Diabeti tek të moshuarit
si ta menaxhoni

31 Tetor 2013, 07:15| Përditesimi:

  • Share
Organizmi ynë e shndërron në glukozë ushqimin që ne e hamë. Insulina ndihmon që glukoza të futet në qeliza ku mund të përdoren për të prodhuar energji. Nëse ju keni diabet, trupi juaj mund të mos krijojë sasi të mjaftueshme të insulinës, mund të mos e përdorë insulinën si duhet, ose të dyja. Kjo mund të bëjë që glukoza të mblidhet në sasi të mëdha në gjak. Mjeku juaj familjar mund t’ju referojë një mjek i cili është i specializuar për t’u kujdesur për njerëzit me diabet, i quajtur endokrinolog.
 
Llojet e diabetit
Ekzistojnë dy loje kryesore të diabetit të cilat mund të prekin njerëzit në çdo moshë. Në llojin 1 të diabetit trupi prodhon pak ose aspak insulinë. Ky lloj i diabetit zhvillohet më së shumti te fëmijët dhe të rriturit më të rinj. Te lloji 2 i diabetit, trupi prodhon insulinë, por ajo nuk e kryen punën e saj menjëherë. Ky është lloji më i shpeshtë i diabetit. Ju mund të keni dëgjuar se ky është diabeti që prek të rriturit. Shanset tuaja për të zhvilluar diabetin e llojit 2 janë më të mëdha nëse ju jeni i mbipeshë, inaktiv, ose nëse keni histori familjare të diabetit.
Diabeti mund të prekë shumë pjesë të trupit. Është e rëndësishme që lloji 2 i diabetit të mbahet nën kontroll. Me kalimin e kohës ai mund të shkaktojë probleme si sëmundje të zemrës, goditje në tru, sëmundje të veshkave, verbëri, dëmtime të nervave dhe probleme të qarkullimit të gjakut, të cilat mund të çojnë në amputim (largim të ekstremiteteve). Njerëzit me llojin 2 të diabetit kanë rrezik më të rritur edhe për sëmundjen e Alzheimerit.
 
Pre-diabeti
Shumë njerëz vuajnë nga “pre-diabeti”. Kjo do të thotë se nivelet e tyre të glukozës janë më të larta se normalisht, por jo mjaft të larta për t’u quajtur diabet. Pre-diabeti është një problem serioz pasi njerëzit me pre-diabet kanë rrezik të lartë të zhvillojnë tipin 2 të diabetit. Nëse mjeku juaj thotë se ju keni pre-diabet, ju mund të ndjeheni të shqetësuar dhe të merakosur. Por, ka gjëra të cilat mund t’i bëni për ta parandaluar ose zgjatur kalimin e pre-diabetit në diabetin e llojit 2. Rënia në peshë ndihmon. Të ushqyerit e shëndetshëm dhe të qenit fizikisht aktiv për së paku 30 minuta, pesë ditë në javë, është një ndryshim i vogël që mund të bëjë një dallim të madh. Punoni me mjekun tuaj për të ndërtuar një plan për ushqyerje dhe stërvitje të mirë. Sigurohuni të pyesni sa shpesh ju duhet t’i kontrolloni nivelet e glukozës në gjak.
 
Simptomat
Disa njerëz me llojin 2 të diabetit mund të mos e dinë se e kanë atë. Por, ata mund të ndjehen të lodhur, të uritur ose të etur. Ata mund të humbin në peshë pa u munduar, të urinojnë shpesh, ose të kenë probleme me pamjen e turbullt. Ata po ashtu mund të preken nga infeksione të lëkurës ose shërohen ngadalë nga prerjet dhe mavijosjet. Vizitoni mjekun menjëherë nëse keni ndonjërën nga këto simptoma.

Testimet e duhura për diabetin?
Ka disa teste të gjakut të cilat mjeku mund t’i bëjë për t’u ndihmuar ta diagnostikoni diabetin
Testi i zakonshëm i glukozës – që bëhet në çdo kohë gjatë ditës
Testi i glukozës në kreshmë (mongrënie, agjërim) – që bëhet pasi ju të keni kaluar së paku tetë orë pa ushqim
Testi i tolerancës orale të glukozës – që bëhet pas kreshmës gjatë natës (mosngrënies gjatë natës) dhe pastaj sërish dy orë pasi të keni konsumuar një pije me sheqer.
Testi i gjakut A1C – tregon nivelet e glukozës në 2-3 muajt e fundit
Mjeku mund të kërkojë nga ju të testoheni dy herë për diabet, para se ta japë diagnozën
Pasi u është thënë se keni llojin 2 të diabetit, mjeku mund t’ju përshkruajë barna të diabetit për të ndihmuar kontrollin e niveleve të glukozës në gjak
Ka shumë lloje të barnave që janë në dispozicion. Mjeku juaj do të zgjedhë trajtimin më të mirë bazuar në llojin e diabetit që keni, rutinën tuaj të përditshme dhe problemet tjera shëndetësore
 
Shkrimi u publikua sot (31.10.2013) në suplementin Shëndeti në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?