Dhurata Shehri: Pse Mungon
kritika letrare në Shqipëri

26 Prill 2013, 02:40| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Kur studiuesja dhe kritikja Dhurata Shehri del në konkluzionin se mungon mediumi i kritikës, ajo dëshmon saktë se për më shumë se 20 vjet mungojnë edhe statuset dhe normat e kritikës letrare. Të gjithë pothuaj e vëmë re se në çfarë kaosi dhe mediokriteti është përfshirë kritika letrare në Shqipëri.

Promovohen libra pa fund, por vetëm një pjesë e vogël mund të përkufizohen saktë nga “statuset” apo rregullat e kritikës. Pjesa tjetër e letërsisë shqipe të prodhuar së paku brenda kufijve të Shqipërisë mbetet e përshkruar ndër dhjetëra shkrime në mënyrë hipokrite, të rreme.

Studiuesja Dhurata Shehri mes kësaj mungese të mediumit të kritikës nuk hedh poshtë rolin e medias, si një ndër të paktat mediume aktuale, por “megjithatë kjo s’është detyrë e medias”, thotë ajo në intervistën për “Shqiptarja.com”. Çfarë po ndodh aktualisht me kritikën letrare në Shqipëri.

A janë të gjithë autorët e botuar të përcjellë me profesionalizëm në filtrin e kritikës. A do të kemi pasardhës “evolucionarë” sot në kritikë, pasi kemi mohuar gjithë paraardhësit që ju referuan metodës soc-realiste. Studiuesen Dhurata Shehri e pyesim rreth këtyre çështjeve, edhe për arsyen se ajo është ndër të paktat autore që ka botuar disa libra studimorë e kritikë.

Nuk ka shumë kohë që ka dalë në dritën e botimit edhe libri më i fundit i saj “Statusi i kritikës”, Albas, 2013. Nëpërmjet një këndvështrimi interesant mbi letërsinë, mbi tekstin, mbi sistemet letrare, duke argumentuar me interpretimin e saj krijues, lëvruar në perspektivë historike, Shehri ka materializuar disa nga parimet e kritikës në këtë libër.

Pse ka ndodhur braktisja e gjithë traditës studimore të kritikëve paraardhësve, të cilët, megjithatë, kanë mundur të vënë rregull në hierarkinë e vlerave të qëndrueshme letrare për veprat e botuara, gjithmonë referuar letërsisë shqipe të krijuar në kohë dhe në rrethana të caktuara.

Zonja Shehri, siç e dini kritika në këto 20 vjet ka pasur disa zigzage. Më përpara bëhej një vepër e mirë e pas saj vinte një kritikë letrare, aktualisht ka promovime të bujshme dhe vërejmë një fjetje, distancë të kritikës prej veprave në këto raste. Cili është mendimi juaj?
-Në të vërtetë, kjo nuk është një dukuri e viteve të fundit, por është një dukuri që ka ndodhur pas viteve ‘90 për disa arsye. Arsyeja e parë, unë mendoj që ka të bëjë me faktin që kritika e para viteve ‘90 ishte një përsëritje klishe e ideve të realizimit socialist, ndërsa pas viteve ‘90 kritika normalisht u ndodh para një shumësie shkrimesh para një shumësie hierarkish, të cilat detyrimisht, fillimisht duheshin përmbysur dhe pastaj duhej rindërtuar.

Por për fat të keq pas viteve ‘90 ka filluar të mungojë besimi për kritikën, për arsye që lidhen si me kritikën pararendëse para viteve ’90, ashtu edhe me faktin e kritikave panegjirike të bërë në thonjëza nga një shkrimtar prej një shkrimtari tjetër, ose të bërë për një shkrimtar të caktuar nga një kritikë i caktuar. Si rrjedhim, kritika letrare nuk e ndikon lexuesin. Dhe pastaj, kjo ka të bëjë shumë fort me nevojën për të pasur një medium për kritikën, pra të kemi një revistë për kritikën e kështu me radhë.

Kush duhet të kontribuojë konkretisht për të pasur sot një medium të kritikës?
-Sigurisht një revistë e specializuar do të ishte një rrugë e mbarë për kritikën, por duhet edhe mendimi i specializuar. Shpesh mendimi kritik për disa nga veprat shfaqet në mediat e shkruara. Natyrisht që gazetat e përditshme do të kenë në funksion disa elementë të kritikës, por nuk është detyrë e gazetave të merren me kritikën letrare. Çdo medium që i shërben zhvillimit të kritikës më parë duhet të ravijëzohet pikërisht në atë mënyrë që të krijohej një marrëdhënie besimi ndërmjet kritikut dhe lexuesit.

Me librat tuaj kritikë dhe studimorë, sigurisht ju keni vënë një gur në themelet e një mediumi shkencor, po si pedagoge cili është kontributi juaj referuar kritikës letrare?
-Dua t’ju përmend këtu aktivitetin që u zhvillua në Ditën Ndërkombëtare të Librit me studentët e fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Është viti i gjashtë që ne organizojmë takime të kësaj natyre për librin, duke përfshirë edhe tematikën e kritikës letrare. Në Ditën e Librit u promovua një libër i Floresha Dados, një i Viola Isufaj, një i Agron Gjekmarkaj për probleme të kritikës. Tryeza e rrumbullakët që u mbajt ishte për t’iu qasur letërsisë nëpërmjet filtrit të kritikës letrare, për të bërë atë ndërmjetësim që ne themi që mungon mediumi, ndërsa vetë kemi tentuar të ndërtojmë një medium.

Dhe një nga këto mediume është revista “Letrat”, që do të shërbejë si ndërmjetësim midis lexuesve. Kritika dikur shkruante atë që kërkonte dogma, sot shkruan atë që kërkojnë vetë shkrimtarët. Në fund, lexuesi i braktis në mos të dyja kategoritë, njërën, duke kërkuar të gjejë vetvetiu horizonte të tjera...Duhet thënë se shumë prej autorëve që përpiqen për të bërë bujë të pamerituar me veprat e tyre cenojnë shpesh autoritetin e kritikes për të ngritur autoritetin e tyre.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (26.04.2013)

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?