Kurti dhe Lajçak

Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti dhe Vuçiç takim nesër sërish në Bruksel, Lajçak: Takimi i 2 majit me rëndësi të veçantë

1 Maj 2023, 11:22| Përditesimi: 1 Maj 2023, 11:24

  • Share

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka vlerësuar se takimi i nesërm në Bruksel, në kuadër të dialogut do të ketë rëndësi të veçantë.

Lajçak ka thënë se është takuar me kryeministrin Albin Kurti, në Forumin Ekonomik në Delphi, për t'u përgatitur në detaje për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd më 2 maj.

Në qendër të diskutimeve në takimin e nesërm do të jetë çështja e të pagjeturve si dhe ngritja e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Takimi i 2 majit do të zhvillohet në kohën kur Kosova ka akuzuar Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, të arritur më herët gjatë këtij muaji.

Serbia ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se me Marrëveshjen drejt normalizimit është zotuar se nuk do ta pengojë Prishtinën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.Po ashtu, zyrtarët në Beograd kanë paralajmëruar se do të aplikojnë masën e reciprocitetit ndaj shteteve që nuk respektojnë integritetin e saj territorial.

Sipas Kushtetutës serbe, Kosova konsiderohet pjesë e Serbisë. Ky paralajmërim i Serbisë për reciprocitet, në Kosovë është cilësuar si shkelje e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, të arritur nën ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara

 

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?