944  - 1991. Një pjesë e realitetit t’asaj periudhe që autorja  ka mundur të hulumtojë e t’a prekë me dorë, nëpërmjet bisedave me personazhet e gjallë të veprës së saj….

“Po sa  mija e mija gra i a vunë shpatullat këtij kombi, atëherë kur burrat e vërtetë i përtypte plumbi o kurbeti i detyruem...” Jozef Lazër Radi
           
Nëna – kryefjala e jetës njerëzore, burimi i saj i pashterrshëm, maja më e lartë e ndjenjës, simfonia më e thellë e saj, vegimi më i ndritshëm i botës së mbrendëshme lidhet me atë emër, që mbetet i vetëm, pa sinonime, në madhështinë e tij të paarritëshme. Sa shumë është shkruar në mijëvjeçarë për nënat dhe dhimbjet e tyre për humbjen apo vuajtjen e bijve, që nga “Vaji i Hekubës” deri tek “Nëna” e Gorkit, në shekullin e shkuar që vuri në provë, më shumë se të gjithë paraardhësit, mizorinë njerëzore në shfaqjet e saj më të ndryshme, duke çuar në mbretërinë e vdekjes së dhunëshme miliona bij e bija, duke cfilitur e vrarë po aq zemra

            Në këtë tabllo të errët të shoqërisë njerëzore dhe Shqipëria pati pjesën e saj, një histori të tejzgjatur dhimbjesh, të cilën  znj. Fatbardha Saraçi (Mulleti) me shumë bujari e zemërgjërësi merr përsipër t’a lerë të shkruar, të zezë mbi të bardhë, duke na dhënë një vepër monumentale e të veçantë në gjininë e saj, përsa i përket rëndësisë që bart për sot e për t’ardhmen, në fushën e njohjes e të dëshmisë të së vërtetës historike. Vepra i ngjet një enciklopedije të vogël të dhimbjes njerëzore e të dhunës shtetërore në Shqipërinë e viteve 1944  - 1991 sepse, me gjithë punën e admirueshme të autores, paraqet vetëm një pjesë të realitetit t’asaj periudhe, atë që ajo ka mundur të hulumtojë e t’a prekë me dorë, nëpërmjet bisedave me personazhet e gjallë të veprës së saj.

            Kjo minienciklopedi e barbarisë së një sistemi e ndërtuesve të tij është vetëm maja e ajsbergut e një realiteti që zgjati gati gjysëm shekulli e që paragjykoi jetën e tre brezave. Çuditërisht ai realitet mbahet ende i fshehtë në male letrash të panjohura e të pazbuluara nga njerëz që vazhdojnë të drejtojnë shtetin shqiptar. Ata i quajnë pasuri të tyre ato letra e vazhdojnë të venë vulën e sekretit shtetëror mbi to. Ato dosje që kutërbojnë erë kufomash dhe mbartin në vetvete të gjithë gamën e përfytyrueshme të poshtërsisë njerëzore dëshmojnë faktin se ne, në nivel politik, ende nuk kemi kurajën të ballafaqohemi me të shkuarën tonë në dritën e diellit. Ajo dëshmon gjithashtu se ne vazhdojmë t’a mbrojmë atë, sepse jemi pjellë e saj, e lidhur pazgjidhshmërisht me rrënjët e diktaturës, të paaftë për t’u ndarë mendërisht e shpirtërisht prej saj...

            “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” është një mozaik i larmishëm fytyrash, emrash, karakteresh grash shqiptare, kryesisht të qytetit adoptiv të autores, Shkodrës, por edhe të pjesëve të tjera të Shqipërisë, ku spikasin “veteranet” e kampeve të internimit të socializmit shqiptar, ato gra që lindën fëmijët në qelitë e burgjeve të improvizuara, apo i prunë kërthija në to, për të dalë prej andej me thinja në kokë, një vit mbasi ishte shëmbur Muri i Berlinit. Secila nga më shumë se 250 gratë e vajzat që gjejnë strehim në pendën e autores, ka të veçantën e saj, por të gjitha kanë të përbashkët fatin e tyre, atë të viktimës së dhunës së një sistemi që, për zgjedhje vetiake të drejtuesve të tij, rezultoi më kriminali në Lindjen evropiane, nxënësi më besnik i njërit prej tiranëve më të zinj të shekullit komunist, J. Stalinit.

