Dibër/ Plas goma e kamionit në aksin Maqellarë-Peshkopi, plagoset rëndë një efektivi i rrugores, shkoi në terren për hapjen e trafikut

7 Janar 2023, 14:32| Përditesimi: 7 Janar 2023, 21:49

  • Share

BURREL- Efektivi i Rrugores, Tonin Tosku, kishte shkuar në terren për të menaxhuar trafikun por mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi i një gome kamioni e cila kishte bllokuar rrugën për shkak të një defekti. Nga spitali i Peshkopisë ku u dërgua fillimisht, për shkak të frakturave të mëdha në të dyja këmbët, polici u transportua me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Menjëherë pasi mbërriti në spitalin Ushtarak, ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, ku tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Për një trajtim më të specializuar efektivi është shtruar në reanimacion, teksa pritet që t’i nënshtrohet edhe një operacioni tjetër. Aksidenti i rëndë u regjistrua mesditën e kësaj të shtune në aksin rrugor Maqellarë-Peshkopi, në vendin e quajtur në ‘Qenok’.

Policia bëri të ditur se trajleri kishte pësuar defekt duke bllokuar lëvizjen e makinave të tjera. Për të zhbllokuar trafikun në vendgjarje kanë mbërritur efektivët e policisë rrugore të Peshkopisë. Në tentativë për të zhvendosur trajlerin nga rruga, në rrethana ende të paqarta, goma ka shpërthyer duke plagosur rëndë Tonin Toskun. 

Edhe një ditë më parë një incident i ngjashëm tragjik i mori jetën një 56 vjeçarit, Spase Milloshit, në aksin rrugor Lezhë-Milot. 56-vjeçarit i plasi goma e një trajleri të tonazhit të rëndë të cilën po e frynte gomisterinë ku punonte.

Ora 19:10
Plagosja e policit prej shpërthimit të gomës në Dibër, flet mjeku: Erdhi në gjendje të rëndë! Kishte hemorragji në të dyja këmbët

 

Mjeku, Erjol Braholli ka folur për mediat pasi i dha ndihmën e parë policit Tonin Tosku, i cili mbeti i plagosur prej shpërthimit të një gome kamioni në aksin Maqellarë – Peshkopi.

“I sëmuri ka ardhur në urgjencë në gjendje të rëndë. Ka pasur hemorragji në të dy këmbët. Ka pasur fraktura të hapura me hemorragji me ekspozim kockave dhe i sëmuri u transferuar direkt në reanimacion. U mjekuan plagët dhe u dërgua për trajtim të specializuar në Tiranë. Plagët ia ka shkaktuar një goditje që mund të ketë ardhur nga shpërthimi i gomës. Ka qenë një forcë e madhe për të bërë ato dëmtime.” tha mjeku, Erjol Braholli.

Ora 15:54
Plasja e gomës së tij shkaktoi plagosjen e rëndë të policit të rrugores, pamje të kamionit që pësoi defekt në aksin Maqellarë-Peshkopi

 

Ky është kamioni që pësoi defekt duke bllokuar aksin rrugor Maqellarë-Peshkopi dhe për shkak se njëra nga gomat e tij plasi, u plagos rëndë punonjësi i policisë Tonin Tosku. Efektivi ka marrë dëmtime në të dyja këmbët ndërsa pritet të bëhet transportimi i tij me helikopter.

Ndërkohë në vendngjarje, ka forca të tjera policie që po përpiqen të devijojnë trafikun për shkak se një pjesë e rrugës është bllokuar nga mjeti i tonazhit të rëndë. 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?