Dhuna ndaj fisit Maja, nipi i ish- deputetit të PS-së kërkon masë më të lehtë sigurie në gjykatën e Apelit

14 Shtator 2023, 14:16| Përditesimi: 14 Shtator 2023, 14:47

  • Share

I arrestuar për dhunën barbare ndaj fisit Maja në Krujë, Andi Rraja nipi i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja, kërkon masë më të lehtë sigurie. Përmes një shkrese drejtuar Apelit, ai kërkon zëvendësimin e masës ‘arrest në burg’ me ‘detyrim paraqitje’.

Andi Rraja ishte mes tre agresorëve së bashku me Indeidi Rraja dhe Eni që sulmuan me armë dhe shkopa bejsbolli Bilbil dhe Jashar Majën në Borizanë të Krujës. Edhe dy të tjerët kanë kërkuar lehtësim mase.

Pamjet e 6 korrikut tronditën opinionin teksa burrat e fisit Rraja godisnin me armë, shkopa besjbolli, grushte dhe shkelma dy vëllezër të fisit Maja në një lokal në Thumanë pasi ishin ankuar për shpërthimet e minave në guroren e Rrajave në Borizanë të cilat u kishin shkatërruar shtëpitë.

Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës ka vendosur të kryeje një riekspertim për Jashar e Bilbil Majën, dy kushërinjtë nga Fushë Kruja, të cilët ranë pre e dhunës barbare më 6 korrik 2023 nga anëtaret e fisit Rraja.

Ekspertiza e datës 24 korrik e kryer nga mjeku ligjor Elton Serani, i cilësoi dëmtimet e marra nga dy të plagosurit të pa rrezikshme per jetën në kufijtë e plagosjes së lehtë, duke lehtësuar pozitën e të akuzuarve. Reagimi që pati ky konkluzion mjeko ligjor ka bërë që prokurori i çështjes Ylli Basha të vendosë për një riekspertim të ri, që do të kryehet me një grup tjetër ekspertësh, mundësisht me komision me tre të tillë.

Kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, u goditën dhe u kërcënuan me armë nga anëtarë të fisit Rraja, mes tyre djali i deputetit Rexhep Rraja, vëllezërit Flamur dhe Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta, të cilët janë shpallur në kërkim. Në arrest janë Ineidi Rraja, Eni Kullaj dhe Andi Rraja ndërsa pronari i lokalit Kujtim Përdaku, ku ndodhi ngjarja, është lënë në ‘Detyrim Paraqitje’ për moskallëzim krimi.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?