            Galeria e personazheve që , ish mësuesja e kimisë në shkollat e rrethit të Lezhës, rendit në veprën e saj përfshin emra të njohur e më pak të njohur të asaj pjese të popullsisë që mbiquhej si “armike e klasës” nga nomenklatura e regjimit e që përbënte “Soveton” e shoqërisë socialiste shqiptare. Ka në to emra si Marije Deda (Zojzi) e Gjela Llesh Biba, që vriten me armë në dorë përbri burrave të tyre në qëndresën antikomuniste, të cilave Shqipëria demokratike duhej t’i kishte ngritur monumentet e merituara. Përmenden me nderim emrat e një pjese shumë të vogël të atyre 450 grave e vajzave të dënuara me vdekje nga diktatura, si heroina shkodrane e martire e çështjes së Kosovës, Marije Shllaku, Marije Dedë Prela, Dila Bala, File Mimani etj.

Zenë vendin e tyre në vepër figura të shquara intelektuale si Sabiha Kasimati, Musine Kokalari, Zyrika Mano, Elena Gjika, Safete Sokoli, Elena Luli etj. Flitet për familjet e internuara që në fillim të regjimit si Markagjonët, Mirakajt, Dinet, Përvizët, Kolajt, Kaloshët, Kupët, Demët, Merlikët etj., për të cilët internimi mbaroi më 1990, me të gjitha pasojat dramatike të një përndjekjeje, gati gjysëm shekullore, që ishte kalvari i plotë i paracaktuar për ta nga institucionet e diktaturës.

            Në këtë kalvar të gjatë e të larmishëm, që diktatura projektoi e zbatoi për atë pjesë të shoqërisë që nuk u uniformua me të, hynin vazhdimisht njerëz të tjerë, ata që “revolucionet” psikopatike të udhëheqjes e të kryetarit të saj i caktonin si viktima flijore të marrëzisë së përherëshme që fabrikonte në pafundësi “armiqtë” e klasës e të socializmit. Kështu familjeve të vjetra të antikomunistëve të parë u shtoheshin, në fatkeqësinë e tyre, të tjerë “tradhëtarë” të çështjes së partisë dhe kontigjentet e të dënuarve t’atyre që “synonin minimin e rrëzimin e pushtetit popullor”  përfshinin atëherë dhe vetë ata që i kishin shërbyer me besnikëri e vetëdije regjimit. Kjo dukuri në libër pasqyrohet, ndërmjet të tjerash, nëpërmjet figurave të grave të huaja, t’ardhura në Shqipëri nga Vendet komuniste të Lindjes për të sendërtuar ëndrrën e dashurisë për djemtë shqiptarë, ashtu sikurse para luftës vajzat italiane, franceze, austriake braktisnin Vendet e tyre për të ndarë me ta jetën familjare në Shqipëri.

            Në këtë kuadër besoj se institucionet e dhunës të diktaturës komuniste i janë tepër borxhlinj imazhit të Shqipërisë në sytë e shqiptarëve, por edhe në sytë e botës. E kanë katandisur këtë imazh në formën më të keqe, duke kryer krime të përbindëshme, me arrestime e dënime të grave të huaja, me padi të sajuara në kulisat më të errta e më kriminale të Sigurimit të shtetit. Ai shtet i shqiptarëve, që kishte shpëtuar qindra jetë hebrenjsh, duke qënë nën pushtim italian apo gjerman, me guximin e burrërinë për të pohuar vlerat e traditave të Vendit si mikpritjen e mbrojtjen e “jabanxhijve” edhe para autoriteteve gjermane që kishin mbushur Evropën me kampe çfarosjeje të hebrenjve, nën udhëheqjen e “ndritur” të komunistëve enveristë, mbushi burgjet me gra të huaja të pafajshme, vetëm pse donin të ruanin familjet e tyre.

            Autorja na sjell dëshmitë e disa prej këtyre grave, dëshmi që përbëjnë njolla turpi, jo vetëm për institucionet dhe njerëzit që i kryen ato përndjekje mizore, por edhe për emrin e Shqipërisë në botë. Po kujtoj këtu historinë e një gruaje daneze, Olga Schëeitzer Libohova, bashkëshortja e shtetarit të njohur Myfit bej Libohova, e cila edhe mbas vdekjes së burrit, më 1927, vendos të qëndrojë në atdheun e tij. “Në vitin 1944, në operacionin e qershorit, ajo u tregua trimëreshë, hyri midis njëqind burrave, që gjermanët donin t’i pushkatonin, tek rrapi i madh, në qendër të fshatit. Ajo e kërcënoi oficerin, se nëse ai do të vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të. Si pasojë e ndërhyrjes së danezes, që i foli gjermanisht u shpëtuan nga vdekja 100 burra....”

            Kudo kjo grua, në sajë të një veprimi të tillë, sa të guximshëm e fisnik, po aq të dobishëm e njerëzor, do të kishte gjetur vlerësimin e respektin e merituar të shoqërisë e të shtetit. Ndërsa shteti komunist shqiptar, më 1945, i grabiti gjithë pasurinë, përfshirë këtu edhe 2500 libra të bibliotekës së Myfit Libohovës, të cilët u dogjën në mes të fshatit, të cilit ajo i kishte shpëtuar njëqind jetë njerëzish. Ky ishte “rendi i ri”, që sillnin “çlirimtarët”, duke shkatërruar gjithshka, së pari kulturën, duke i a kaluar në këtë drejtim edhe hunëve që dogjën Evropën romane, por kursyen monastiret ku ruheshin veprat e mëdha të lashtësisë greko – romake.

            Danezen fisnike partizanët e detyruan të jetojë në një stallë lopësh, duke e internuar pastaj në vende të ndryshme, i burgosën djalin e vetëm që u kthye nga Italia për t’i shërbyer Vendit të tij. Ajo vdiq e dëshpëruar në fshatin Tresh të Lezhës më 1963. Ishte ky një nga shembujt e shumtë që shkrimtarja Saraçi rendit në librin e saj dhe jo më i pamëshirshmi i tyre. Mizoria e sistemit komunist dhe e njerëzve që i shërbyen, sidomos në organet e dhunës “proletare”, nuk ka kufij poshtërsie e kriminaliteti të përfytyrueshme. Çdo emër, historia e të cilit ftillohet nga autorja, mund të ishte një subjekt romani më vete. Fatkeqësisht letërsia e viteve të kalesës u muar pak ose aspak me tragjeditë e pafund të komunizmit në Vendin tonë. Frymëzimin për t’u a lënë pasardhësve ato tragjedi e patën pak penda si Visar Zhiti, Atë Zef Pllumbi,  Makensen Bungo e ndonjë tjetër që, për mendimin tim modest, kanë lënë  vepra artistike e, njëherësh dëshmi të fuqishme të atij proçesi të gjatë historik, që në hollësi fotografohet nga Fatbardha Saraçi (Mulleti).

            Në këtë drejtim mendoj se mungesa e trasparencës së vërtetë nëpërmjet arkivave të mbyllura, madje pjesëmarrja ende masive e protagonistëve të dhunës në organet dhe organizmat e shtetit “demokratik”, në shumllojshmërinë e formave, ndihmon synimin e fshehjes e të minimizimit të së vërtetës tragjike të gjysëm shekullit të zi të Shqipërisë. Antikomunizmi për fasadë i shumë personave të politikës, në këta 23 vjet, ka shërbyer si gjethja e fikut për të ndihmuar atë synim.

            Kuadri i dëshmive dhe personazheve jetësorë të librit plotësohet me të tjera emra grash si Liri Lubonja, Shpresa Ngjela, Vera Bekteshi, Kozara Kati etj., disa prej morisë së familjeve të nomenklaturës së lartë komuniste, të bëra fli në famëkeqen “luftë kllasash”, së cilës i kishin besuar me entuziazëm që nga rinia e parë deri në çastin fatal të vendimit që merrej mbi kokën e tyre.

            Autorja i skicon me shumë dashuri portretet e personazheve të librit të saj, hyn në thellësi të dhimbjeve, brengave, fatkeqësive të tyre, u qëndron pranë, u nxierr në pah vlerat, forcën e karakterit, që është tipari dallues i personalitetit të tyre. Ajo mahnitet nga vullneti i tyre për të mposhtur të keqen, me të cilën përballohen çdo ditë, për të mbijetuar edhe në çaste katastrofash, duke patur shpesh në këtë luftë të pabarabartë, në anën e tyre vetëm ndihmën e Zotit, të cilit i luten në heshtjen e vetmisë, për të gjetur shpresën e fuqinë për të shkuar përpara.

            E bën këtë jo vetëm si idhtare e letrave, por edhe si grua, si nënë, si një prej tyre që i ka vënë vetes një qëllim sa fisnik aq dhe të vështirë : të pasqyrojë figurën komplekse të gruas së përndjekur shqiptare në gjysëm shekullin e kataklizmës, me bindjen se është ajo si krijesë në rolin e nënës, të bashkëshortes, të motrës, të shoqes, ngadhnjimtarja e vërtetë e epokës së tiranisë. Ajo u ballafaqua më shumë se kushdo me të, i qëndroi asaj me dinjitet në të gjitha shfaqjet e saj të dhunës, në vite të gjata provash masakruese të sajuara djallëzisht për të shbërë qënien njerëzore. Me baballarët, burrat, vëllezërit në burgje, kampe pune të detyruar e internime, të luftuara nga maqina e përbindëshme e partisë – shtet, të përndjekura, të fyera e të keqtrajtuara, ato femra punuan në punët më të rënda e më të vështira, ngarkuan në shpinë trastat me kursimet e pakta të tyre, përshkuan rrugët e vështira të maleve e fushave të Shqipërisë, në kërkim të një takimi disa minutësh nën mbikqyrjen e policëve të rradhës, për të mbajtur gjallë t’afërmit e tyre në kushtet çnjerëzore në të cilët jetonin.

Rritën fëmijët me njëqind sakrifica e mungesa, pritën burrat në shtëpitë e tyre duke sakrifikuar vitet më të bukura të jetës, mbetën pa u martuar sepse u duhej të mendonin për baballarët e vëllezërit në burgje. Të gjitha këto i bënë me vetëdijen se ishte detyra e tyre, se ishin bija të një mendësie tradicionale shqiptare që jetën njerëzore e konceptonte si shfaqje të përherëshme të luftës së përditëshme në mbrojtje të nderit e të dinjitetit.
            Ky është heroizmi i vërtetë, ai që nuk vret njerëz, qoftë dhe kundërshtarë, por shpëton, rrit, edukon e formon njerëz. Nëse shpëton gjë në gjysëm shekullin e zi, është pikërisht ky heroizëm i gruas shqiptare që meriton piedistalin. Çdo shfaqje mosbesimi në këtë drejtim, i bazuar në episode apo raste të veçanta duhet quajtur e pavlefshme. Ne duhet të jemi krenarë për nënat, gratë e motrat tona që, në vazhdim të traditave pozitive të familjes shqiptare, nderuan dhe mbajtën lart vlerat më të bukura edhe në kohë tepër të vështira, kur vetë jeta njerëzore kërcënohej çdo ditë.

            Shumë prej tyre sot nuk janë më, e kanë plotësuar parabolën e tyre, të tjerat janë të lodhura, të provuara nga jeta, nga vështirësitë, nga një shtet mospërfillës, për të mos thënë ende armiqësor kundrejt tyre dhe problemeve të tyre, një shtet që synon harresën kundrejt jetëve e vlerave të tyre. Kësaj mendësie i kundërvihet shkrimtarja me librin e saj. Ja si e shpalos ajo shqetësimin, motivin e brendshëm nxitës të punës  që e shtyn të kryejë veprën e saj :
            “Kjo është një betejë...,çka është brenda mundësive të mia, të veproj kundër të harruarit. Me qenë i harruar është një vdekje e dytë. Të harruarit e genocidit, të luftës së klasës, s’është gjë tjetër veçse një formë e re dhune. Është shumë e dëshirueshme që kujtimet të mbahen gjallë mbi jetën e njerëzve dhe sikur fundi të jetë pa shpresë....”

            Këto fjalë na kujtojnë veprën e Atë Zef Pllumbit  dhe amanetin e njohur të Atë Mati Prenushit : “Rrno për me tregue”. Në atë mesazh beson edhe znj. Fatbardha Saraçi (Mulleti), madje me modesti e bën atë lejtmotivin e ekzistencës së saj, një detyrë qytetare së cilës i kushton pasionin e saj, aftësinë e të shkruarit, vullnetin e hulumtimit, pjesëmarrjen shpirtërore në dhimbjet e të tjerëve. E kryen detyrën me përpikmërinë që ka karakterizuar jetën e saj, me dëshirën dhe vetëdijen për të dhënë ndihmesën në një projekt sa të domosdoshëm po aq të vështirë në Shqipërinë pas komuniste, atë të shpëtimit të kujtesës historike të viktimave te diktaturës komuniste. Është një projekt që i shërben së tashmes dhe së ardhmes së Vendit, sepse shpejt a vonë krimi komunist do t’i nënështrohet gjykimit të ndërgjegjes së kombit dhe asaj të historisë së vërtetë, gjykime që deri tani nuk kanë qenë të mundura, si pasojë e tabuve që mbajnë peng jetën politike dhe akademike të demokracisë pas komuniste shqiptare.

Respekt e nderim autores së vëllimit “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” dhe te gjithë atyre, sado të pakët, që japin ndihmesën për sendërtimin e atij projekti.

komunizmi burgjet





















komunizmi burgjet




























 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?